Ndërsa në fshatin Krushë e Madhe të Anadrinit, kamionetat parkoheshin para selisë së improvizuar të shtabit të Brigadës 124 “Gani Paçarizi” të Zonës Operative të Pashtrikut, trupat e pajetë të “Eshalonit të Mujë Krasniqit” arrinin në fshat për t’u përcjellur kah amshimi, kah pavdekësia, kah përjetësia, kah madhështia e sublimja, forcat serbe të thërmuara, të shkatërruara e të humbura nëpër humnerat, lugjet, thepat dhe hurdhat e Pashtrikut, shpurdhnin këtej e andej Drinit të Bardhë. I tërë Anadrini mblidhej në vendin prej nga do të nisej kortezhi kah Palaci i Skënderajt e për në “Kodrën e Kuqe” kurse strategët e Pavkoviqit hartojnë edhe një plan sipas të cilit bandat serboçetnike edhe njëherë duhej që të depërtojnë kah Gllogjani dhe të rrethohet kulla e qëndresës, definitivisht të thërmohen “Djemtë e Dukagjinit” dhe kështu të skuqej dëbora e bardhë e atij “Dhjetori të Zjarrtë” për Drenicën e Adem Jasharit, për Dukagjinin e Luan Haradinajt e për Llapashticën e Zahir Pajazitit, dhjetor i Dominik Përgegës, Valon Malës, Lulëzim Jasharit, Avni Selmanit, Bajram Muratit, Fatmir Selmanit, Isa Havollit, Ismet Durgutit, Jetullah Kastratit, Remzi Demollit, Miftar e Skënder Zejnullahut dhe Ibrahim Shabanit nga Gjakova, Gllamniku, Llapashtica, Braina, Batllava, Obrança e Përpellaci, që ranë në Gllogjan, në Obrançë, në Gllamnik e në “Tabet e Llapashticës” gjatë luftimeve të rrufeshme kundër kanibalëve karpatoidë, më 17, 20, 24, 27 e 29 dhjetor të atij viti 1998.
Në çdo aspekt të vështrimit të ngjarjeve tronditëse dhe të rënieve për sublimen, në rrafshin estetik të ideales mbi realen dhe mbi të mundshmen, që dukej e pamundshme, një fragment të së madhërishmes, sajojnë dy djelmosha nga Gjakova që ende, si Naimi e Pashko Vasa, thithnin gjinjtë e një nëne dhe ranë porsa i kishin mbushur nga gjashtëmbëdhjetë pranvera; Dominik Tush Përgega e Valon Hamdi Mala, të dytë nga Gjakova e Eltonit, Yllit dhe Përmetit, rënë në Gllogjanin e moshatarit të Tyre, aty ku ra Himë Haradinaj më 24 mars të atij viti të zjarrtë 1998.
Dëshmori ndër më të rinjtë të këtij kombi, Dominiku i Tush Përgegës nga Gjakova, është i lindur më 4 maj të vitit 1982. Shkollën fillore e mbaroi në Gjakovë, kurse të mesmen dëshironte ta përfundojë nëpër malet e “Rrafshit të Dukagjinit”, andaj në vitet kur e kishte ende stinën për të lozur me mocanikët, Miki i Tushit të Gjakovës e “Picimuli” i Gllogjanit, u bashkohet luftëtarëve të lirisë në Brigadën 131 “Jusuf Gërvalla” të Zonës Operative të Rrafshit të Dukagjinit, duke ëndërruar që të rritet në male si Adem Jashari, të bëhet trim si Luani dhe ta vazhdojë aty ku ia kishte lënë amanetin Hima me Gazmendin dhe Agronin. Veprimtaria e Mikit nuk ishte e gjatë sepse edhe jeta – njerkë nuk i pati premtuar më shumë; prandaj edhe bëri përpjekje mbinjerëzore që ta shfrytëzojë çdo moment për përgatitjen fizike dhe për njohjen e terrenit në zonën e përgjegjësisë të cilën e kontrollonte Brigada 131 “Jusuf Gërvalla” që drejtohej nga Shkëlzen Hilmi Haradinaj, sot në përjetësi pranë vëllezërve, Luanit e Enverit. Në Gllogjan, ky çun Gjakove kaloi ditët më të guximshme; i realizohet ëndrra rinore që të jetë në mesin e luftëtarëve të lirisë, që ta ketë pushkën në grykën e të cilës shihte forcën e shpëtimit kombëtar dhe të bashkimit, ëndërr që edhe vetë të bëhet ushtar dhe u bë. Sapo i kishte mbaruar stërvitjet e para me instruktorët e Zonës Operative të Rrafshit të Dukagjinit e të Brigadës 131 “Jusuf Gërvalla”, dhe asnjë hap nuk e bënte pa çapkënin tjetër nga Gjakova me të cilin ishte rritur rrëzë “Çabratit Krenar”, nuk e bënte pa Valon Hamdi Malën.
