Në 19-vjetorin e rënies përkujtohet komandant Mujë Krasniqi, 40 dëshmorët e Pashtrikut dhe 180 dëshmorët e Brigadës 113

Mujë Halil Krasniqi (6.6.1967-14.12.1998)

Njëri ndër projektuesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, luftëtar i radhëve të para të kësaj ushtrie, koordinues i veprimeve luftarake, dhe ndihmës reciproke në mes të Drenicës, Dukagjinit e Pashtrikut, në etapën e parë të zgjerimet të veprimeve të fshehta kundër pushtuesit, shok lufte i legjendarit Adem Jashari, komandant emblematik i luftës për liri, ishte Mujë Krasniqi. Ai i përket bërthamës së parë militante të trimave të legjendarit Adem Jashari.
Mujë Krasniqi lindi më 6 qershor të vitit 1967, në fshatin Qabiq të komunës së Klinës. Ishte djalë i Halil Ajet Krasniqit, i cili në bashkëshortësi me Shehide Selimin nga Açareva, edhe pse në kushte të rënda dhe tejet të vështira ekzistenciale, ngriti familjen e tij 14 anëtarëshe me shtatë bij e pesë bija.
Muja shkollën fillore e kreu në fshatin Ujmir. Ishte katërmbëdhjetëvjeçar kur filluan demonstratat e rinisë militante të marsit dhe të prillit të vitit 1981. Që në moshën e tij të njomë kishte përjetuar padrejtësitë shoqërore që iu bëheshin shqiptarëve, të cilët kërkonin liri dhe barazi me popujt e tjerë, por sa më shumë që kërkonin të drejtën e tyre aq më shumë shtypeshin, torturoheshin e martirizoheshin. Gjatë viteve 1983-1986 i ndoqi mësimet në Gjimnazin e Kijevës. Pati fat ta kishte profesoreshë të gjuhës shqipe veprimtaren militante, Xhevë Avdyl Krasniqi (tani dëshmore), e cila i edukonte brezat e çlirimtarëve të ardhshëm me ideale atdhetare.
Natyra i kishte falur shtat të hedhur, ndërsa për t`u kalitur dhe për të fituar kondicion dhe forcë fizike, ushtronte pandërprerë. Mllefin e tij kryengritës e kishte drejtuar kundër shkelësve të atdheut dhe bashkëpunëtorëve, të cilët me përkulje iu shërbenin uzurpatorëve jugosllavë. Ishte në moshë të re kur identifikohet nga njerëzit e regjimit si element rebelues.
Grushti i parë i milicit e kishte sfiduar në brendi të shpirtit karakterin kryengritës të Mujë Krasniqit. Ai, jo vetëm që nuk u dorëzua në ndeshjen e parë drastike dhe krejtësisht të padrejtë, por mori hov për të gjurmuar shtigje, që çonin drejt kundërvënies së organizuar.
Për shkak të kundërvajtjeve të tij të shpeshta, që binin ndesh me ligjet robëruese, policët fillojnë të ndërhyjnë edhe në familjen e tij. Më 13 janar të vitit 1994, milicët rrethojnë shtëpinë e Halil Krasniqit, futen brendë dhe kërkojnë nga ai të mësojnë se ku ndodhej djali i tij, Muja. Halili nuk tregon se ku ndodhej i biri i tij, ndërsa policët e torturojnë mizorisht në prani të familjes, në prani të bashkëshortes dhe të fëmijëve të mitur. Ata e torturojnë edhe vëllanë e Mujës, Avniun, asokohe 13-vjeçar. Të nesërmen, policët, me rroba civile, lënë veturën e tipit “Jugo” në hyrje të fshatit dhe pyesin kalimtarët e rastit se mos dinin ku ndodhej i riu që quhej, Mujë Halil Krasniqi. Më vonë ata dhe policë të tjerë sërish futen në oborrin e Halil Krasniqit. Edhe pse e torturojnë babanë, Halilin, ai nuk tregon se ku ishte djali, por ndërkohë ata e zënë Mujën dhe shokun e tij, Xhavit Shala, nga Ujmiri. I rrahin brenda në odë derisa gjaku iu kishte pëlcitur nga goja. Ashtu të rrahur i fusin në veturën e policisë, duke i kërcënuar në prani të familjes se do t`i zhdukin.
