Fshati Godanc luftës së UÇK-së i ka dhënë dëshmorët: Arben Hyseni, Jetë Hasani dhe Agron Ramadani si dhe martirët: Enver Mehmeti, Ibush Hasani dhe Zejnë Rashiti.
Familja Hyseni e fshatit Godanc ka një traditë të shquar atdhetare. Për shkak të rezistencës anijugosllave, në pranverë të vitit 1945 njësitë diversante partizane, të cilat i komandonte OZN-a famëkeqe rrethojnë shtëpinë e vëllezërve: Feriz, Ilaz, Abaz dhe Sheqir Hyseni, bijtë e Brahim Hysenit nga ky fshat.
Në shtëpi atë ditë ndodheshin Ilazi dhe Sheqiri me familjet e tyre. Forcat partizane kërkojnë nga të rrethuarit që të dorëzohen, por vëllezërit Ilaz dhe Sheqir Hyseni nuk pranojnë të dorëzohen dhe fillon shkëmbimi i zjarrit. Pas disa orë luftimesh vëllezërit Hyseni kishin vrarë disa partizanë e në mesin e tyre edhe komandanti serb. Ndërkohë nga bombardimi i kullës, bien pasi kishin rezistuar deri në fishekun e fundit, Ilaz dhe Sheqir Hyseni, ndërsa nga shpërthimi i predhës vritet edhe Jahiri, djali njëvjeçar i Sheqirit.
Arbeni ishte djali i Rexhep dhe Hyrije Hysenit. Lindi në fshatin Godanc, ku edhe kreu mësimet në shkollën fillore “Hasan Prishtina” me sukses meritor. Ndërkohë, në vitin shkollor 1995/96 regjistrohet në Merdesenë “Alaudin” të Prishtinës. Frymëzimin e tij atdhetar, e mori sidomos nga shembulli i rezistencës së gjyshit dhe të familjarëve të tij kundër regjimit okupator jugosllav.
Në kohën e daljes publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe krijimit të pikave në fshatrat e Drenicës jugore, Arbeni së bashku me Enis Rexhepin dhe disa shokë kontakton me luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në Krojmir.
Asokohe në pikat e UÇK-së të kësaj ane vepronte edhe luftëtari militant Jetë Hasani, bashkëvendës i Arben Hysenit, i cili kishte një përkujdesje të veçantë sidomos për ushtarët e rinj të moshë, të cilët fillimisht dërgoheshin në Shqipëri për të kryer stërvitjet dhe për të marrë armë e municion për nevojat e zgjedhit të radhëve të luftës.
Në korrik të vitit 1998, Arbeni me disa vullnetarë niset për në Shqipëri me qëllim për të marrë armatim. Asokohe, meqë kishte filluar Beteja e Junikut, ai merr pjesë në luftime, ndërkohë që depërton edhe në Shqipëri, nga ku me disa shokë kthehet me armë dhe me uniformën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës..
Më 18 gusht pranohet në radhët njësiteve që më vonë do të sistemohen në kuadër të Batalionit “Ruzhdi Salihu” të Brigadës 121 Ismet Jashari-Kumanova.
Arbeni ka qenë një luftëtar i përkushtuar, i afërt me shokët, kurdoherë i gatshëm për të ndihmuar dhe për të kryer detyra me përgjegjësi. Ka marrë pjesë në luftimet e zhvilluara në Carralevë dhe në pikën e Zborcit në verë dhe në vjeshtë të vitit 1998.
Me rastin e rënies në detyrë zyrtare të Jetë Hasanit, më 16 tetor 1998, Arben Hyseni merr pjesë në ceremoninë e varrimit të dëshmorit, ndërsa ushtron edhe roje nderi te oda e Sylë Qeriqit, ku mbaheshin ngushëllimet për dëshmorin. Të nesërmen ka marrë pjesë edhe në varrimin e dëshmorit, Fehmi Kastrati në fshatin Kizharekë, me ç’rast ka mbajtur një fjalë rasti para bashkëluftëtarëve dhe familjarëve të dëshmorit. “Rruga nëpër të cilën jemi nisur do të vazhdojë deri në çlirimin e vendit nga okupatori. Dëshmorët do t’i nderojmë dhe kurrë nuk do t’i harrojmë, sepse gjaku i tyre po vihet në themele të ardhmërisë sonë të lirë dhe të pavarur” ka thënë mes tjerash Arben Hyseni, në një insert filmik të incizuar nga bashkëluftëtarët.
