Ali Halil Krasniqi (6.3.1977-14.12.1998)

Ali Halil Krasniqi (6.3.1977-14.12.1998)

Aliu ishte i katërti me radhë nga shtatë bijtë dhe pesë bijat e Halil Krasniqit. Lindi më 6 mars të vitit 1977 në fshatin Qabiq të komunës së Klinës. Shkollën fillore e kreu në fshatin Ujmir. Duke qenë se kishte talent për muzikë, babai, Halili, e regjistron në Shkollën e Mesme të Muzikës, në Prizren, të cilën e kryen me sukses.
Edhe pse i ri, ishte në dijeni të aktivitetit luftarak të vëllait Mujë Krasniqi, i cili, për shkak të karakterit të tij kryengritës dhe aktivitetit kundërvënës ndaj okupatorit, ishte bërë shënjestër e ndjekjeve nga forcat policore të Klinës. Kishte përjetuar edhe ndërhyrjet e policisë serbe në familje, me ç` rast ata para syve të tij rrahin brutalisht babanë e tij, Halilin, vëllanë Mujë Krasniqi dhe shokun e Mujës, Xhavit Shalën nga Ujmiri. Edhe Aliu, si shumë të rinj të tjerë liridashës të asaj kohe, brumoset me ide çlirimtare dhe urrejtje e mllef kundër forcave okupatore serbe.
Pasi kishte kryer shkollën e mesme të muzikës, drejtoria e shkollës në Ujmir i ofron vendin e punës, arsimtar i muzikës. Mirëpo asokohe kishte filluar lufta kundër pushtuesit dhe Ali Halil Krasniqi, në vend të ditarit, mori kallashnikovin, uniformën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe krahas vëllait e bashkëluftëtarëve të tjerë filloi luftën për çlirimin e Kosovës nga barbaria okupatore. Përveç vëllait Mujë Krasniqi, që ishte njëri ndër udhëheqësit kryesorë të luftës, radhëve çlirimtare iu bashkohen edhe dy vëllezër të tjerë të Aliut dhe të Mujës, Avniu dhe Afrimi.
Ka marrë pjesë në luftimet që janë zhvilluar ne vënien në rreth të Kijevës në qershor të vitit 1998. Po ashtu mori pjesë edhe në betejën e Dollcit më 25 korrik të po atij viti, në vijën e luftimeve, në fshatrat Dollc-Burim, së bashku me Mirush Dakën i mbiquajtur KORBI, pastaj Beqir Gashin, Halil Bytyçin, Kadri Demakun, Avni Krasniqin, (vëlla i tij), Halit Gashin, Agron Mirditën e shumë të tjerë.
Në gusht të vitit 1998, kur Tahir Zema kishte dorëzuar formacionet e luftës në frontet e Dukagjinit, duke urdhëruar ushtarët të linin armët dhe të iknin kush ku të mundej, Mujë Krasniqi i çon ndihmë ushtarake Ramush Haradinajt, meqë ai kishte mbetur me një grup trimash në vijat e frontit. Në mesin e luftëtarëve, që Muja i dërgon në Dukagjin, i pari ishte Aliu, vëllai i tij. Pas një kohe të shkurtër, luftëtarët e Dukagjinit rirreshtohen. Shumë nga ushtarët, të cilët kishin ikur nga hutia që kishte krijuar me veprimet e tij komandant Tahir Zema, nga Shqipëria u kthyen sërish në vijat e frontit në Dukagjin, ku kishin shkuar edhe sa e sa trima e trimëresha të Drenicës.
Në vjeshtë të vitit 1998, Zona Operative e Dukagjinit ishte ristrukturuar, ajo kishte rilindur si feniksi dhe brenda një kohe të shkurtër kishte shumëfishuar radhët.