Gjatë asaj periudhe kohore, policët kishin në shënjestër çdo lëvizje të Mujës dhe ai detyrohet të fillojë jetën ilegale. Mbante kontakte me Hamëz dhe Adem Jasharin, me Sylejman Selimin e Rexhep Selimin, që ishin djem të dajës, me Abedin Rexhën, pastaj me Adrian Krasniqin, Luan Haradinajn, Zahir Pajazitin e shumë të tjerë. Muja me bashkëluftëtarë tanimë kryente aksione të organizuara kundër postave policore dhe postblloqeve të policisë okupatore.
Me qëllim të zgjerimit të radhëve çlirimtare, ai disa herë kalon kufirin me bashkëluftëtarët e tij me qëllim që të sjellë në Kosovë armatim dhe municion.
Më 16 tetor të vitit 1997, Mujë Krasniqi, së bashku me Adrian Krasniqin nga Vranoci i Pejës, me Ilir Konushevcin dhe Qerim Kelmendin, në orët e natës, sulmojnë stacionin policor serb në fshatin Kliçinë të komunës së Pejës. Pas shkëmbimit të zjarrit të ashpër me forcat policore serbe, Adrian Krasniqi bie në altarin e atdheut, ndërsa Muja me Ilirin dhe Qerimin arrijnë të tërhiqen.
Më 28 nëntor të vitit 1997, me rastin e varrimit të trupit të dëshmorit Halit Geci nga Llausha, Mujë Krasniqi, Daut Haradinaj dhe Rexhep Selimi dalin publikisht para dhjetëra mijëra qytetarëve në varrim dhe shpalosin programin militant të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Në periudhën kohore prej nëntorit të vitit 1997 e deri në qershor të vitit 1998, Mujë Krasniqi vepron në Drenicë dhe në Dukagjin, meqë ishte ndërlidhja më besnike dhe më e fuqishme në krijimin e korridoreve ilegale për të sjellë armatim dhe për të zgjeruar radhët e luftëtarëve të lirisë.
Me iniciativën e Mujë Krasniqit ishte formuar njësiti luftarak ALFA, ku përveç tij bënin pjesë edhe disa nga luftëtarët më të dalluar të UÇK-së si: Bekim Berisha, Rasim Kiçina, Ferid Berisha i mbiquajtur Shkupi, Bekim Mala-Murrizi, Bekim Shyti e të tjerë.
Në një aksion që kishte ndërmarrë në fshatin Kopiliq, Mujë Krasniqi së bashku me Bedri Gashin dhe disa luftëtarë të tjerë shpartallojnë një grup paramilitarësh serbë dhe tërhiqen pa humbje. Më 16 prill të vitit 1998, Mujë Krasniqi plagoset rëndë. Bashkëluftëtarët Rasim Kiçina, Bedri Gashi dhe Naser Gashi e dërgojnë në spitalin ushtarak të Likocit, pasiqë mjeku Pashk Buzhala nga Qabiqi i kishte dhënë ndihmën e parë, por nuk kishte mundësi e mjete për trajtim adekuat mjekësor. Me sugjerimin e komandant Rexhep Selimit vihet kontakt me Elmi Krasniqin, një kushëri i Mujës, teknik medicinal, i verbër, por që punonte në Prishtinë, i cili lajmëron mjekët: Shpëtim Robaj, Ali Zatriqi dhe Lutfi Dervishi. Më 27 prill, në intervenim kirurgjik në plagën e Mujë Krasniqit marrin pjesë mjekët: Ali Zatriqi, Hasan Ahmeti, Tefta Ahmeti, Adem Rrusta e të tjerë. Në intervenimin e dytë kirurgjik, më 13 maj, marrin pjesë mjekët: Shpëtim Robaj, Riza Binishi, Fadil Beka e të tjerë.
Ende pa u shëruar mirë, në qershor të vitit 1998, Mujë Krasniqi me shokë vë në rrethim Kijevën, ku kishin mbetur të ngujuar shumë ushtarë dhe policë serbë. Pastaj barrikadon rrugën e asfaltuar në vendin e quajtur Gryka e Kullës në Dollc. Më 18 qershor, njësit luftarak GRANITI në fshatin Gllarevë kryen një aksion të fuqishëm kundër trupave policore serbe. Pa vonuar forcat serbe marrin përforcime dhe fillojnë luftimet fyt për fyt, në distancë 20-30 metra. Në luftime kundër bandave serbe dallohen Sahit Jashari nga Prekazi, Mirush Daka, Besim Morina e luftëtarë të tjerë të UÇK-së. Mjetet serbe të informimit kishin pranuar humbjet dhe kishin paralajmëruar ndeshje të reja.
