leoni

OVL-UÇK bënë të ditur se sot do të bëhet rivarrimi i dëshmorit të kombit Hysni Kajtazi në Ferizaj

Hysni Shaip Kajtazi (28.4.1979 – 14.12.1998)

Familja e Shaip Kajtazit e fshatit Tern të Ferizajt, çlirimit të Kosovës i ka dhënë dëshmorin Hysni Kajtazi dhe invalidin e luftës së UÇK-së, Zejnullah Kajtazi, i cili qe gjashtë vjet ndodhet për shërim në Francë. Vëllezërit Hysni e Zejnullah Kajtazi, me kohë iu kishin përgjigjur kushtrimit të Legjendarit Adem Jashari, që më 5, 6 dhe 7 mars të vitit 1998 me heroizëm e sakrificë e kishte shkruar me gjak historinë më të re të Kosovës. Gjatë luftës në radhët e UÇK-së ishte plagosur edhe Shemsi Bajrami, ndërsa pas luftës pësoi tragjikisht në një aksident, luftëtari veteran, Lulëzim Ramadani.
Bashkëshortët Shaip e Nazife Kajtazi lindën e rritën nëntë fëmijë: Hysniun, Zejnullahun, Agronin, Njaziun, Jetonin, Ardianin, Valbonën, Salihen dhe Valentinën.
Hysniu lindi më 28 prill të vitit 1979, në fshatin Tërn. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa shkollën e mesme e vijoi në Ferizaj. Në pranverë të vitit 1998, Hysniu, së bashku me të vëllain Zejnullahun ndodheshin në Ulqin, ku kishin shkuar për të punuar fizikisht me qëllim të ndihmimit të familjes. Ndërkohë, Zejnullahu me disa shokë nga treva e Drenicës, në fillim të verës së vitit 1998, nga Mali i Zi kishte depërtuar në Shqipëri. Atje ishin lajmëruar në pikat e mobilizimit dhe pasi kishin kryer stërvitjet ushtarake, ishin pajisur me armë, municion dhe uniforma të UÇK-së dhe kishin hyrë në frontet e luftës në Kosovë. Zejnullahu fillimisht ishte sistemuar në Brigadën 121 “Ismet Jashari-Kumanova”.
Në gusht të vitit, 1998, Hysni Kajtazi, së bashku me shokun e tij të shkollës, Besim Qarri nga fshati Luboc kishte shkuar në zonën e luftës në Jezerc. Një natë më parë iu kishte treguar prindërve për qëllimin që kishte për ta vizituat të vëllain, Zejnullahun. “E dija se Hysniu nuk po shkonte për ta parë të vëllain, por për t’iu bashkuar luftës, meqenëse nuk i zihej vendi-vend” –evokon i ati. Ndërsa e ëma, Nazifja kujton ditën kur ajo me bijtë e bijat po vilnin fasulen në arë, ndërkohë që Hysniu kishte marrë rrugën drejt malit, atje ku trimat e trimëreshat e UÇK-së po luftonin për çlirimin e Kosovës. Pak ditë para nisjen për në Shqipëri, ai kishte qëndruar një natë në familje dhe të nesërmen në mbrëmje, pasi ishte përshëndetur me të gjithë anëtarët e familjes, ishte nisur drejt maleve të Jezercit. Ishte nisur në rrugën e madhe të pakthim, drejt lirisë së Kosovës.
Në nëntor të vitit 1998, Hysni Kajtazi së bashku me Besim Qarrin, Agni Musliun, Selim Selimin, Hyzer Musliun, Rifat Mujotën, Kadri Ademajn, Fadil Rashitin, Idriz Hysenajn e të tjerë, nën komandën e Afrim Musliut u nis për në Shqipëri me qëllim për të marrë armë dhe municion.
Duke qenë se dimri ishte shumë i rëndë e i ashpër, me acar e dëborë, luftëtarët e lirisë kishin qëndruar afër një muaj në kazermat e Ushtrisë shqiptare dhe në bazat e UÇK-së afër kufirit.
Vendimin për hyrjen e grupit të luftëtarëve të armatosur në Kosovë, i cili përbëhej prej 143 luftëtarësh, e mori Mujë Krasniqi, komandant – “Kapuçi”. Më 13 dhjetor, ai kishte mbajtur një fjalim para luftëtarëve dhe kishte kërkuar që të mos niseshin në rrugë, ata që nuk ndiheshin mirë, ose që ishin sëmurë, apo të tjerë që nuk mund ta përballonin rrugën për shkak të kushteve tejet të pavolitshme atmosferike. Luftëtarët e lirisë, të gatshëm për të luftuar me armikun kudo ku do të ndesheshin, vendosin që në orët e hershme të 14 dhjetorit të kalojnë kufirin në majën e Gorozhupit. Në ballë të kolonës ishin Mujë Krasniqi, Beqir Gashi, Gani Elshani, Vesel Aruqi, Luljetë Shala, e të tjerë. Rreth Afrim Musliut, ndodheshin kryesisht luftëtarët e Zonës së Neredimes, Hysni Kajtazi, Selim Selimi, Agni Musliu, Hysri Musliu e të tjerë. Ata po i kujtonin fjalët e komandant Mujë Krasniqit i cili kishte thënë: “Do të luftojmë, qoftë në kufi, qoftë brenda kufirit. Në luftë jemi dhe kthim prapa nuk ka!”
Mëngjesi i 14 dhjetorit ishte tejet i acartë. Dëbora, vende-vende arrinte deri në një metër e gjysmë trashësi. Rruga ishte tepër e rrezikshme, meqë duhej depërtuar nëpër terrenin në lartësi mbidetare deri 1600 metra, por trimat dhe trimëreshat e lirisë ishin mobilizuar rreth motos “kthim prapa nuk ka”.