Edhe pse kishte armë dhe uniformë, ai i bashkohet radhave të luftëtarëve të Batalionit “Ruzhdi Salihu” të Brigadës 121 Ismet Jashari Kumanova, të cilët më 3 nëntor të vitit 1998 nisen për në Shqipëri me qëllim për të marrë armë dhe municion. Arbeni ishte nisur së bashku me Ramadan Elshanin nga Shtimja, Bashkim Krasniqin nga Zllakuçani, Enver, Isë dhe Qamil Ollurin nga Krojmiri, Mentor Ibriqin nga Komarani, Xhelë Xheladinin nga Carraleva Selim Selimin nga Belinci, Fadil Rashiti, Kadri Ademaj nga Petrova e Shtimes dhe shumë luftëtëtarë të tjerë të lirisë.
Gjatë qëndrimit në Shqipëri, prej 40 ditësh në bazat e UÇK-së afër Tropojës, Arben Hyseni me bashkëluftëtarët e tij: Blerim Ramadani, Enis Rexha, Agron Ramadani, Isuf Abazi, Hafir Rexhepi, më 7 nëntor të vitit 1998 i kryejnë me sukses ushtrimet taktike luftarake, në Cahan të Tropojës.
Më 14 dhjetor të po atij viti, Arben Hyseni në mesin e 143 luftëtarëve, të cilëve iu printe në ballë komandant Mujë Krasniqi, të gjithë të armatosur nisen në rrugë për të hyrë në Kosovë. Në vendin e quajtur Likenet e Hasit, ata bien në pritë të forcave serbe, të cilat kishin përcjellë lëvizjet e formacionit ushtarak të UÇK-së dhe e kishin vënë në rrethim po thuajse nga të gjitha anët.
Në mëngjesin me acar dhe dëborë të asaj dite, forcat serbe kishin sulmuar egërsisht me një arsenal të fuqishëm të armëve. Luftëtarët e lirisë në krye me Mujë Krasniqin, Gani Elshanin, Rifat Mëziun, Beqir Gashin, Avni Musliun e shumë të tjerë kishin filluar luftimet e pabarabarta dhe kishin zhvilluar një betejë të fuqishme, por në kushte dhe rrethana shumë të vështira.
Atë ditë në mesin e 36 të rënëve përveç komandantit Mujë Krasniqi bien dëshmorë edhe Arben Hyseni, Kadri Ademaj, Fadil Rashiti, Selim Selimi, Ramadan Elshani, Bashkim Krasniqi, Xhelë Xheladini dhe shumë dëshmorët të tjerë, kryesisht nga Drenica dhe nga fshatrat e rrethit të Shtimes.
Trupi i dëshmorit Arben Hyseni së bashku me dëshmorët e rënë në Has është varrosur te “Varrezat e Dëshmorëve në fshatin Polac të Drenicës, më 20 dhjetor 1998. Në shenjë përkujtimi e nderimi, Arben Hysenit bashkëluftëtarët i kanë ngritur një pllakë përkujtimore në oborrin e shkollës “Hasan Prishtina” të fshatit Godanc. Në të njëjtën pllakë është skalitur edhe emri i dëshmorit Jetë Hasani.
Familja e dëshmorit ka marrë mirënjohje nga Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së, nga Zona e Gjashtë Mbrojtëse e TMK-së, nga Bashkësia Islame e Kosovës, nga Kuvendi komunal i Shtimës dhe nga shoqatat e luftës së UÇK-së. Janë botur shkrime në shtypin periodik të kohës.
Arebeni ka lënë babanë, Rexhepin, nënën, Hyrijen, vëllezërit: Shaqirin, Nazmiun, Isufin, Hysenin dhe motrat Firdezen dhe Mimozën. (A. Q.)
Kontrolloni gjithashtu
Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)
Dëshmori i kombit, Ilmi Aliu, u lind në Izbicë të Drenicës, në vjeshtën e vitit …