Më 3 korrik, gjatë luftimeve në Dollc bie dëshmor Muhamet Haxhaj nga Qëndresa, (ish-fshati Gllarevë) Mujë Krasniqi me bashkëluftëtarët e tij, më 25 korrik zë pritë te Gryka e Kullës në Dollc, ku u zhvillua njëra ndër betejat më të forta gjatë ofensivës së verës të vitit 1998. Te vendi ku kishte rënë dëshmor Muhamet Haxhaj, Mujë Krasniqi vret një oficer të lartë të ushtrisë serbe. Luftëtarët e tij, Ali Gashi dhe vëllai i Mujës, Avni Krasniqi dogjen tanksin serb nga afërsia, me benzinë. Luftëtarët e lirisë kishin goditur forcat serbe të cilave iu kishin shkaktuar humbje të mëdha. Këto humbje i ka pranuar botërisht edhe shtypi serb, edhe pse kontrollohej rigorozisht nga kryekrimineli Milosheviq.
Më 28 korrik, në vendin e quajtur Fusha e Madhe mbi Siçevë, në luftë kundër forcave serbe, Mujë Krasniqi sërish plagoset. Nga vendluftimi arrin ta tërheqë bashkëluftëtari, Izet Milazimaj.
Më 2 gusht të vitit 1998, meqë ishte i plagosur, ndodhej në shërim në shtëpinë e tij në Qabiq. Atë ditë forcat serbe kishin mësyrë Qabiqin, fshatarët dhe tërë familja e Halil Krasniqit tërhiqen në drejtim të malit. Bashkëluftëtarët e bartin në shpinë Mujë Krasniqin të plagosur, të cilin e strehojnë në mal, përballë Abrisë, në një vend të sigurt.
Në shërimin e plagëve të luftës, që kishte marrë Mujë Krasniqi, duke luftuar ballë për ballë forcave serbe, kanë marrë pjesë mjekët: Shpëtim Robaj, Riza Binishi, Isuf Telaku e të tjerë. Gjatë asaj kohe Muja ishte i shtrirë në Spitalin Ushtarak të Likocit. Kohë pas kohe e vizitonin edhe eprorët: Musë Jashari, Sahit Jashari, Sami Lushtaku, Ilaz Dërguti, Sylejman Selimi, Rexhep Selimi, Shaban Shala e të tjerë.
Komandanti emblematik i UÇK-së, Mujë Krasniqi, përveç krismës së armës çlirimtare, i dashuronte edhe këngët e lirisë, të cilat i këndonte me afsh shpirtëror së bashku me mikun dhe bashkëluftëtarin e tij Beqë Sefë Gashi nga fshati Mleçan, me Rexhep Selimin e me këngëtarë të tjerë, luftëtarë lirie. Në zjarrin e luftës çlirimtare, trimat e legjendarit Adem Jashari këndonin këngë atdhetare, edhe nën breshërinë e granatave të armikut. Në frontet e luftës ai këndonte këngën e mallit për bashkëluftëtarin Luan Haradinaj, për krushqit e lirisë së Kosovës, për krushqit e Dardanit, për Shotë e Azem Galicën, për legjendarin Adem Jashari, për tri shkronjat e arta qëndisur në kraharor të luftëtarëve të lirisë. Jehona e zërit të tij melodik e shoqëruar nga miku i tij rapsod dhe bashkëluftëtar Beqir Gashi, njësohej me jehonën e krismave të lirisë, duke iu dhënë hove frymëzimi luftëtarëve ndër beteja deri në fitore.
Plumbi kundër armikut dhe kënga e lirisë ishin bërë një, sepse luftëtarët e UÇK-së ishin nisur në rrugën e madhe të historisë, për ta çliruar Kosovën dhe për ta nderuar Shqipërinë, do të thoshte daja dhe bashkëluftëtari më i ngushtë i tij, Rexhep Selimi, i njohur si komandant 10-shi. Ashtu si gjithnjë, ende pa u shëruar mirë, Mujë Krasniqi përballet me sfida edhe më të rënda.
