Ndër luftëtarët emblematikë të UÇK-së, të cilët janë dalluar për përkushtim dhe aktivitet të jashtëzakonshëm luftarak, është edhe Afrim Islam Musliu nga fshati Belinc të komunës së Shtimes. Ai, me bashkëluftëtarin e tij, Nuhi Jakupi, i njohur si ‘Hoxha” prej majit deri në dhjetor të vitit 1998, 15 herë ka kaluar me sukses kufirin, që i ndante mespërmes trojet e Shqipërisë. Kishte sjellë armatim për shtabin e Rancës, Reçakut, të Kleçkës, të Junikut dhe të shtabeve të Zonës së Pashtrikut. Hapërimi i tij nga Kosova në Shqipëri dhe nga Shqipëria në Kosovë ishte kthyer në legjendë, gjatë kohës së luftës. Ai, me trimat e tij, kishte sjellë në frontet e luftës çlitimtare qindra armë, duke filluar nga kallashët e popullarizuar, uniformat me simbolin e UÇK-së, gulinovët, minahedhësit dhe topat pa n dridhje. Motoja: “Në mes të atdheut nuk duroj kufi”, të cilën e ka thurur poeti, i përshtatet më së miri hapërimit të tij marathonomak.
Afrim Musliu i takon një familjeje fshatare të Belincit, e njohur për traditë atdhetarie dhe rezistencë kundër pushtuesve. Lindi më 21 janar të vitit 1971. Shkollën fillore e kreu në fshatin Reçak. Dy vjet të shkollës së mesme i kreu në Shtime, ndërsa dy vitet e fundit në shkollën teknike në Ferizaj.
Në vitin 1991 e kishin rekrutuar dhunshëm në armatën jugosllave. Me rastin e shpërthimit të luftës në Kroaci, një oficer kroat, e ndihmon që ta braktisë armatën jugosllave, në një moment të caktuar. Oficeri kroat i siguron biletën e aeroplanit dhe Afrimi zbret pa pasoja, në Shkup, të ish-RJ të Maqdonisë. Nga atje kthehet në familje, e cila me të drejtë ishte brengosur për fatin e tij, sapo kishte filluar lufta në Kroaci.
I pakënaqur me lëvizjen pacifiste në Kosovë, ai qysh në fillim largohet nga LDK-ja dhe fillimisht i bashkohet Partisë Republikane, e cila kishte në program edhe rezistencën e armatosur. Ndërkohë Afrimi kupton se edhe kjo parti nuk ofronte asgjë më shumë përveç deklaratave boshe. Në mesin e shokëve heton bashkëmendimtarë të krahut çlirimtar. Mban kontakte me studentin, Driton Lajçi, të cilin e njihte nga koha kur kishin qenë së bashku në armatën jugosllave.
Merr pjesë aktive në demonstratën studentore të 1 tetorit të vitit 1997. Pas sulmit të dytë të forcave serbe në famijen Jashari në Prekaz, Afrim Musliu tashmë ishte në rrjedhë të orgnizimit ilegal të UÇK-së.
Në pranverën e vitit 1998, kontakton me Imer Alushanin, Shefket Muhadinin, Isak Musliun dhe trima të tjerë të cilët kishin zënë Grykën e Llapushnikut. Pa vonuar, së bashku me Imerin dhe Shefketin viziton familjen në Belinc.
“Vetëm Afrimi kishte mbetur në shtëpi. Unë së bashku me vëllezërit e mi, Emrushin, Agniun dhe Hakiun, ndodheshim në Zvicër”, – thotë Ragip Musliu, vëllai i dëshmorit, duke kujtuar pranverën e vitit 1998 dhe vazhdon: “Me rastin e rënies heroike të legjendarit Adem Jashari dhe të jasharëve të tjerë, unë u ktheva në Kosovë, me qëllim për të qenë afër familjes dhe për të ndihmuar luftën çlirimtare”.