Forcat serbe, gjatë tërë natës kishin përcjellë dhe kishin vëzhguar me kujdes lëvizjet e luftëtarëve të UÇK-së. Ata kishin zënë të gjitha pritat e supozuara kah do të kalonin luftëtarët e lirisë. Sapo vërtetojnë se formacioni ishte futur në rreth, serbët fillojnë sulmin mu në mes të kolonës, me qëllim për të krijuar panik dhe huti. Sulmi i rrufeshëm nga të gjitha llojet e armatimit, kishte goditur pandërprerë. Shumë pjesëtar të UÇK-së kishin rezistuar trimërisht, derisa kishin shpenzuar tërë municionin. Luftimet nuk ishin ndërprerë për disa orë. Disa nga luftëtarët kishin rënë, disa të tjerë ishin plagosur, disa kishin filluar të ngrinin nga acari dhe nuk lëviznin dot nëpër dëborë. Dhjetëra prej tyre ranë trimërisht.
Duke përshkruar luftimet dhe humbjet që kishin pësuar luftëtarët e lirisë, më 14 dhjetor në malet e Gorozhpit, Enver Krasniqi nga fshati Karaçicë i cili ka shpëtuar me dhjetëra plagë në trup, në bisedën e zhvilluar me redaktorin e Radios-Kosova e lirë, Martin Çuni, më 27 janar të vitit 1999, ka përshkruar momente të asaj lufte shumë të pabarabartë. “Ramë në pritë. Megjithatë luftuam pa ndërprerë, ballë për ballë me trupat e armikut. Pasi disa prej nesh kishin rënë e shumë të tjerë ishim plagosur, ushtarët serbë na detyruan të qëndrojmë në dëborë me orë të tëra. Më pas edhe pse të plagosur rëndë, na detyruan t’i tërheqim bashkëluftëtarët e rënë deri te kampi i tyre për të na ngarkuar pastaj të gjithëve në kamion”.
Hysniu kishte rënë afër bashkëluftëtarëve të tij nga Zona Operative e Neredimes.
Duke sjellë në kujtesë ditën e parë, pasi Hysniu, kishte rënë dëshmor në kufi, babai i tij, Shaipi rikujton momentin kur një ditë më pas, në mëngjes kishte parë para derës së shtëpisë një patrullë të policisë serbe nga stacioni i Bablakut dhe Babushit serb, të Ferizajt. “Fillimisht mendova mos po na kontrollojnë, për shkak të bijëve që i kisha në luftë, por ata tre policë, më futën në veturë dhe pa kurrfarë paralajmërimi filluan të më godasin, në kohën kur njëri prej tyre ngiste veturën në drejtim të stacionit të policisë. Kërkova shpjegim për një sjellje të tillë të tyre, prandaj njëri prej tyre më tha: “Ta kemi vrarë djalin, të cilin nuk e ke mbajtur në shtëpi, por e ke dërguar në UÇK. “Çka ka lypë ai atje?” – tha. Edhe pse me fytyrë të përgjakur, meqenëse njëri prej milicëve më kishte lënduar në ballë, i thashë: “Përderisa ju po vini prej Serbisë dhe po na vrisni, ne nuk kemi kah t’ia mbajmë, veç të luftojmë!”. Kjo përgjigje i inatosi edhe më keq policët, por mua më erdhi një fuqi e madhe për ta përballuar lajmin për rënien e djalit. Pastaj pas shumë torturash, më dërguan në Stacionin e Policisë në Ferizaj, ku më urdhëruan të shkoj në Prizren, për ta marrë kufomën e djalit e për ta sjellë e për ta varrosur në varrezat e fshatit. U ktheva në shtëpi i lodhur, i dërrmuar dhe i përgjakur. Vëllai im, Kajtazi, duke më parë në atë gjendje nuk më la që të nesërmen të shkoja në Prizren, por ai mori një taksi dhe u nis drejt fshatit Krushë, ashtu siç kishin sugjeruar bashkëluftëtarët e djalit. Edhe xhaxhai i dëshmorit, Kajtaz Kajtazi kishte përjetuar dhunën e tmerrin e policisë serbe, prej kohës kur me një taksi ishte nisur në drejtim të Krushës, e deri në momentin kur me dhjetëra familjarë të tjerë, më 20 dhjetor të vitit 1998, 36 të rënët e identifikuar, të cilët kishin rënë gjashtë ditë më parë, në Pashtrik, i kishin varrosur në Varrezat e Dëshmorëve në fshatin Polac të Skënderajt. Disa dëshmorë të tjerë, në mesin e tyre edhe komandanti, Afrim Musliu, u zbuluan tre muaj më vonë, nën dëborë dhe u varrosën në Pashtrik.
Familja e dëshmorit Hysni Kajtazi ka marrë mirënjohje për djalin dëshmor nga SHP i UÇK-së, nga Ministria e Mbrojtjes e Qeverisë së Përkohshme dhe nga shoqatat e luftës së UÇK-së. Një rrugë në Ferizaj mban emrin e dëshmorit, Hysni Kajtazi. (A. Q.)

Kontrolloni gjithashtu

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Dëshmori i kombit, Ilmi Aliu, u lind në Izbicë të Drenicës, në vjeshtën e vitit …