Më 22 shtator të vitit 1998, forcat serbe ndërmarrin një ofensivë në shkallë të gjerë kundër të gjitha pozicioneve luftarake të Zonës Operative të Drenicës. Komandantët emblematikë: Mujë Krasniqi, Sami Lushtaku, Rasim Kiçina, Sylejman Selimi, Rexhep Selimi, Ilaz Dërguti, komandonin në pikat e luftës në Drenicën Qendrore, ndërsa Fehmi Lladrovci, Xhevë Krasniqi-Lladrovci, Sabit Lladrovci, Asllan Fazliu, komandonin në pikat e luftës në Qyqavicë. Edhe pse qëndresa e dragojve të Shqipërisë, e bashkëluftëtarëve të Adem e Hamëz Jasharit, ishte tejet heroike, forcat e panumërta serbe, me njësi të shumta të motorizuara, me armatim të rëndë dhe me mijëra ushtarë, arrijnë të depërtojnë në disa pozicione të luftës në Drenicë, por në asnjë vend nuk ndihen të sigurt. Ata më 27 shtator masakruan 26 pjesëtarë të familjes Deliu në Abri, duke treguar barbarinë dhe mllefin e tyre meqë nuk arritën ta mposhtin rezistencën.
Pasi që plagët e luftës nuk po i shëroheshin, bashkëluftëtarët parapëlqejnë që Muja të shkojë në Shqipëri për t`u shëruar dhe në të njëjtën kohë për t’u prirë në krye luftëtarëve të UÇK-së.
Në nëntor të vitit 1998, Mujë Krasniqi, miku dhe shoku i luftës Beqë Gashi, vëllai Ali Krasniqi, pastaj Rifat Mëziu, profesor i fizikës nga fshati Marinë, Afrim Musliu nga Belinci, Rifat Mujota nga Mollapolci, Gani Elshani, profesor nga Drenica, Vesel Aruqi nga Rezalla, si dhe shumë trimëresha e trima të tjerë nga zonat e luftimeve, depërtojnë me sukses në Shqipëri, për të marrë armatim dhe municion për nevojat e luftës në Kosovë. Mujë Krasniqi nga Shtabi i Përgjithshëm ishte caktuar komandant përgjegjës i formacionit luftarak, që kishte depërtuar me sukses në Shqipëri, meqë ai i kishte mësuar përmendsh ecejaket e lirisë nëpër bjeshkët e Pashtrikut, të Shkëlzenit dhe të Junikut.
Dimri dhe dëbora i kishte mbuluar malet e Pashtrikut. Rrugët ishin zënë, ndërsa në frontet e luftës ndihej mungesë e armatimit. Mujë Krasniqi ndiente thellë në shpirt përgjegjësinë që kishte për luftën, për bashkëluftëtarët që kishin mbetur pa municion përballë hordhive gjakatare serbe, të cilat, nga frika për të luftuar ballë për ballë luftëtarëve të lirisë, vrisnin e masakronin gra e fëmijë.
Ditën e 13 dhjetorit të dimrit të acartë të vitit 1998, Mujë Krasniqi kishte ndarë mendjen për të çarë kufirin dhe për t`u futur në Kosovë. Atë ditë, para bashkëluftëtarëve kishte mbajtur një fjalë rasti. Kishte kërkuar nga luftëtarët që të gjithë ata që mendonin se nuk do të mund ta përballonin futjen në Kosovë në rrethana të tilla, të mos niseshin, por të prisnin radhën tjetër. Kishte kërkuar nga ata që ishin sëmurë apo të plagosur të mos niseshin. Të njëjtat fjalë ua kishte përsëritur bashkëluftëtarëve edhe profesori luftëtar, Rifat Mëziu, shpjegon luftëtari Vesel Aruçi nga Rezalla, i quajtur Rambo. Mirëpo trimat dhe trimëreshat e Kosovës, nuk ishin mëdyshur. Rrugën për të kaluar nëpër bjeshkët e larta 1700 metra të Pashtrikut, nëpër dëborën, që vende-vende arrinte deri në 2 metra, e kishin marrë 143 luftëtarë, të cilëve në ballë iu printe Mujë Krasniqi, apo komandant Kapuqi, siç e quanin bashkëluftëtarët. Disa nga bashkëluftëtarët kishin marrë informata se forcat serbe i kishin zënë shtigjet, ndërsa dëbora po ashtu kishte zënë disa shtigje të tjera, ku nuk arrinte këmba e armikut. Muja kishte vendosur. Kudo ku ta takojmë serbin, do të luftojmë, qoftë në kufi, qoftë brenda kufirit në frontet e luftës. Në luftë jemi dhe kthim prapa nuk ka. Fjala e tij ishte aprovuar nga të gjithë.
