Fadil Bajrush Rashiti (9.1.1975 – 14.12.1998)

Fadil Bajrush Rashiti (9.1.1975 – 14.12.1998)

Fadil Rashiti u lind në fshatin Petrovë të Shtimes, më 9 janar të vitit 1975. Bajrush Rashiti dhe bashkëshortja e tij, Nexhmija, rritën katër djem dhe katër vajza. Fadili, shkollën fillore e kreu në vendlindje, ku u dallua për zgjuarsi e disiplinë.
Duke qenë se familja kishte interesim ta regjistronte në Medrese, ai e pranon propozimin e tyre dhe në vitin shkollor 1989/1990 regjistrohet në Medresënë “Alaudin” në Prishtinë, të cilën e kryen me sukses.
I vetëdijshëm se me një nivel të tillë të shkollimit nuk do të gjente dot punë, dhe duke qenë i etur për dije e arsimim të lartë, Fadili regjistrohet në Fakultetin Filologjik, Dega e Orientalistikës, në Prishtinë. Në vitin 1997 ai tashmë kishte apsolvuar, por interesimi tij për t’i dalë zot Atdheut ishte më i lartë sesa mbarimi me kohë i studimeve.
Kontaktet e para me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës i pati në Likoc të Drenicës, ku ishte baza kryesore e luftës dhe e mobilizimit në ato anë, qysh prej fillimit të pranverës së vitit 1998. Prej andej sistemohet në fshatin Kizharekë e më vonë së bashku me Kadri Ademajn, shokun e tij të gjeneratës dhe shokun e pandashëm të idealeve, sistemohet në shtabin lokal të Krojmirit, në pjesën jugore të Drenicës.
Gjatë muajve qershor – korrik 1998, Fadil Rashiti dhe Kadri Ademaj kanë marrë pjesë në luftimet, që janë zhvilluar në likat e luftës në Llapushnik, Blinajë dhe Zborc.
Me rastin e formimit të pikës së Rancës nga komandanti Isak Musliu, i quajtur “Qerçizi”, Fadili dhe Kadriu ishin ndër ushtarët e parë që u sistemuan në atë pikë të rëndësishme dhe tejet strategjike të maleve të Carralevës, të cilat tashmë po kontrolloheshin nga luftëtarët e lirisë.
Më 14 qershor 1998 luftëtarët e lirisë kishin zënë pozicione në Carralevë dhe kishin sulmuar forcat policore serbe të stacionit të Shtimes. Atë ditë gjatë luftimeve prej orës 16 e deri në orën 20 çlirimtarët vrajnë dy policë serbë dhe plagosin tetë të tjerë.
Më 26, 27 dhe 28 shtator 1998 armiku serb kishte ndërmarrë ofensivën më të madhe të deriatëhershme kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Jezerc. Fadili dhe Kadriu ishin të parët që i shkuan në ndihmë pikës së Jezercit dhe shokëve të tyre nga Ranca. Edhe përkundër armatimit më modern që kishte armiku, ushtarët trima të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, qëndruan heroikisht, sepse kishin moralin më të fortë se armët vrasëse të pushtuesve serbë. Ata po e mbronin tokën e tyre, po i mbronin fëmijët, gratë dhe pleqtë. Gjatë betejës në Jezerc ku bien trimërisht e heroikisht: Gursel Sylejmani, Bajram Sylejmani, Kemajl Hetemi dhe shumë luftëtarë, Fadili edhe pse i plagosur nuk pranon të tërhiqet nga vija e zjarrit.
Në nëntor të vitit 1998, Fatmir Rashiti, i cili kishte qenë edhe më parë për të marrë armë në Shqipëri, së bashku me shokun e tij të idealeve, Kadri Ademaj e me shumë luftëtarë të tjerë të Zonës Operative të Neredimes niset në drejtim të Shqipërisë. Përveç Afrim Musliut dhe Nuhi Jakupit, të cilët prinin në ballë të kolonës ishin nisur për në Shqipëri edhe Fatmir Rashiti, Kadri Ademaj, Rifat Mujota, Hyzer Musliu, Selim Selimi, Baki Rashiti, Idriz Hysenaj, Osman Musliu, Fadil Mujota e shumë të tjerë nga Zona e Neredimes.
