leoni

Qamil Hysni Olluri (15.11.1976 – 14.12.1999)

Qamil Hysni Olluri (15.11.1976 – 14.12.1998)

Qamili u lind në Krojmir të Drenicës jugore, komuna e Lypjanit, më 15 nëntor të vitit 1976. Shkollën fillore e kreu në vendlindje. Mësimet e shkollës së mesme i kreu me sukses në Shalë, ish-Sedllar, në paralelen e ndarë të qendrës së mesme shkollore të Lypjanit.
Nuk iu kishte përgjigjur ftesës për kryerjen e shërbimit ushtarak, ndërsa si i ri kishte marrë pjesë në protestat dhe demonstrata gjithëpopullore kundër regjimit okupator serb.
Me rastin e daljes publike të UÇK-së në fshatrat e Drenicës jugore, Qamil Olluri ashtu sikurse edhe shumë të rinj e të reja të kësaj ane u paraqit vullnetar për t’u inkuadruar në radhët e luftëtarëve të lirisë.
Së bashku me Isa Ollurin, Enver Zymer Ollurin e të tjerë merr pjesë në hapjen e istikameve, në Carralevë, në Zborc, në Blinajë e gjetkë, duke ndihmuar luftëtarët e lirisë në të gjitha aspektet. Qamili së bashku me vëllezërit ka qenë i angazhuar edhe në sjelljen e ndihmave për popullatën civile nga fshatrat e komunës së Lypjanit.
Ka dhënë kontribut të çmueshëm në të gjitha punët dhe aktivitetet e zhvilluara asokohe në Krojmir, ku ishte njëra ndër bazat më të forta dhe më të organizuara të luftës sonë çlirimtare.
Në fillim të nëntorit të vitit 1998, Qamil Olluri së bashku me dhjetëra luftëtarë të kësaj ane niset për në Shqipëri me qëllim për të marrë armatim dhe municion. Nga radhët e Batalionit “Ruzhdi Salihu” të Brigadës 121 Ismet Jashari-Kumanova, më 3 nëntor, nga Krojmiri ishin nisur për në Shqipëri: Qamil Olluri, Bashkim Krasniqi, Isa Olluri, Ramadan Elshani, Enver Olluri, Arben Hysenaj, Mentori Ibriqi, Xhelë Xheladini, Naser Kelmendi, Enver Krasniqi e të tjerë.
Në Shqipëri kishin depërtuar kohë më parë për armatim edhe Mujë Krasniqi, Rifat Mëziu, Beqir Gashi, Gani Elshani dhe shumë luftëtarë të UÇK-së sidomos nga Drenica.
Dimri shumë i ashpër dhe kushtet tejet të pavolitshme atmosferike kishin penguar kthimin në Kosovës të luftëtarëve të lirisë. Ata për një kohë kishin qëndruar në bazat e UÇK-së afër kufirit. Pasi që bora mbi Pashtrik vende -vende arrinte deri në dy metra, eprorët nuk kishin lejuar kthimin e grupit, derisa nuk krijoheshin kushte më të volitshme atmosferike dhe kushte të tjera të sigurisë. Vendimin për hyrjen e luftëtarëve të armatosur në Kosovë, i cili përbëhej prej 143 luftëtarësh, e mori Mujë Krasniqi, komandant “Kapuçi”. Për këtë qëllim ai më 13 dhjetor 1998 kishte mbajtur një fjalim para luftëtarëve dhe kishte kërkuar që të mos niseshin në rrugë, ata që nuk ndiheshin mirë, ose që ishin të sëmurë, ose të tjerët që nuk mund ta përballonin rrugën për shkak të kushteve tejet të pavolitshme atmosferike. Luftëtarët e lirisë, të gatshëm për të luftuar me armikun kudo ku do të ndesheshin, vendosin që në orët e hershme të 14 dhjetorit të kalojnë kufirin në majen e Gorozhupit. Në ballë të kolonës ishin: Mujë Krasniqi, Beqir Gashi, Rifat Mëziu, Gani Elshani, Luljetë Shala, e të tjerë. Rreth Afrim Musliut, ndodheshin kryesisht luftëtarët e Zonës së Neredimës, Selim Selimi, Agni Musliu, Hysri Musliu e të tjerë, si dhe luftëtarët e Batalionit “Ruzhdi Salihu” ku bënte pjesë edhe Qamil Olluri me disa bashkëluftëtarë. Ata po i kujtonin fjalët e komandant Mujë Krasniqit i cili kishte thënë: “Do të luftojmë, qoftë në kufi, qoftë brenda kufirit. Në luftë jemi dhe kthim prapa nuk ka!”
