Mentor Ramadan Ibriqi (9.1.1978 – 14.12.1999)

Mentor Ramadan Ibriqi (9.1.1979 – 14.12.1998)

Komarani, një lokalitet i njohur i Drenicës, luftës së UÇK-së i ka dhënë shumë dëshmorë dhe martirë. Në mesin e dëshmorëve është edhe Mentor Ramadan Ibriqi, i cili lindi dhe u rrit në një familje përparimtare.
Mentori lindi më 9 janar të vitit 1979 në Komaran. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërkohë që vazhdoi mësimet në Shkollën e Mesme Teknike “Leonik Tomeu” në Drenas, (ish-Gllogovc).
Qysh i ri, krahas përkujdesjes së prindërve, babë Ramadanit dhe nënës Emine Mustafaj, me origjinë nga Krojmiri, Mentori ishte edhe nën kujdesin e vazhdueshëm të xhaxhait, Nuredin Ibriqit, profesor i historisë.
Jeta e rëndë nën robëri, dhuna dhe represioni që ushtronte regjimi okupator serb kundër shqiptarëve, bënë që Mentori qysh në rininë e hershme të edukohej në frymë atdhetare. Ai, në vitin 1997 ishte në dijeni të grupit ilegal, të cilin e kishte formuar shumë vjet më parë kushëriri i tij, Selman Ibriqi dhe daja Shaban Mustafa me disa të afërm të tjerë.
Në kohën kur grupevt e para guerile të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës po kryenin aksione të armatosura kundër policisë serbe, Mentori nuk kishte dyshim se ekzistonte apo jo UÇK-ja. Edhe pse i ri ai së bashku me vëllanë, Bekimin, pastaj me kushërinjtë: Ragipin, Bekim Behram Ibriqin e të tjerë, i bashkohet grupit të cilin e kryesonte, kushëriri i tij, Selman Ibriqi. Ai kishte mbajtur lidhje të vazhdueshme me grupin e UÇK-së në Krojmir.
Dalja publike e UÇK-së në Llaushë të Drenicës më 28 nëntor 1997, i çori maskën mistifikimeve dhe dyshimeve të pacifistëve, të cilët propagandonin kundër këtyre grupeve.
Mentori tashmë priste të rreshtohej atje ku do ta kërkonte nevoja. Së bashku me vëllanë Bekimin, gjithnjë e më shpesh kontaktonte me kushëririn Selman Ibriqi dhe me dajë Shabanin.
Me rastin e zënies së Grykës së Llapushnikut, më 9 maj të vitit 1998, Komarani ishte rrezikuar nga policia serbe, e cila në udhëkryqin e këtij lokaliteti, në zemër të Drenicës, kishte ngritur një postbllok të fortë, nga ku bënte përpjekje të kontrollonte të gjitha lëvizjet në Drenicë e më gjerë. Postblloku famëkeq i Komaranit asokohe rrezikonte edhe popullatën civile, e cila më 29 maj, të po atij viti u detyrua të zhvendosej. Familja e Mentorit vendoset në Krojmir, ku nuk kishte më forca të policisë, ndërsa ishte konsoliduar me shumë sukses pika vendore e UÇK-së. Mentori asokohe nën përkujdesjen e dajës, Shaban Mustafa, i cili së bashku me Halil Metajn, dëshmor i kombit dhe me pjesëtarë të tjerë të UÇK-së nga kjo anë, kishte zgjeruar radhën në terrenin e Kompleksit pyjor të Blinajës. Mentori asokohe angazhohet në hapjen e istikameve dhe në vëzhgim të terrenit. Priste vetëm momentin kur do t’i vinte radha për të shkuar në Shqipëri, me qëllim për të marrë armë municion dhe uniformën aq të dëshiruar asokohe nga vullnetarët çlirimtarë.
Gjatë ofensivës së 24 dhe 25 korrikut të vitit 1998, Mentor Ibriqi, së bashku me prindërit dhe xhaxha Nuredinin strehohen në fshatin Dobrajë. Mirëpo Mentori nuk pranonte të rrinte atje. Gjente pretekste të ndryshme me qëllim për t’u larguar nga familja, ndërkohë që një ditë ngarkohet me ushqime dhe nëpër Blinajë shkon në Krojmir.
Duke sjellë në kujtesë ecejaket e të birit, nënë Eminja tregon detal, të cilin nuk e harron kurrë. “Kërkonte nga unë ta mësoja si gatuhet buka. Në pyetjen time përse i duhej ta mësonte atë zanat, ai u përgjigj. “Në rast nevoje, unë do të gatuaj bukë për bashkëluftëtarët e mi dhe për vete. Nuk do të lejoj që të mbesim pa bukë, vetëm pse nuk dimë të gatuajmë. – Me tërë qenien ishte dhënë pas shokëve të luftës dhe as gjumin gjumë nuk e bënte. Ishte i ri, i brishtë, por shumë i gjatë për moshën që kishte”,- thotë nënë Eminja.
