Kur politikanët e humbin rrugën në oborr, duke provuar të krijojnë monopol mbi shtetin dhe kushtetutën, me fajin e tyre, askush nuk i vajton, sepse vetë e kanë zgjedhë atë rrugë por, kombi i korrë pastaj pasojat jetësore! Është lajmëruar jo rrufeshëm, por si me prepotencë një kastë politikanësh shqiptarë me nofkën “anonimë”. Këta “anonimë” janë kah mendojnë, sidomos politikanët e Kosovës, se mund të kenë miq rezervë në shtet- ndërtim. Edhe më gjerë, ky soj i politikanëve shqiptarë, kur ngrehën në mëngjes, punën e parë që e bëjnë i afrohen pasqyrës. Çfarë shohin së pari: e shohin kolltukun, pastaj ngadalë si perdja e teatrit u shfaqet padroni kalimtar, që u dikton për momentin, për detalin politik të “ditës”, pra, jo fytyra reale e tij dhe e mikut të përhershëm, sepse nuk shohin përtej hundës. Këta dhe ata e shohin serish kolltukun, tani në rrafshin konkav. Këtij niveli politik dhe diplomatik i thonë në filozofinë e historisë dehidrim i plotë i aftësisë për të bërë politikë kombëtare dhe ndërkombëtare.
Dhe në këto rrethana të sikletit të tyre, gjithnjë për kolltukë, çfarë me “pa”: në vend se ta shohin vetveten në rrafshin realist virtual, e pastaj ta shohin Uashingtonin, sepse kështu na ka mësuar historia (apo më mirë të themi Haxhi Zeka) qysh më 1902, këtyre “anonimëve” u shfaqet Berlini dhe Vjena, si fatamorganë alternative e “miqësisë”, sepse mendojnë se kështu do të gjejnë hapësirë të re për përfitime jetësore, pra jo për interes shtetëror, por krijojnë “miqësi alternative” e miku i “sinqertë” nuk na donë fare. Kujdes në hapa, politikanë hipokritë shqiptarë, jo të gjithë. Bota po ndryshon dhe mundet të ndryshoi, por duhet peshuar mirë hapat, që më parë duhet të mendohen shumë kujdesshëm dhe me dituri rreshtimet që i aspironi, për format të xhepit, duke i injoruar profesionalistet.
Është fjala për mbajtjen e rreshtimit të politikës shqiptare fuqishëm kah SHBA.
Qysh më 1991, zyrtarisht, kuptohet, me njëmijë pengesa politike dhe religjioze atëbotë, u rreshtuam drejt. Atëbotë isha në korrent të rreshtimeve duke i vrojtuar nga “bregu”, por në ndonjë parti e bojatisur me ideologji sepse e kisha lexuar mirë Programin e Adem Demaçit nga viti 1963, dhe mendoja se nuk ia vlen të veprojë jo duke u zhytur në parti e në realitet duke sharruar thellë, shumë thellë në ideologji partish, që e premtonin pavarësinë e Kosovës me deklarata dhe “prononcime” nëpër gazeta. Prandaj edhe sot, sikurse më 1991, është lajmëruar një “elitë” politike, që vizaton shtetësi në zall se: “Ne duhet të rreshtohemi kah Berlini dhe Vjena”. E them troç, se nuk më pritet, se këta shpifarakë “anonimus”, nuk janë të vetëdijshëm se tërthorazi tani sikurse më 1991, që i ndihmonin tërthorazi Milloshit, me amorfitetin e tyre politik, që publikisht bartnin ujë me shoshë në mullirin rus dhe filozofinë e mjegullave Berlin-Vjenë-Vatikan-Stamboll. E pra, politikanë “anonimë”, nuk jemi ne turku i Stambollit, as romaku i Vatikanit, as reformatori i Branderburgut. Mbajeni në mend.