Mëngjesi i 14 dhjetorit ishte me dëborë dhe acar. Dëbora, vende-vende arrinte deri në një metër trashësi. Rruga ishte tepër e rrezikshme, meqë duhej depërtuar deri në 1600 metra lartësi mbidetare, por trimat dhe trimëreshat e lirisë ishin mobilizuar rreth motos “kthim prapa nuk ka!”. Qamili ndodhej së bashku me Bashkim Krasniqin, Ramadan Elshanin, Isa Ollurin, Enver Ollurin, e të tjerë.
Forcat serbe, gjatë tërë natës kishin përcjellë dhe kishin vëzhguar me kujdes lëvizjet e luftëtarëve të UÇK-së. Ata kishin zënë të gjitha pritat e supozuara nga ku do të futeshin luftëtarët e UÇK-së. Sapo vërtetojnë se formacioni ishte futur në rreth, fillojë sulmin mu në mes të kolonës, me qëllim për të krijuar panik dhe huti. Sulmi i rrufeshëm nga të gjitha llojet e armatimit, kishte goditur pandërprerë me breshëri mitralozash të rëndë dhe me minahedhës kalibrash të ndryshëm.
Shumë luftëtarë të UÇK-së kishin rezistuar trimërisht, derisa kishin shpenzuar tërë municionin. Luftimet nuk ishin ndërprerë për disa orë. Disa nga luftëtarët kishin rënë, disa të tjerë ishin plagosur, disa kishin filluar të ngrinin nga acari dhe nuk lëviznin dot nëpër dëborë. Dhjetëra prej tyre ranë trimërisht.
Atë ditë kanë rënë në altarin e atdheut tre dëshmorë nga fshati Krojmir: Qamil Hysni Olluri, Enver Zymer Olluri dhe Isë Adem Olluri.
Kufomat e tyre ishin tërhequr nga Morgu i Prizrenit dhe më 22 dhjetor 1998, së bashku me të rënët e tjerë, janë varrosur me nderime ushtarake, në Kompleksin e Varrezave, në fshatin Polac të Drenicës, ku eshtrat e tyre pushojnë në amshim.
Trupin e dëshmorit, Qamil Olluri e kishte tërhequr nga morgu i Prizrenit, Haki Hoti nga fshati Krushë. Ai kishte shkuar vullnetarisht për të ndihmuar tërheqjen dhe duke kuptuar se për trupin e një luftëtari nuk ishte lajmëruar askush, ai e merr trupin e Qamilit, në të cilin ishin shënuar gabimisht të dhënat, për shkak se nuk kishin arritur ta identifikonin.
Ndërkohë, duke kuptuar se ishte bërë një gabim në identifikimin e një dëshmori, Haki Hoti shkon në Shqipëri, lajmëron mjetet e informimit dhe zbulon më në fund se trupi i tij ishte varrosur gabimisht. Më në fund, me angazhimin e tij këmbëngulës, Haki Hoti së bashku me vëllezërit e Qamilit, arrijnë ta identifikojnë trupin e dëshmorit, i cili prehet në amshueshmëri në varrezat e dëshmorëve të kombit në Polac të Drenicës, ku janë varrosur edhe dhjetëra dëshmorë të tjerë.
Familja Olluri ka marrë mirënjohje nga SHP i UÇK-së, nga Ministria e Mbrojtjes e Qeverisë së Përkohshme dhe nga shoqata e organizata të tjera të dala nga lufta. Pllaka për katër dëshmorët e Krojmirit: Qamil Olluri, Halil Metaj, Enver Olluri dhe Isa Olluri është ngritur te shkolla e fshatit. (A. Q.)

Kontrolloni gjithashtu

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Dëshmori i kombit, Ilmi Aliu, u lind në Izbicë të Drenicës, në vjeshtën e vitit …