Më 5 maj të vitit 1998, së bashku me Nuhi Jakupin – Hoxha, nga fshati Reçak, pastaj me Fadil Mujotën, Muhamet Mujotën, Muhamet Arifin, Bajrush Mujotën, Mehdi Korranin nga Pozharani e të tjerë, niset për në Shqipëri. Nga Shqipëria kthehet me një kontingjent të armëve, të cilat fillimisht i zbarkojnë te shtëpia e Nuhi Jakupit në Reçak. Ndërkohë armët shpërndahen për nevojat e luftës të ushtarëve të Zonës Operative të Neredimes, e cila ende nuk ishte konstituar, por ishin krijuar disa baza, si në Graiçec e Topillë, ku vepronte formacioni luftarak i Jetullah Çarrit, i njohur si komandant “Guri”, Shaqir Tërshani e të tjerë. Asokohe ishte krijuar edhe shtabi i Rancës, të cilin e komandonte luftëtari, Isak Musliu nga-Reçaku i njohur me emrin e luftës, Çerçizi.
Në qershor të po atij viti, Afrim Musliu, “Hoxha” e të tjerë sërish sulen për në Shqipëri. Radhët e UÇK-së po mbusheshin me vullnetarë, por nuk kishte armë. Arma dhe uniforma ishin dy artikuj, madje më të kërkuar se buka e uji. Gjatë asaj kohe Afrim Musliu me komandosët e tij zbarkon armë në Junik. Lufta kundër pushtuesit ishte e përbashkët, kudo në trojet e pushtuara të Kosovës nga forcat policore dhe ushtarake serbe, andaj dhe arma ishte e domosdoshme aty ku më parë paraqitej nevoja.
Herën e tretë të hapërirnit nëpër kufirin që e ndante mespërmes Kosovën dhe Shqipërinë, Afrimi me bashkëluftëtarë ndihmojnë për t’u futur në Kosovë edhe eprorë ushtarakë. Asokohe me grupin e Afrimit hyn në zonat e luftës, eprori Safet Syla, nga Reçaku.
Afrimi tashmë kishte bërë emër për zhdërvjelltësi dhe kalim të suksesshëm të kufirit. Asnjë nga bashkëluftëtarët nuk kishte pësuar. Kërkesat e luftës së UÇK -së për armë, ishin shumë më të mëdha, sesa mund të silleshin relisht armë në Kosovë. Për të vajtur në Shqipëri, dhe për të sjellë armë nga Shqipëria duhej kaluar afër postblloqeve armike, duhej luftuar, duhej eliminuar çdo pengesë, duhej ecur këmbë me ditë të tëra nëpër terrenet më të përthyera malore, madje deri në 1600 metra lartësi.
Shpeshherë luftëtarët e UÇK-së binin në pritë të forcave armike, të cilat kishin sjellë dhe barrikaduar mijëra ushtarë, në të gjitha pikat kufitare me Shqipërinë.
Afrimi nuk ndalonte. Hapërimi i tij historik nga Kosova në Shqipëri dhe nga Shqipëria në Kosovë, po kthehej në legjendë. Emri i tij lakohej si njëri ndër emrat e luftëtarëve më të suksesshëm, sidomos për të depërtuar nëpër ecejaket e shtigjet e rrezikshme të Pashtrikut, e të Shkëlzenit dhe gjithandej në malet e Junikut e të Koshares. Afrimi tashmë i kishte mësuar përmendsh të gjitha korridoret. Ai së bashku me komandosin tjetër, Nuhi Jakupin e Reçakut, tashmë kishte thyer të gjitha rekordet në drejtim të sjelljes së armatimit në Kosovë.
Rruga kryesisht bëhej këmbë, sidomos nëpër bjeshkët e Pashtrikut, por luftëtarët e lirisë ishin kalitur dhe ishin kthyer në maratonomakë të luftës së UÇK -së.
Deri në nëntor të vitit 1998, Afrim Musliu me Nuhi Jakupin dhe bashkëluftëtarët e tyre kishin kaluar kufirin 14 herë dhe asnjëherë nuk kishin pësuar. Ata po thyenin rekordet, ndërsa me armët e tyre zgjeroheshin pikat e UÇK -së në Zonën e Neredimës deri në Kaçanik e më larg.
Përveç armatimit e uniformave, që silleshin në Kosovë, grupi i Afrim Musliut kryente edhe detyra të tjera me përgjegjësi, sidomos në ndihmën që iu jepnin eprorëve për të kaluar me sukses dhe pa pasoja nëpër shtigjet e rrezikshme.
