Statistikat zyrtare të Serbisë pranojnë se në vitin 1991, në Kosovë ka pasur 9 për qind serbë, aq sa përafërsisht ka edhe tani, por ata pretendojnë se në Serbi ndodhen rreth 230 mijë serbë, sipas tyre të ikur nga Kosova. Shifra, natyrisht se është shumëfishuar, duke u mbështetur madje edhe në regjistrimet e popullsisë së Kosovës, regjistrim të cilin e kanë kryer vetë serbët dhe organet e dhunshme të Serbisë, në vendin tonë, në vitin 1991, dy vjet pas pezullimit të autonomisë së Kosovës.
Duke u bazuar në statistikat e Serbisë për numrin e popullatës së Kosovës, edhe pse në vazhdimësi të fryra, del se në vitin 1991, kur regjimi serb kishte suspenduar autonominë, e vendit tonë kishte rreth 1.600.000 shqiptarë, ose 81 për qind e numrit të përgjithshëm të vendit. Serbë ishin 194.190, ose 9,93 për qind, ndërsa pjesa tjetër me rreth 10 për-qind përbëhej nga boshnjakë, turq, romë, ashkali, egjiptas, kroatë malazez. etj.
Në numrin e serbëve, llogariteshin si banorë të Kosovës edhe kolonët që kishte sjellë Serbia nga Kroacia e vende të tjera.
Pavarësisht këtyre statistikave, zyrtarët serbë kërkojnë të kthehen në Kosovë edhe 23o mijë serbë, edhe pse në vendin tonë jetojnë rreth 90 mijë, aq sa ka pasur në vazhdimësi, në të gjitha regjistrimet, që i ka bërë RSFJ e më vonë Serbia, qysh prej vitit 1948. Numri i serbëve nuk është rritur asnjëherë, për shkak se ata kanë gjetur punë dhe jetë më të mirë në Serbi dhe në republikat e tjera të Jugosllavisë, ku i kanë pasur dyert e hapura për punë në të gjitha institucionet, por edhe në fabrika e ndërmarrje shtetërore e shoqërore. Ata kanë jetuar si parazitë edhe duke u kamufluar si të përndjekur nga shqiptarët, me qëllim për të arsyetuar shitjen e pronave të cilat paraprakisht kanë qenë të shqiptarëve dhe të cilat regjimi serb i kishte konfiskuar, si prona të armiqve të Jugosllavisë dhe ua kishte dhuruar serbëve.
Serbët jo vetëm në Kosovë, po gjithandej ku jetonin, kishin krijuar bindjen hegjemoniste se Jugosllavia ishte një Serbi e Madhe. Nuk kishte vend të mos ishte kolonizuar nga serbët, të cilët në RSFJ kishin numër më të madh. Pas serbëve, që ishin rreth 7 milionë banorë, vendin e dytë e zinin kroatët me rreth 4 milionë, ndërsa në vendin e tretë ishin shqiptarët më shumë se 2 milionë e gjysmë, meqë në numrin e përgjithshëm të popullatës regjistroheshin edhe shqiptarët në Maqedoni, në Serbi, Mal të Zi dhe në të gjitha republikat e RSFJ-së. Në shumë qytete të Jugosllavisë shqiptarët nuk ishin banorë rezidentë, por punëkërkues. Në një statistikë të vitit 1981, ishte bërë e ditur se vetëm në kryeqytetin e atëhershëm të Jugosllavisë, në Beograd, i cili kishte më shumë se 1 milionë banorë, jetonin rreth 80 mijë shqiptarë. Kjo shifër i kishte brengosur tejmase autoritetet serbe e jugosllave, edhe pse shqiptarët nuk ishin banorë të përhershëm, por shumë prej tyre ishin rezidentë dhe jetonin në Beograd e në qytete të tjera të Serbisë edhe me familjet e tyre, meqë kishin gjetur punë dhe jetë më të mirë sesa në Kosovë, e cila dihej edhe zyrtarisht se ishte si vendi më i varfër dhe më pa zhvilluar i Jugosllavisë, që kishte të ardhurat më të ulëta për kokë banori. Në raport me Slloveninë, që ishte republika më e zhvilluar, Kosova kishte dhjetë herë më pak të ardhura vjetore për një banor, në krahasim me republikën më të pasur të federatës.
Në vitet 90, Jugosllavia e mbetur, Serbi Mali i Zi, bëri përpjekje të vazhdueshme për pakësimin e numrit të shqiptarëve. Përveç sjelljes në Kosovë të dhjetëra mijëra serbëve nga Kroacia e vise të përfshira në luftë, Serbia me qëllim të dëbimit së shqiptarëve nga Kosova mori aksionin në shpopullimin e shqiptarëve, duke i ftuar në shërbimin ushtarak të dhunshëm, me qëllim për t’ i konfrontuar me kroatët e myslimanët e Bosnjës. Një pjesë e madhe e të rinjve shqiptarë kishin ikur, në Shqipëri e prej andej në vende të ndryshme të Evropës. Hapi fundit vendimtar i regjimit të Beogradit për spastrimin etnik të shqiptarëve nga trojet e tyre etnike, u ndërmor në vitet 1998-1999, kur nga Kosova me represion sistematik ushtarak e policor, u larguan rreth 600.000 shqiptarë. Regjimi kriminal i Beogradit synonte të sillte në Kosovës rreth 500.000 serbë me qëllim të krijimit të një baraspeshe etnike, por falë luftës së UÇK-së dhe ndihmës së NATO-s, plani për rikolonizimin e Kosovës ka dështuar përgjithmonë.
Sot në Kosovë, serbët janë etnia më e privilegjuar, falë, Planit të Ahtisarit, përpjekje të BE-së dhe të Beogradit për rikthimin gradual të Serbisë në Kosovë, gjoja për ta ruajtur etninë dhe kishat e manastiret mesjetare, dikur faltore të shqiptarëve ortodoksë.
Ja të dhënat statistikore serbe, sipas regjistrimit të vitit 1991, që janë publikuar në medie
Versioni zyrtar serb
Etnički sastav (përbërja etnike):
Albanci (Shqiptarë) – 1.596.072 (81,59%)
Srbi (Serbë) : 194.190 (9,93%)
Muslimani (Muslimanë): 66.189 (3,38%)
Romi (Romë) – 45.745 (2,34%)
Crnogorci (Malazezë) – 20.365 (1,04%)
Hrvati (Kroatë) – 8.062 (0.41%)
Jugosloveni (Jugosllavë) – 3.457 (0.18%)
Ostali (Të tjerë) – 21.933 (1.12%) (KD)