Këto ditë A. Vuçiqi i Beogradit e vizitoi NATO-n në Bruksel. Aty bëri lëvdata dhe iu lut mikpritësit që organizata NATO më e fuqishme në botë, të mbetet në Kosovë. Mikpritësi i entuziazmuar nga kjo “diplomaci” politike u shpreh se: kërkojmë ndjesë për bombardimet që ua kemi bërë më 1999. Kësaj i thonë politikë filozofike në akull, por Beogradi do ta shfrytëzojë këtë si kapital në etapat që vijnë, natyrisht në dem të Republikës Kosovës. Për këtë qëndrim duhet menjëherë të kërkohen sqarime në Bruksel.
Në rrethanat e tanishme të rreshtimeve të reja në SHBA edhe nëse “humbim”, le të humbim në politikë, por me Amerikën e Gjergj Uashingtonit, sepse jemi soj i Gjergj Kastriotit. Por jo vetëm për këtë, por amaneti i Adem Jasharit nuk guxon të shkelet sepse me te filloi Epoka e NEO LUFTES për liri, dhe sovranitet të plotë ashtu si e çmon bota sot politikën e Adem Demaçit, plotë humanizëm dhe filantropi njerëzore.
Kombin shqiptar porositë Adem Demaçi, nuk ka forcë që e ndan nga miqësia me SHBA. Mendoni edhe Gjermaninë e kemi mike, por Amerikën e kemi më për zemër, sepse truri kombëtar po komandon kështu që besën dhe krenarinë, mos ta zbresim nga froni që i takon. Këtë nivel krenarie nuk na e lakon as Amerika, por vendosmëria jonë euroatlantike.
Nuk do ta përmendi emra, por edhe në Tiranë edhe në Prishtinë, madje edhe në Shkup nuk është kuptuar seriozisht kur në simpoziumin e 3 gushtit 2016, ku debatohej për kufirin Republika e Kosovës-Mali i Zi pata thënë: “Një agjenturë ruse-serbe e keni në Podgoricë ( a u doli, provuan të bëjnë ruse-serbët grusht-shtet natën e parazgjedhjeve), një e keni në Tiranë me filial në Shkup (a u doli përpjekja që terrorizmi ta përfshijë futbollin…), por ata që e projektuan Shkodrën nxituan që bombat t’i reklamojnë se: “janë plasuar në Beograd për ta vrarë Vuçiqin”! Politikë e Kishës Ortodokse serbe, shumë e sofistikuar, por fare mirë e plasuar në tregun politiko-diplomatik, ku shiten trangujt për dardha. Ky skenar i Kremlinit dhe Beogradit është bërë për të humbur gjurmë, për t’u dukur Serbia “properëndimore” në Bruksel, të paktën. Në Uashington nuk besoj që u shitet kurrë. Mbetet të sheshohet agjentura ruse-serbe në Prishtinë, e cila si duket ende ia vënë granatën Parlamentit Kosovës, duke i akuzuar pastaj verdhacakët tanë politik, disa të rinj që nuk dinë të qesin me revole e lere më me granatahedhës. Në Prizren vdiq aktivisti politik dhe dëshiruam nuk dëshiruam ai ka vdekur dhunshëm në duar të këtij pushteti. Tragjedi kombëtare, me psikologji tragjike është që një pushteti t’i vdesë në burg, i burgosuri, madje i pa-hetuar disa muaj. Kujdes, sepse terrorizmi rus-serb nuk ka atdhe, as nuk ka komb, as nuk ka religjion. Terrorizmi kolltukët nuk i përfshin, sepse ato ruhet me forcë, por pozita e luhatshme politike, terrorizmi gjithnjë i forcon, por edhe i dridh rrufeshëm. Kujdes! Kujdes politikanë shqiptarë të Republikës Kosovës sidomos, sepse që 17 vjet nuk patët dituri ta krijoni ushtrinë e vërtetë të Kosovës, por kënaqeni me do lëvdata dhe premtime që u përngjanë aporive të Zenonit, të politikës Berlin-Vjenë, plotë premtime, por që Kosovën e kanë gozhduar si zorrë qorre, duke e izoluar nga Evropa si të vetmen, ku qytetarëve të saj u jepet tretman “infektues”, pa të drejtë vizash. Pse, sepse nuk na duan ende dhe pse BE-ja, ende me argumente flas, se nuk na konsiderojnë shtet dhe po presin pale “mos po pjell gomari”! Çfarë jemi ne të vetmin në Evropë që nuk lejohen vizat. Tani na filozofojnë me do farë ‘demarkacionesh” e ku gjetiu mu për këtë situata është katastrofale, buzë luftërave por atje nuk vlen pazari ynë. Atje bën viza e këtu për Kosovë jo. Pse, sepse politikanët tanë janë fare inferior. Kosovës i duhen miq të sigurt dhe të atillë që askush nuk mundet t’ia drejtojë gishtin si bënë Kremlini me “dyer të mbyllura” ndaj Gjermanisë, kurdo që i teket. Kosovën nuk mundet më askush ta dënojë sikurse u dënuam më 1912/13 me moton “Nuk ka ndryshim të kufijve të Perandorisë Turke”. E pse pati për Aleancën Ballkanike pas tre muajsh (tetor 1912). Edhe sot, luhet e njëjta lojë me neve. Vetëm falë SHBA-ve ne jemi të lirë. Ta dini, hulumtoni arkivat e shteteve evropiane deri më 1999. Do të bindeni.