Nga muaji në muaj, Afrim Musliu me Nuhi Jakupin, Osman Musliun, kushëri r i tij, luftëtar i radhëve të para në këto anë, i cili ishte sistemuar në shtabin e Rancës dhe me ushtarë të tjerë, niset sërish për në Shqipëri. Kësaj radhe, grupin e tij e përbënin rreth 40 ushtarë të Zonës Operative të Neredimes. Në mesin e tyre ishin edhe Selim Selimi nga Belinci, Astrit Bytyçi, Hyser Musliu, Agni Musliu (vëllai i Afrimit), Rifat Mujota, Fadil Mujota i Mallapolcit, Idriz Hysenaj, Fadil Rashiti, Kadri Ademaj nga fshati Petrovë dhe shumë luftëtarë të tjerë të dalluar.
Po atë natë, më 2 nëntor 1998, grupit të Afrim Musliut iu kishin bashkuar edhe dhjetëra luftëtarë të batalionit “Ruzhdi Salihu”, të Brigadës 121, “Ismet Jashari – Kumanova”. Në mesin e tyre ishin Ramadan Elshani, nga Ngucati, Bashkim Krasniqi, nga Zllakuqani i Blinajës, Isa Olluri dhe Enver Olluri nga Krojmiri, Xheladin Xheladini, nga Carraleva, Arben Hyseni nga Godanci i Shtimes, Enver Krasniqi nga Karaçica e shumë të tjerë.
Në Shqipri kishin depërtuar kohë më parë për armatim edhe Mujë Krasniqi, Rifat Mëziu, Beqir Gashi, Gani Elshani dhe shumë luftëtarë të UÇK -së sidomos nga Drenica.
Dimri i ashpër dhe kushtetet tejet të pavolitshme atmosferike kishin penguar kthimin në Kosovës të luftëtarëve të lirisë. Pasi bora mbi Pashtrik vende-vende arrinte deri në dy metra, eprorët e UÇK-së nuk kishin lejuar kthimin e grupit, derisa nuk krijoheshin kushte më të volitshme atmosferike dhe kushte të tjera të sigurisë.
Vendimin për hyrjen e grupit të armatosur në Kosovë, i cili përbëhej prej 143 luftëtarësh, e mori Mujë Krasniqi, – komandant Kapuqi. Më 13 dhjetor ai kishte mbajtur një fjalim para luftëtarëve dhe kishte kërkuar që të mos niseshin në rrugë, ata që nuk ndiheshin mirë, ose që ishin sëmurë, ose të tjerë që nuk mund ta përballonin rrugën për shkak të kushteve tejet të pavolitshme atmosferike. Luftëtarët e lirisë, të gatshëm për të luftuar me armikun, kudo ku do të ndesheshin, vendosin që në orët e hershme të 14 dhjetorit të kalojnë kufirin në majen e Gorozhupit. Në ballë të kolonës ishin: Mujë Krasniqi, Beqir Gashi, Rifat Mëziu, Gani Elshani, Vesel Aruqi, Luljetë Shala, Hysen Bujupaj e të tjerë. Rreth Afrim Musliut, ndodheshin kryesisht luftëtarët e Zonës së Neredimës, Rifat Mujota, Selim Selimi, Agni Musliu, Hysri Musliu e të tjerë, të cilët po ashtu ishin nisur për të kaluar kufirin, të gatshëm për të luftuar me armikun, kudo ku mund të ndesheshin. Ata po i kujtonin fjalët e komandantit Mujë Krasniqit, i cili kishte thënë: “Do të luftojmë qoftë në kufi, qoftë brenda kufirit. Në luftë jemi dhe kthim prapa nuk ka!”
Mëngjesi i 14 dhjetorit ishte tejet i acartë. Dëbora, vende-vende arrinte deri në një metër e gjysmë trashësi. Rruga ishte tepër e rrezikshme, meqë duhej depërtuar deri në 1600 metra lartësi, por trimat e lirisë ishin mobilizuar rreth moto s “kthim prapa nuk ka”.
Forcat serbe kishin përcjellë dhe kishin vëzhguar me kujdes lëvizjet e luftëtarëve të UÇK -së. Ata kishin zënë të gjitha pritat e supozuara nga ku do të futeshin luftëtarët e UÇK -së. Sapo vërtetojnë se formacioni ishte futur në rreth, forcat serbe të pritës fillojë sulmin mu në mes të kolonës, me qëllim për të krijuar panik dhe huti. Sulmi i rrufeshëm nga të gjitha llojet e armatimit, kishte goditur pandërprerë me breshëri mitralozash të rëndë dhe me minahedhës kalibrash të ndryshëm.