Së bashku me këtë grup çlirimtarësh, nga fshatrat Reçak, Petrovë, Belinc të cilëve iu printe Afrim Musliu, ishin nisur për në Shqipëri edhe dhjetëra luftëtarë të Batalionit “Ruzhdi Salihu” nga Krojmiri, Carraleva, Godanci, Zborci e fshatra të tjera të Shtimes dhe të Lypjanit.
Në nëntor të vitit 1998, ndodhej në Shqipëri edhe komandanti i Brigadës 113 të Zonës Operative të Drenicës, Mujë Krasniqi, i cili për një kohë kishte qëndruar në Shqipëri për t’u shëruar nga plagët e marra gjatë luftës në Kosovë.
Pas qëndrimit për një kohë në zonat kufitare të Shqipërisë me Kosovën, më 13 nëntor, Mujë Krasniqi, kishte mbajtur një fjalim para bashkëluftëtarëve, të cilët mezi prisnin për të depërtuar në frontet e luftës në Kosovë, edhe pse ishte acar dhe dëbora vende – vende arrinte deri në dy metra trashësi.
Komandanti Mujë Krasniqi, u kishte thënë luftëtarëve se tashmë lufta po bëhej në front, si në kufi, si brenda kufirit dhe kudo ku do të ndesheshin me forcat armike ata do të sulmonin dhe do të rezistonin. Ai veç tjerash kishte kërkuar nga ata luftëtarë që ishin sëmurë ose konsideronin se nuk mund të përballonin kushtet atmosferike, të qëndronin në bazat stërvitore në Shqipëri deri në një rast tjetër.
Natën me dëborë dhe acar të 13-14 dhjetorit të vitit 1998, drejt kufirit i cili ndante në dysh trojet shqiptare, ishin nisur 143 luftëtarë e luftëtare të lirisë, në mesin e tyre edhe Fatmir Rashiti e Kadri Ademaj.
Mëngjesi i hershëm i 14 dhjetorit kolonën e gjatë, që ece nëpër rrugët gjarpërore dhe në majat e mbuluara me dëborë të Pashtrikut, e gjen të rrethuar nëpër shtigjet, të cilat një natë më parë i kishte vendosur ushtria e policia serbe. Forcat serbe godasin papritur mu në mes të kolonës, rreth orës 6 të mëngjesit. Pastaj godasin edhe kreun dhe pjesën që mendohej se ishte fundi i kolonës. Në mesin e luftëtarëve shqiptarë ishte krijuar një gjendje e nderë, meqë breshëria e armëve armike po derdhej mbi kokat e tyre nga pocizionet e kamufluara serbe. Fadil Rashiti dhe Kadri Ademaj e të tjerë ndodheshin afër luftëtarit emblematik të UÇK-së Afrim Musliu, i cili kishte zënë pozicion mbrojtjeje me armët e tij. Ndërkohë, ai lajmërohet se disa ushtarë ishin zënë në rrethim dhe bën tutje për t’ iu shkuar në ndihmë. Kadriu dhe Fadili kishin shkëmbyer zjarr mbi forcat armike.
Kishin rënë në krye të kolonës, Mujë Krasniqi, Rifat Mëziu, Luljetë Shala, Gani Elshani e shumë të tjerë. Nga Zona operative e Neredimës me gjakun e tyre rinor i kishin skuqur malet me dëborë të Pashtrikut edhe Fadil Rashiti, Afrim Musliu, Kadri Ademaj, Selim Selimi, Astrit Bytyçi… Nga batalioni “Ruzhdi Salihu” kishin rënë: Xhelë Xheladini, Isë Olluri, Bashkim Krasniqi, Ramadan Elshani, Qamil Olluri, Mentor Ibriqi, Enver Olluri, Arben Hyseni… Atë ditë në malet e Gorozhupit, mbi Likenet e Hasit në Pashtrik kanë rënë 41 dëshmorë së bashku me komandantin e tyre Mujë Krasniqi.
Më 20 dhjetor 1998, trupat e dëshmorëve të rënë në Gorozhup janë bartur nga Morgu i Prizrenit dhe janë dërguar në Rahavec. Prej andej janë bartur në fshatin Polac të Drenicës ku edhe janë varrosur, në “Varrezat e Dëshmorëve” të UÇK-së.
Fadili ka lënë vëllezërit: Afrimin, Naimin, Besimin, dhe motrat: Mirveten, Miradijen, Nebahaten e Vjollcën.
Familja e dëshmorit Fatmir Rashiti ka marrë mirënjohje për dëshmorin nga SHP i UÇK-së, nga Ministria e Mbrojtjes e QPK-së, nga shoqatat e luftës, dhe nga Kuvendi komunal i Shtimes. (A. Q.)

Kontrolloni gjithashtu

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Dëshmori i kombit, Ilmi Aliu, u lind në Izbicë të Drenicës, në vjeshtën e vitit …