Amerika na ishte pranë më 1919, nëpërmjet Uilsonit famëlartë, më 1946 përmes Trumanit shumë largpamës që Shqipëria Jugore nuk iu aneksua Greqisë, e cila këto ditë kur doli në shesh çështja e Çamërisë filloi të kërcënohet se paska ushtri të fuqishme. Po kur jeni të fuqishëm ore grekë borxhesh pse nuk i ndihmoni Qipros qe 25 vjet. Nuk frikësohet luani me tupan ore grekët e borxheve deri në fyt. Amerika na ndihmoi më 1999 nëpërmjet Clintonit dhe Kosova e ruajti realitetin popullor, sepse ishin në program për shfarosje. Çfarë duam ne më tepër se tri herë, për të shpëtuar miku dhe së katërti, tani kur ka filluar një rreshtim strategjik i trustit republikan në SHBA t’i bishtnojmë Amerikës, Jo, kurrën e kurrës si shkollë gjeostrategjike e Hasan Prishtinës dhe Adem Demaçit. Me Amerikën, në të, dhe me të, së bashku! Dhe besojmë fuqishëm se presidenti Donald Trump, nuk do na lë në gjysmë të rrugës, si shtet i Kosovës dhe si komb shqiptar, sepse Evropa na ka copëtuar kurdoherë nëpër kongrese të “paqes”, me gërshërë, qofshin ato helmuese apo degraduese. Gërshërët janë përdorë dhe eksperimentuar mbi trojet tona, por ne kemi dëshmuar gjithmonë sinqeritet me prova ndaj miqve. Respekt edhe për Hilarin, por është çështje e Amerikës kë e zgjedhë për president. Ne duhet t’i gëzohemi secilit që fiton në Amerikë. Po te ne shikoni se si kërcënohen politikanët “anonimë” me sintagmën “i kemi numrat” edhe pse nuk i kanë, sepse llogarisin në tërësinë e pozitës shtetërore që e mbajnë. Për këtë arsye ky soj politikanësh është “anonimë”, sepse vetëm vetë kanë dëshirë të dinë çdo gjë. Askush këta nuk duhet t’i kontrollon, sepse mendojnë se janë të paprekshëm kudo dhe kurdo. Madje, janë mbi ligjin dhe dirigjojnë çdo lëvizje shoqërore dhe ekonomike. Despotizmi i këtij soji politikanësh është shumë dëshpërues për ta më në fund, por populli e paguan faturat e tyre, me prapambeturi gjithmonë.