Në mëngjesin e acartë të dimrit në Pashtrik, në relacionin Lkenet e Hasit-Gorozhup, me të rënë agu i parë mëngjesor, forcat serbe, të cilat paraprakisht kishin zënë pritë, godasin mu në mes të kolonës, me qëllim të krijimit të hutisë. Lufta nis nga të tri anët ku ishin pozicionuar forcat armike. Luftimet zhvillohen fyt për fyt me forcat ushtarake e policore serbe, thotë luftëtari Vesel Aruçi nga Rezalla, i cili ndodhej në radhët e para. Breshëria e armës armike kishte përshkuar trupin e Mujë Krasniqit, të Beqir Gashit, Ali Krasniqit, Rifat Mëziut dhe të 32 luftëtarëve të tjerë të lirisë. Disa prej tyre kishin mbetur në dëborë dhe ishin ngrirë. Disa të tjerë ishin plagosur. Nëntë prej tyre, shumica të plagosur dhe gati të ngrirë nga acari, ishin zënë robër nga forcat armike. Edhe forcat armike kishin pësuar humbje të konsiderueshme në njerëz.
Më 21 dhjetor të vitit 1998, trupat e 35 dëshmorëve, tok me Mujë Krasniqin, bashkëluftëtarët i varrosin në Polac të Drenicës, me nderime ushtarake. Nëntë të zënët robër dërgohen në burgun e Nishit, të cilët më pas shkëmbehen me tetë oficerë serbë, që i kishin zënë në pritë luftëtarët e Shalës.
Rënia e Mujë Krasniqit dhe e disa trimave të tjerë të elitës luftarake të UÇK-së, më 14 dhjetor të vitit 1998, edhe pse ishte goditje e hidhur për luftën tonë çlirimtare, ajo nxiti edhe më tej pezmin dhe urrejtjen kundër barbarisë serbe.
Muja, nuk ka qenë i martuar. Ai ka lënë babë Halilin dhe nënën Shehide, vëllezërit: Ajetin, Mustafën, Avniun, Afrimin dhe Kujtimin, motrat: Salën, Ganimeten, Mihanen, Shehrien dhe Serveten.
Në nderim të jetës dhe heroizmit të Mujë Krasniqit janë dhënë mirënjohje nga Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së, nga Ministria e Mbrojtjes e QPK-së, nga Kuvendi Komunal i Klinës dhe nga institucione të tjera. Pas rënies, në nderim të veprës së tij, Brigada 113 e Drenicës merr emrin e Mujë Krasniqit. Në nderim të ditëlindjes së tij, për çdo vit në qendër të Klinës mbahet festivali tradicional folklorik “I këndojmë lirisë”. Sheshi i qytetit të Klinës, që dikur ishte simbol gënjeshtre, tani mban emrin e dëshmorit, emrin e heroit, Mujë Krasniqi. Po kështu, Brigada 313 e TMK-së në Skënderaj mban emrin e Mujë Krasniqit.
Për Mujë Krasniqin është botuar monografia Mujë Krasniqi një jetë për liri, shkruar nga bashkëluftëtari, Bedri Gashi. Janë botuar edhe shkrime të ndyshme, janë thurur poezi nga poetët dhe nga këngëtarët i këndohen këngë të ndryshme të lirisë. Janë ruajtur edhe disa këngë, të cilat i ka kënduar me bashkëluftëtarin dhe mikun e tij, Beqir Gashi.
Vepra e Mujë Krasniqit do të jetë përherë burim frymëzimi për brezat liridashës. (A. Q.)

Kontrolloni gjithashtu

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Dëshmori i kombit, Ilmi Aliu, u lind në Izbicë të Drenicës, në vjeshtën e vitit …