Enver Zymer Olluri (31.1.1979 - 14.12.1998)

Enver Zymer Olluri (31.1.1979 – 14.12.1998)

Krojmiri, një fshat i skajit jugor të Drenicës , luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës i ka dhënë dëshmorët: Enver Olluri, Halil Metaj, Qamil Olluri dhe Isa Olluri, martirët: Afërditë Qeriqi dhe Musë Bungu. Një person konsiderohet i zhdukur. Gjatë kohës së luftës Krojmiri ka qenë njëra ndër qendrat më të forta të mobilizimit dhe strehimit të popullatës së zhvendosur. Në grykën e këtij fshati kanë mbijetuar rreth 30 mijë banorë nga fshatra dhe lokalitete të Drenicës dhe të mbarë Kosovës. Organizimi i UÇK-së në këtë fshat ka filluar në kohën e aktiviteteve luftarake të legjendarit Adem Jashari kundër forcave policore dhe ushtarake serbe.
Zymer Olluri me bashkëshorten e tij, Sabrijen, rritën katër bijë: Bislimin, Hasimin, Hashimin dhe Enverin, si dhe tri bija: Igballen, Valdeten dhe Sehadeten. Edhe pse në kushte dhe rrethana tejet të rënda ekonomike, Zymer Olluri me mund e vështirësi u krijoi kushte ekzistenciale bijve dhe bijave.
Enveri lindi më, 31 janar të vitit 1979. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa të mesmen në Shalë (ish-Sedllar), paralele e ndarë e Shkollës së mesme të Lypjanit. Ka qenë nxënës i zgjuar në mësime, i shoqërueshëm dhe i qetë.
Edhe pse i ri në moshë, në bisedë me bashkëmoshatarët, Enveri kishte hetuar se në vendlindjen e tij kishte pjesëtarë të UÇK-së. Këtë shqetësim të tij ia kishte shfaqur edhe vëllezërve, të cilët po ashtu kishin njohuri për zgjerimin e radhëve të çlirimtarëve në këto anë.
Në qershor të vitit 1998, kur luftëtarët e lirisë kishin hequr maskat, Enveri ishte ndër të parët që kishte kërkuar të inkuadrohet në radhët e UÇK-së. Ishte regjistruar në “Regjistrin e vullnetarëve”, i cili ndodhej në shtëpinë e Mehdi Qeriqit në Krojmir. Duke qenë se ishte i ri në moshë, ai fillimisht vepron në hapjen e transheve dhe përgatitjen e pozicioneve të luftës në Zborc e në Carralevë.
Ashtu sikur edhe shumë bashkëmoshatarë të tjerë, Enveri nuk ishte i kënaqur vetëm me punën që kryente në hapjen e istikameve dhe në punët rreth rregullimit të shkollës, e cila për një kohë do të shërbente për nevojat e pjesëtarëve të UÇK-së. Ai donte armën dhe uniformën e UÇK-së, për të luftuar kundër forcave policore e ushtarake serbe, të cilat po vrisnin dhe po masakronin popullatën civile. Gatishmëri për të luftuar kishin treguar edhe vëllezërit e tij, por as ata nuk kishin armë.
Asokohe mbante kontakte me luftëtarin e radhëve të para të kësaj ane: Halil Meta, tani dëshmor, me Isë Ollurin po ashtu dëshmorë dhe me luftëtarë të tjerë të pjesë lindore të fshatit Krojmir, që ndodhet rrëzë kompleksit pyjor të Blinajës.
Me rastin e ofensivave armike kundër Zborcit dhe pikave të Carralevës, Enveri ishte në mesin e vullnetarëve që ndihmonin luftën, kudo që e kërkonte nevoja.
Në fillim të nëntorit të vitit 1998, Enveri kishte arritur në radhë për të shkuar në Shqipëri, me qëllim për të marrë armë.
Më 2 nëntor, së bashku me Bashkim Krasniqin, Ramadan Elshanin, Isë Ollurin e Krojmirit, Arben Hysenin nga fshati Godanc, Xhelë Xheladini nga fshati Carralevë, Astrit Bytyçi nga Ferizaj, Enver Krasniqin, Xhavit Krasniqin, Naser Kelmendin nga fshati Karaçicë, e luftëtarë të tjerë nisen në drejtim të Shqipërisë. Nga Krojmiri janë nisur me traktor natën e 2 nëntorit, ndërkohë që janë vendosur në fshatin Ngucat, e prej andej në mënyrë të organizuar kanë depërtuar në Shqipëri. Këtij grupi të luftëtarëve për në Shqipëri i ka prirë Afrim Musliut nga fshati Belinc, i njohur për kalimin e kufirit dhe sjelljen e armatimit në zonat e luftës. Me të kishin shkuar luftëtarët e përmendur të Batalionit “Ruzhdi Salihu”, të Brigadës 121, “Ismet Jashari”- Kumanova. Në Shqipëri, kishin depërtuar kohë më parë për armatim edhe Mujë Krasniqi, Rifat Mëziu, Beqir Gashi, Gani Elshani dhe shumë luftëtarë të UÇK-së sidomos nga Drenica.
