Serbia vazhdon të shkel të drejtat kolektive të shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, duke u njohur vetëm autonominë kulturore, por jo edhe aprovimin e të drejtave kombëtare. Atyre u ndalohet përdorimi i flamurit kombëtar shqiptar, mësimi i historisë shqiptare dhe tekstet nga Kosova. Banorët nuk ndihen të sigurt, pasi janë të rrethuar nga forcat ushtarake dhe policore. Megjithatë, qytetarët që jetojnë atje presin ndihmën e Qeverisë së Shqipërisë dhe Kosovës. Kryetari i Këshillit për Mbrojtjen e Drejtave dhe Lirive të Njeriut në Preshevë, Balgezim Kamberi, ka thënë për Kosovapress se shkeljet drastike që kanë qenë në kohën e Millosheviqit më nuk ka, siç nuk ka ndonjë përparim në zgjidhjen e të drejtave të njeriut. Sipas tij, Serbia duhet të ndryshojë edhe në kushtetutë edhe në çështjen e legjislacionit kur i përket të drejtat e njeriut.
Ai mendon se të gjithë liderët në Preshevë duhet të jenë më aktiv për ta ngritur zërin rreth problemeve që kanë shqiptarët në këtë pjesë. Ndërsa sa i përket sigurisë, ai thotë e janë të rrethuar nga forcat ushtarake dhe policore serbe. Mos zhvillimi ekonomik dhe problemet në arsim janë shqetësime edhe të qytetarëve. Edon Agushi thotë se gjysma e shokëve të tij nuk jetojnë në Preshevë, pasi duan një jetë më të mirë. Kurse, Gazmend Aliu thotë se mundësia për të gjetur ose hapur vende pune është shumë e vogël. Ai flet edhe për ndalimin e përdorimit të simboleve kombëtare, duke thënë se edhe në këtë drejtim duhet ndihma e dy qeverive shqiptare dhe bashkëpunimi me Qeverinë e Kosovës.