Aliu, rrallë ndonjëherë ishte kthyer në Drenicë për t`i parë prindërit, vëllezërit e motrat, të cilët lufta i kishte katandisur sa në një vend, sa në vendin tjetër. Ishte luftëtar i shquar i komandant Ramushit dhe atje qëndroi deri në nëntor të vitit 1998, kur së bashku me disa luftëtarë të tjerë, me urdhër të komandës, shkon për të sjellë armatim dhe municion për frontet e luftës çlirimtare.
Gjatë asaj kohe luftëtarët e UÇK-së kishin bërë përpjekje të pareshtura për t`u kthyer në Kosovë, por të gjitha rrugët ishin zënë.
Më 13 dhjetor 1998, Mujë Krasniqi kërkon nga luftëtarët që të përgatiteshin në mënyrë që të nesërmen të fillonin depërtimin për në Kosovë. Ai iu kishte bërë me dije ushtarëve që nuk ndiheshin mirë, që ishin të sëmurë ose kishin probleme me shëndetin, të mos niseshin. Asnjëri nga radhët e luftëtarëve nuk ishte mëdyshur. Të nesërmen, më 14 dhjetor, kolona prej 143 luftëtarëve fillon depërtimin nëpër bjeshkët e Pashtrikut. Afër komandant Mujë Krasniqit, i cili printe në ballë të kolonës, ishte edhe vëllai i tij, Ali Krasniqi.
Me të filluar agu i parë i atij mëngjesi të acarit dimëror, derisa luftëtarët kishin marrë drejtimin e Lkeneve të Hasit, drejt bjeshkëve të Gorozhupit, në mesin e kolonës godet idhshëm granata armike. Forcat armike kishin dijeni për parakalimin e çlirimtarëve dhe gjatë natës kishin zënë të gjitha pritat. Aliu ndodhej afër Mujë Krasniqit, kur breshëria e armëve armike godet ballin e kolonës. Pas luftimeve ballë për ballë me forcat e pritës, bien trimërisht në altarin e atdheut: Mujë Krasniqi, Ali Krasniqi, Beqir Gashi, Rifat Mëziu dhe shumë luftëtarë të tjerë nga shumë vende të Drenicës, Dukagjinit dhe të mbarë Kosovës. Një pjesë e luftëtarëve kishte arritur të tërhiqej prapa, një pjesë tjetër kishte mbetur në dëborë në kushte rrethimi. Kishin rënë 35 dëshmorë së bashku me komandantin e tyre Mujë Krasniqi, nëntë të tjerë u zunë robër. Më vonë, sipas marrëveshjes që kishte arritur Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës me armatën okupatore jugosllave, me ndërmjetësim të autoriteteve të verifikuesve të OSBE-së, të zënët gjallë në Gorozhup u shkëmbyen me tetë oficerë serbë, të cilët i kishin zënë robër luftëtarët e Shalës.
Më 21 dhjetor të vitit 1998, trupat e dëshmorëve të rënë në kufi, me nderime ushtarake, në prani të bashkëluftëtarëve, të familjarëve dhe të shumë liridashësve nga mbarë Kosova, varrosen në Varrezat e Dëshmorëve në fshatin Polac të Drenicës. Në ato varreza prehet në amshueshmëri edhe dëshmori 21-vjeçar, Ali Halil Krasniqi.
Aliu ka lënë prindërit- babë Halilin dhe nënë Shehiden, vëllezërit: Ajetin, Mustafën, Avniun, Afrimin dhe Kujtimin si dhe motrat: Salën, Ganimeten, Mihanen, Shehrien dhe Serveten.
Në nderim dhe përkujtim të veprës së tij heroike, Shtabi i Përgjithshëm i TMK-së familjes së dëshmorit Ali Krasniqi i ka dhënë “Mirënjohje”. Po kështu, Mirënjohje i kanë dhënë edhe Ministria e Mbrojtjes e Qeverisë së Përkohshme të Kosovës dhe Kuvendi Komunal i Klinës. (A. Q.)

Kontrolloni gjithashtu

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Dëshmori i kombit, Ilmi Aliu, u lind në Izbicë të Drenicës, në vjeshtën e vitit …