Rreth Afrim Musliut, i cili e njihte më mirë terrenin meqë kishte kalur 15 herë kufirin, ishin tubuar Selim Selimi, Agni Musliu, Rifat Mujota, Hyser Musliu, Fadil Mujota, Kadri Ademaj, Baki Rashiti,Fadil Rashiti, Idriz Hysenaj e të tjerë. Në kohën kur fillon rrebeshi i armëve armike, Afrim Musliu i kishte tërhequr disa nga luftëtarët në një pozicion më të sigurt, brenda kufirit. Ndërkohë mëson se në mesin e grupit nuk ndodheshin vëllai Agniu, Hyzeri, Selimi e disa të tjerë, Afrimi, pa vonuar, nën breshërinë e predhave armike, kthehet me qëllim për të mësuar se ku kishin mbetur disa nga bashkëluftëtarët e tij. Në një moment kur ndodhej duke sogjetuar pranë një shkëmbi, breshëria e armës armike godet legjendën e sjelljes së armatimit, Afrim Musliu.
“Shumë ushtarë të UÇK -së kishin rezistuar trimërisht, derisa kishin shpenzuar tërë municionin”, – thotë Osman Musliu, i cili së bashku me disa luftëtarë të tjerë ndihmon tërheqjen e të plagosurve. Disa të tjerë ishin ngrirë nga të ftohtët dhe nuk lëviznin dot nëpër dëborë. Dhjetëra prej tyre ranë trimërisht. Kishte edhe shumë të plagosur, të cilët mezi arrinim t’i tërhiqni m, – vazhdon rrëfimin e tij të gjatë, Osmani, duke kujtuar ato momente tragjike dhe tejet të rënda për bashkëluftëtarët e tij.
Osman Musliu, së bashku me Nuhi Jakupin, bashkëluftëtarin e tyre nga Gllogjani, Mustafën, dhe një luftëtar tjetër nga Drenica, Samiun, si dhe tre shtetas shqiptarë, që ndihmonin në tërheqjen e armatimit, depërtojnë në pikat ku kishin mbetur luftëtarë të plagosur dhe të tjerë që po mërdhinin nga të ftohtët. Ata kishin arritur të tërheqin rreth 15 bashkëluftëtarë, të cilët i dërguan në fshatin Vlahne, ku iu është dhënë ndihma e parë, dhe ndërkohë janë dërguar në pikën mjekësore ushtarake të Krumës. Në ndihmë të ushtarëve të plagosur e të ngrirë nga të ftohtët kishin arritur edhe helikopterë të ushtrisë së Shqipërisë, të cilët me shpejtësi kishin dërguar të plagosurit në spitalin ushtarak të Tiranës.
Afrim Musliut, nuk iu kishte gjetur dot kufoma. Nuk ishte ditur as për Selim Selimin dhe disa luftëtarë të tjerë, të cilët të plagosur kishin mbetur në dëborë dhe ishin ngrirë nga acari.
Tre muaj më vonë, në mars të vitit 1999, luftëtarët e lirisë, të cilët sërish po parakalonin majat e Gorozhupit e të Pashtrikut, zbulojnë trupin e Afrim Musliut. Acari e kishte ruajtur kufomën e tij. Afrimi dukej sikur ishte ngrurtësuar përjetësisht, si sogjetar lirie, mu në pikën kufitare, nëpër të cilën kishte kaluar sa e sa herë, mu në gurët e kufirit. Edhe i rënë, i bënte roje nderi atdheut, të ndarë e të përgjysmuar. Aty ku kishte rënë, aty edhe e varrosin luftëtarët e UÇK -së.
Pas mbarimit të luftës, trupi i Afrim Muslit, dhe i Selim Selimit, nga bashkëluftëtarët dhe të afërmit e tyre janë sjellë në vendlindje, ku edhe janë varrosur me nderime, në Varrezat e Dëshmorëve të fshati Belinc, në një kodër afër Shtimes.
Afrimi ka lënë pas, Besartën dhe Ylberin, për të cilët kujdesen xhaxhallarët Ragipi, Emrushi, Agniu, Hakiu dhe halla, Hasimja.
Për jetën dhe veprën luftarake të Afrim Muslit janë botuar disa shkrime në shtypin ditor dhe periodik. Janë hartuar tekste këngësh, ndërsa i është ngritur edhe pllaka përkujtimore.
Familja Musliu ka marrë shumë mirënjohje për Afrimin, i cili lirisë së Kosovës ia dha mundin, djersën e më në fund edhe jetën. (A. Q)