Sipas kumtesës së Vetëvendosjes, me vendimin e ri të Gjykatës Themelore, Atdhe Arifi e Egzon Haliti do të vazhdojnë të mbahen në burg, kurse Adea Batusha e Frashër Krasniqi vazhdojnë të mbahen nën arrest shtëpiak, ndërsa Petrit Ademit iu ka caktuar masa e paraqitjes në Polici. Vetëvendosje, konsideron se Gjykata themelore në Prishtinë ndërmori edhe një veprim arbitrar ndaj aktivistëve të Lëvizjes të cilët tash e tre muaj po mbahen padrejtësisht në burgje dhe arreste shtëpiake, duke iu vazhduar masat e mbajtjes në paraburgim, përkatësisht në arrest shtëpiak, edhe për një muaj. Vetëvendosja konsideron se ky vendim është kryekëput politik e arbitrar. Arbitrariteti në këtë rast përcillet më shkelje flagrante të procedurave penale e gjyqësore. Gjatë këtyre 3 muajve nuk është paraqitur asnjë provë kredibile që i lidh aktivistët me veprën për të cilën po akuzohen e hetohen. Ndërkohë që pavarësisht kësaj gjykatësi ia pranon secilën kërkesë të prokurorit të rastit Avdurrahman Islami që 5 aktivistët të mbahen nën arrest për të katërtin muaj.
Ky prokuror, vazhdon kumtesa, i kërcënon aktivistët duke ua shprehur dëshirën e tij sadiste që të gjithë të mbahen në burg, edhe pse nuk ka se si ta argumentojë këtë dëshirë të tijën, e shpërfaq më së miri se si funksionon regjimi autoritar, zaptues i organeve shtetërore, ndaj kundërshtarëve politikë, e konkretisht Vetëvendosjes, thotë kumtesa e cila përfundon se “nga ky proces i padrejtë gjyqësor, brenda ambienteve të burgut, aktivisti Astrit Dehari ka humbur jetën në rrethana të pasqaruara, e për çfarë deri më tani askush nuk ka marrë përgjegjësi. Pas vdekjes së tij të dyshimtë, institucionet përkatëse gjithashtu kanë bërë një sërë shkeljesh procedurale, duke problematizuar edhe më shumë zbardhjen e këtij rasti. Ky vendim sikurse i tërë procesi është i padrejtë, i pabazuar, dhe shkelje flagrante e të drejtave qytetare, dhe lirisë politike e kolektive. Shteti i kapur është vënë kundër Republikës. Dhe po e sulmon atë vazhdimisht, duke ia sulmuar popullin Republikës me vendime arbitrare gjyqësore, me cenim të lirisë, e mos garantim as të sigurisë minimale në çelitë e burgut. Kjo është përndjekje klasike. Si e tillë bëhet dëshmi e gjallë e ndërtimit të një aparati autoritar shtetëror. Këtë nuk duhet ta lejojmë. Këtë nuk do ta lejojmë. Drejtësia do të vijë në vend. Krimi nuk mund e nuk do të fitojë.