Dimri shumë i ashpër dhe kushtetet tejet të pavolitshme atmosferike kishin penguar kthimin në Kosovës të luftëtarëve të lirisë. Ata për një kohë kishin qëndruar në bazat e UÇK-së afër kufirit. Pasi që bora mbi Pashtrik vende-vende arrinte deri në dy metra, eprorët nuk kishin lejuar kthimin e grupit, derisa nuk krijoheshin kushte më të volitshme atmosferike dhe kushte të tjera të sigurisë. Vendimin për hyrjen e kontingjentit të armatosur në Kosovë, i cili përbëhej prej 143 luftëtarëve, e mori Mujë Krasniqi, komandant “Kapuçi”. Më, 13 dhjetor, ai kishte mbajtur një fjalim para luftëtarëve dhe kishte kërkuar që të mos niseshin në rrugë, ata që nuk ndiheshin mirë, ose që ishin të sëmurë, ose të tjerë që nuk mund ta përballonin rrugën për shkak të kushteve tejet të pavolitshme atmosferike. Luftëtarët e lirisë, të gatshëm për të luftuar me armikun kudo ku do të ndesheshin, vendosin që në orët e hershme të 14 dhjetorit të kalojnë kufiri, në majën e Gorozhupit. Në ballë të kolonës ishin: Mujë Krasniqi, Beqir Gashi, Rifat Mëziu, Gani Elshani, Vesel Aruqi, Luljetë Shala, e të tjerë. Rreth Afrim Musliut, ndodheshin kryesisht luftëtarët e Zonës së Neredimës, Rifat Mujota, Selim Selimi, Agni Musliu, Hysri Musliu e të tjerë, si dhe luftëtarët e Batalionit “Ruzhdi Salihu” ku bënte pjesë edhe Enver Olluri me disa bashkëluftëtarë. Ata po i kujtonin fjalët e komandant Mujë Krasniqit i cili kishte thënë: “Do të luftojmë, qoftë në kufi, qoftë brenda kufirit. Në luftë jemi dhe kthim prapa nuk ka!”.
Mëngjesi i 14 dhjetorit ishte tejet i acartë. Dëbora, vende-vende arrinte deri në një metër e gjysmë trashësi. Rruga ishte tepër e rrezikshme, meqë duhej depërtuar deri në 1600 metra lartësi, por trimat dhe trimëreshat e lirisë ishin mobilizuar rreth motos “kthim prapa nuk ka”. Enveri ndodhej së bashku me Bashkimin, Ramadanin, Isanë, e të tjerë. Ishte armatosur mirë, kishte kondicion dhe syri vërr nuk i bënte.
Forcat serbe, gjatë tërë natës kishin përcjellë dhe kishin vëzhguar me kujdes lëvizjet e luftëtarëve të UÇK-së. Ata kishin zënë të gjitha pritat e supozuara nga ku do të futeshin luftëtarët e UÇK-së. Sapo vërtetojnë se formacioni ishte futur në rreth, fillojnë sulmin mu në mes të kolonës, me qëllim për të krijuar panik dhe huti. Sulmi i rrufeshëm nga të gjitha llojet e armatimit, kishte goditur pandërprerë me breshëri mitralozash të rëndë dhe me minahedhës kalibrash të ndryshëm.
Shumë ushtarë të UÇK-së kishin rezistuar trimërisht, derisa kishin shpenzuar tërë municionin. Luftimet nuk ishin ndërprerë për disa orë. Disa nga luftëtarët kishin rënë, disa të tjerë ishin plagosur, disa kishin filluar të ngrinin nga acari dhe nuk lëviznin dot nëpër dëborë. Dhjtëra prej tyre ranë trimërisht.
Duke përshkruar luftimet dhe humbjet që kishin pësuar luftëtarët e lirisë, më 14 dhjetor në malet e Gorozhpit, Enver Krasniqi nga Karaçica e Drenicës, i cili ka shpëtuar me dhjetëra plagë në trup, në bisedën e zhvilluar me redaktorin e Radios-Kosova e lirë, Martin Çuni, më 27 janar të vitit 1999, ka përshkruar momente të asaj lufte shumë të pabarabartë. “Ramë në pritë. Megjithaë luftuam pa ndërprerë ballë për ballë forcave të armikut. Pasi disa prej nesh kishin rënë e shumë të tjerë ishim plagosur, ushtarët serbë na detyruan të qëndrojmë në dëborë me orë të tëra. Më pas edhe pse të plagosur rëndë, na detyruan t’i tërheqim bashkëluftëtarët e rënë deri te kampi i tyre, për të na ngarkuar pastaj të gjithëve në kamion”.
Atë ditë, kanë rënë në altarin e atdheut tre dëshmorë nga fshati Krojmir, Enver Zymer Olluri, Isë Adem Olluri dhe Qamil Hysni Olluri.
Kufomat e tyre ishin tërhequr nga Morgu i Prizrenit dhe më, 22 dhjetor 1998, së bashku me të rënët e tjerë, janë varrosur me nderime ushtarake, në Kompleksin e Varrezave, në fshatin Polac të Drenicës, ku eshtrat e tyre pushojnë në amshim.
Familja Olluri ka marrë “Mirënjohje” nga SHP i UÇK-së, nga Ministria e Mbrojtjes e Qeverisë së Përkohshme dhe nga shoqata e organizata të tjera të dala nga lufta. Emri i tij, së bashku me dëshmorët e tjerë të Krojmirit është skalitur në pllakën përkujtimore të fshatit, në oborrin e shkollës, aty ku Enveri, Qamili, Isa e Halili kishin mësuar për herë të parë Abetaren e gjuhës shqipe dhe ishin edukuar me frymën e lirisë, të trashëguar nëpër breza çlirimtarësh. (A. Q.)

Kontrolloni gjithashtu

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Dëshmori i kombit, Ilmi Aliu, u lind në Izbicë të Drenicës, në vjeshtën e vitit …