Të kuptohemi, s’ka më inferioritet të politikanëve shqiptarë ndaj Greqisë, e cila na mbanë “në maje të hundës” nga viti 1940, në një gjendej lufte, të cilën e akordoi një “qeveri marionetë shqiptare (Sh. Verlaci), dhe, e hoqi prapë një qeveri marionete shqiptare (R. Mitrovica me Fletoren Zyrtare nr 92/3 më 1943). Por Greqia mban gjendje lufte me shtetin shqiptar, jo që ka të drejtë, por mos u publikua se ka bërë gjenocid mbi shqiptarët e Çamërisë. Greqia ka grabitë troje shqiptare, e jo ne. S’ka inferioritet ndaj: Maqedonisë, Malit Zi dhe ndaj Serbisë. Këto shtete kanë grabitë troje shqiptare dhe këtë duhet ta themi publikisht, qoftë në Bruksel, qoftë në Nju Jork, dhe aty duhet me u zhveshë fajet e tyre. Ato, në vend që të sulmohen prej neve politikisht, këto shtete po sulmojnë efektshëm dhe BE po u beson mjerisht, sikurse më 1913, 1919, 1946.
Në fund, kur jemi të sinqertë dhe të sigurt ndaj miqësisë me SHBA, atëherë do të na garantohet edhe siguria kombëtare edhe më fuqishëm se deri tani. Dhe Amerikës nëse i shprehim gjithmonë besnikëri, guxim dhe sinqeritet, atë do ta gjejmë edhe te presidenti i ri, Donald Trum, njësoj fuqishëm, i cili po dëshmon burrëri amerikane me ish kundërshtarët e kampanjës zgjedhore, dhe për këtë ne kemi çfarë të mësojmë nga demokracia dhe ndërtimi i mëtejmë i pushtetit, sidomos në Republikën e Kosovës.
Politikanët e verdhë dhe të paarsimuar shqiptarë, duhet ta harrojnë dymendjesinë BE apo SHBA? Kjo propagandë është transplantuar në politikën tonë si katapult nga Kremlini dhe Beogradi në këta gjashtë muajt e fundit, për të na vënë në dyshime dhe në sprova të reja, krejt me qëllim për të dëshmuar se Republika e Kosovës “është projekt i dyshimtë”. Këtu është qëllimi i Beogradit e sidomos i qarqeve kishtare serbe. Në këtë pozicion po përfiton sidomos qe dy muaj Serbia politike dhe diplomatike, duke provuar me rrena që krimineli të shndërrohet në “viktimë”. Këtë provë e bëri publike bashkëpunëtori numër një i Millosheviqit, njëfarë Ivica Daçiq, që provoi të lansonte rrena, lakra të verdha në OKB, këto ditë. Ne duhet të japim dëshmi shtesë edhe në SHBA edhe në të gjitha viset tjera të botës, se jemi fuqishëm të rreshtuar pa asnjë dilemë kah demokracia amerikane.
Në politikë duhet të jemi shumë më serioz se sa në tregti dhe fusha tjera. Bie fjala, shtabi politik i Adem Demaçit në kohën janar-qershor 1999, e ka “nuhatë” me kohë hilen e bombardimeve nga disa vende të NATO-s. E ka “nuhatur” fare mirë e me kohë pse kanë hyrë të parët rusët me tanke në Kosovë dhe kush i ka bërë pazaret. Ekipi i Adem Demaçit ishte shumë serioz dhe i sinqertë, sidomos ndaj SHBA-ve, sepse evropianët lakonin shumë çka pas bisedave “vëllazërore”. Pra, mos të mendoi askush se jemi të varfër dhe plus të mbajtur në izolim, plus edhe “naivë” të konsideruar e të lakmojë në disa premtime pompoze nga Brukseli, që aty dikush punon për neve ditën dhe rrënon çfarë e kemi krijuar për një dekadë, ama për një natë. E pra, ta ndërtojmë shtetin ditë e natë. Ne jemi në Evropë në pozitën e Izraelit. Ky fakt duhet të mësohet sepse jemi të sulmuar qe dy shekuj rresht nga e njëjta falangë euro-ballkanike, ku prinë Rusia. E vërteta nuk kemi për qëllim të krijojmë armiq. Studimi është analizë nga qindra dokumente e fakte të kohës dhe fakte ditore, që na i dhunojnë veshët, na thumbojnë në sy dhe na peshojnë me vepra. Vetëm me këtë mentalitet mund të