Më 2 nëntor të vitit 1998, Mentori nga Krojmiri kishte shkuar në Komoran për t’i parë prindërit dhe xhaxhanë. Ndërkohë ende pa pushuar mirë dëgjon zërin e dajës së tij, Agim Mustafa, i cili i bën me dije se po atë natë me disa luftëtarë të tjerë të Batalionit “Ruzhdi Salihu” do të niseshin për në Shqipëri. Mentori përshëndetet me prindërit dhe niset drejt Krojmirit. Po atë natë, në orët e vona, Mentor Ibriqi, Arben Hyseni, Enver Olluri, Bashkim Krasniqi, Isa Olluri, Bashkim Elshani, Qamil Olluri, Hazir Murati, Xhelë Xheladini e të tjerë, në përcjellje të Ramiz Qeriqit, i njohur si komandant Luani, pastaj Ali Durmishit, Dalip Rizanit, nisën për në Ngucat e prej andej në Shqipëri. Pas një pushimi në Ngucat, ata së bashku me një grup luftëtarësh nga Zona Operative e Neredimes, të cilin e kryesonin, Afrim Musliu dhe Nuhi Jakupi, nisen dhe pas një kohe të shkurtë depërtojnë shëndosh e mirë në Shqipëri.
Mentori së bashku me dhjetëra bashkëluftëtarë do të qëndrojë rreth 40 ditë që qendrat stërvitore të UÇK-së. Duke qenë se bënte dimër me acar dhe dëborë, të autorizuarit e UÇK-së përcillnin me kujdes terrenin dhe nuk lejonin që grupet të rrezikonin, meqë depërtimi duhej që vende-vende të bëhej edhe nëpër lartësitë mbidetare deri mbi 1800 metra.
Më 13 dhjetor 1998, komandanti Mujë Krasniqi, pasi ishte konsultuar me kreun e autorizuar për ta kaluar kufirin, kishte tubuar luftëtarët e lirisë, të cilëve iu kishte mbajtur një fjalim. Muja kishte kërkuar nga ata që nuk ndiheshin mirë, ose ata që ishin të sëmurë, të mos lëviznin, ndërsa të gjithë ata që ndiheshin të fortë dhe të disponuar për të hyrë në frontet e luftës në Kosovë të bëheshin gati. Të nesërmen në mëngjesin e acartë të 14 dhjetorit, në krye të kolonës prej 143 luftëtarëve printe komandant Mujë Krasniqi nga Qabiqi, së bashku me Beqë Gashin, Rifat Mëziun, e të tjerë. Kolonës i printe vetë komandanti, i cili në trupin e tij kishte plagë lufte ende të pashëruara si duhet.
Në relacionin e përthyer malor Likenet e Hasit në Gorozhup, me të rënë agu i acartë mëngjesor, forcat serbe të cilat paraprakisht kishin zënë pritë godasin kolonën në befasi. Fillimisht sulmojnë me minahedhës mu në mesin e kolonës, pastaj me një breshëri të papushuar nga të gjitha anët fillon sulmi i rrufeshëm kundër luftëtarëve të lirisë, të cilët fillojnë të mbrohen, por në rrethana tejet të pavolitshme, si për shkak të terrenit, por edhe acarit që kishte kapluar vendin.
Mentor Ibriqi ndodhej në të njëjtin grup me bashkëluftëtarët e Batalionit të tij: Isë Olluri, Qamil Olluri, Bashkim Krasniqi, Ramadan Elshani e të tjerë. Në një moment breshëria e armës armike godet edhe Mentorin me shokë, të cilët mbesin ngujuar në dëborë, pa pasur mundësi të tërheqjes. Forcat serbe kapin gjallë nëntë luftëtarë të plagosur, ndërsa të rënët i dërgojnë në Morgun e Prizrenit. Një vajzë në Prizren, e njoftuar për tërheqjen e kufomave nga familjarët, kishte nxjerrë nga Morgu trupin e Mentorit duke u paraqitur si e afërme e dëshmorit.
Me 21 dhjetor të vitit 1998, luftëtarët e lirisë, të cilët kishin rënë dëshmorë në malet e Gorozhupit, në kufirin, që asokohe i ndante mespërmes trojet e Shqipërisë, bashkëluftëtarët dhe komandantët e tyre i varrosin në Varrezat e Dëshmorëve në fshatin Polac të Drenicës.
Mentori ka lënë babanë, Ramadanin, nënë Eminen, xhaxhanë, Nuredinin, vëllezërit: Ismajlin, Imerin, Bekimin dhe motrat: Hajrijen, Nazmijen dhe Afërditën.
Emri i dëshmorit Mentor Ibriqi është i skalitur në pllakën përkujtimore të dëshmorëve në qendët të Komaranit. Familja ka marrë mirënjohje nga SHP i UÇK-së nga Ministria e Mbrojtjes e QPK-së si dhe nga shoqatat e dala nga lufta e UÇK-së. (A. Q.)

Kontrolloni gjithashtu

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Dëshmori i kombit, Ilmi Aliu, u lind në Izbicë të Drenicës, në vjeshtën e vitit …