prosperojmë. Përndryshe : greku, serbi, maqedonasi, malazezi që gjysmë esëll gjithmonë mendon si serb, ndërsa këta politikanët maqedonas jetojnë vetëm në saje të kundërthënieve Beograd-Sofje. Ky kryqëzim interesash duhet të dihet. Nuk është marksizëm, por është aksiomë politiko-diplomatike që jeton qe dy shekuj me radhë realiteti ynë në Evropën e intrigave. Ky rivalitet i mban gjallë maqedonasit. Dikush nga politikanët ose diplomatët tanë inhibitativ dhe natyrshëm zanatli, duhet gjetur mënyra e t’ia komunikojë Shtabit, ose drejtpërdrejt Donalld Trumpit, nëse ka kushte, pozitën tonë në Evropë dhe sidomos në Ballkan të e peshojë natyrshëm. E di që do të na përmendet menjëherë roli i Turqisë ndaj Grekut, serbit, bullgarit. Këtë “dua politike”, e kemi të njohur dhe të provuar, sidomos nga viti 1989 nëpër takime në Amerikë dhe Evropë. Por “baroti” i kësaj teze sidomos tani është i lagur. Turku i ka hallet e veta e aq më pak sot mund të ndihmojë religjioni i sulmuar dhe i provuar të komprometohet në tërë globin. Kishte të drejtë Fukuyama në librin “Konflikti i kulturave” e deri te libri tjetër “Konflikti i civilizimeve”, në vend të blloqeve ideologjike dhe ushtarako-ekonomike, do të shpërthejë konflikti i civilizimeve dhe neve herë të përplasin në Lindje e herë në Perëndim ashtu si u nevojitet pazari. Donald Trumpi premton shumë në fillim të shekullit, në lëmin e forcimit ekonomik dhe kombëtar. Ta mbështesim këtë shkollë.
Unë nuk e urrej as popullin rus as popullin serb, por politika shtetërore e tyre duhet të emancipohet, sepse nuk mundmë të na shkatërrojnë neve si kanë bërë me 24 programe dhe i kanë provuar për të na asgjësuar, e as ne nuk mund dhe nuk duhet as provuar që ta shkatërrojmë popullin serb, sepse deshëm apo nuk deshëm i kemi fqinjë.
Politikanë shqiptarë të nivelit “anonim”, por që jeni momentalisht kreatorë politikë qeveritarë, keni kujdes, sepse sjelljet tuaja tani për tani, duke e vënë në dilemë rreshtimin politik shtetëror proamerikan, kombit po i sjellin një dëm të pariparueshëm. Ju jeni në pasqyrë dhe ju tani përfaqësoni shtetin, e bota e civilizuar nuk e din se ju nuk keni arsimim adekuat politik dhe diplomatik. Kjo nuk do të thotë se miqve tanë duhet t’u shesim diplomaci e as dushk për gogla. Jo, na njohin fare mirë, por duhet t’u dëshmojmë pjekuri politike, sepse populli ynë nuk ka as mjetet mediale informative, as fuqi ekonomike që ta nxjerrë në radhët e para të frontit elitën intelektuale. Shkurt nuk po lejohet një realitet i tillë, në fillim nga UNMIK-u e tani nga EULEX-i. Dikush do të thotë, nuk do të ndodhë, elektorati është i tillë, është krijuar bindja dhe jemi këtu në udhëkryq. Deri tani në Republikën e Kosovës janë promovuar shumë mediokritete – persona që aspirojnë pasuri personale e jo çlirim të punës, të atillë pra që nuk kanë mësuar në shkollat e tyre asgjë nga politika se si begatohet shoqëria-shteti. Ky soj politikanësh nuk lejon drejtues të mirëfilltë, as në qeveri, as në institucione, as në Akademi, as në fakultete deri diku, sepse ata si dytësor pastaj nuk janë në valle. Madje ky soj neo-bajraktarësh ende po mendon, se është koha e totalitarizmit, sepse mendojnë, falsin dhe veprojnë ashtu si u “duket karrigia” e tyre në pasqyrë, për të cilën janë të lidhur si mishi e thoni, pa menduar fare për varfërinë e kombit dhe për begatimin e pavarësisë së Republikës Kosovës, me miq shumë, por të sinqertë.