Duke mbajtur parasysh moshën e Mikit, xha Tushi e nëna Vera, në familje mendonin se Dominiku është diku me Valonin apo nëpër të afërmit, por ëndrrat ia dëftuan se atyre ditëve të dhjetorit Miki i saj e Loni i nënë – Sabrisë ishin betuar se do të qëndrojnë si burra deri në çlirimin e Kosovës, dhe u bind kjo nënë shqiptare se i biri, në atë moshë e kishte kuptuar se çlirimi nga okupatori është detyrë parësore prandaj edhe i kishte braktisur bankat shkollore, i kishte këmbyer librat me armët. Kështu mendonin atyre viteve nxënësit e shkollave të mesme, studentët dhe profesorët të cilët më shumë e deshën malin se klasën, më shumë e deshën frontin sesa amfiteatrin. Edhe Dominik Përgegaj kështu e kuptoi altruizmin e bijëve më të devotshëm të kombit të cilët me kohë iu bashkuan Jasharajve dhe Haradinajve.
Dëshmori i ri, Dominiku i Gjakovës, më 6 dhjetor të vitit 1998 del në pozicionet e para. Sistemohet në Brigadën 131 “Jusuf Gërvalla” të cilën e drejtonte Shkëlzen Haradinaj, sot dëshmor i kombit, ndriçues me rreze lirie në Pejën e Haxhi Zekës e të Skënder Çekut.
Në betejën e 17 dhjetorit, komandant Shkëlzeni ushqehej me krenari ndërsa shikonte vrapin e rrufeshëm dhe buzëqeshjen e djaloshit shend e verë, ndërsa Dominikut i shtohej krenaria se është në vijën e parë të frontit me burrat e mëdhenj të Dukagjinit. Ëndërronte që për Krishtlindjet e 1998 – tës të takohet me nënën Verë e me babën Tush e që për natën më të hareshme, Ai, i armatosur, me uniformë e me shkronja të arta t’i përshëndes me “Për shumë mot!” e nëna ta bekojë me “shumë mot e jetë paç!” Por, më 17 dhjetor zhvillohet një betejë e madhe në Gllogjan, luftë e “Djemve të Dukagjinit” për ta shpërthyer rrethimin e hekurt. Në saje të aftësive të jashtëzakonshme inventive të komandant Shkëlzen Haradinajt, “Jusufgërvallët”, me luftë të vendosur shpërthejnë, depërtojnë dhe ripozicionohen në fshatin Ratish për ta përforcuar vijën frontale: Ratish i Epërm, Dashinoc dhe së bashku me luftëtarët e Brigadës 134, në këtë vijë do të konsolidohet skëterra për forcat serbe, por Dominiku e Valoni, komandant Shkëlzenit i mbetën në Gllogjan, të murosur në themelet e lirisë së Kosovës.
Rënia e Dominikut të njomë i forcoi edhe më shumë “Djemtë e Dukagjnit”, u bë edhe një betim se nuk ka prapa dhe se lufta duhet të vazhdojë me një dinamikë edhe më të shpejtë e sulmet do të jenë edhe më të stuhishme, kurse forcave të thyera, të thërmuara e të turpëruara serbe u mbeti që t’i marrin të vrarët e ta braktisin teknikën e shkatërruar.
Komandant Shkëlzeni bëri përpjekje maksimale dhe sakrificë mbinjerëzore për t’i tërhequr nga fushëbeteja Mikin e Lonin, por e pamundshmja e bën të veten dhe kujtoi edhe kësaj radhe 24 marsin, kujtoi Himën, Gazmendin e Agronin dhe merrte hak; dukej “Skyfter” e shkuar skyfterit.
Policia serbe djaloshin e përjetësuar, Dominik Tush Përgegën, së bashku me Valon Hamdi Malën i varrosi në varrezat e Gjakovës, kurse më 22 korrik të vitit 1999 bëhet rivarrimi i Atyre që ranë për Kosovën dhe sot pushojnë në “Kopshtin e dëshmorëve” të Gjakovës.
Dhe sot, nëna Verë, për çdo festë Krishtlindjesh, edhe pse i bëhet se do ta dëgjojë zërin e Dominikut e se po e dëgjon duke uruar festën, është stoike, është gojëmbël dhe zemërhapur ndaj të gjithë atyre që ia hapin portën e një shtëpie ende pa çati, është e madhërishme, zonjë, nënë dëshmori që përkund djepa të të bijëve të Eduardit, djalit të madh e të vetëm, por familja Përgega tash e 3 Krishtlindje i pret me Dominikun e Dytë në këtë vatër familjare të Përgegëve të ndjekur, të rrahur, të vrarë e të persekutuar nga Simoviqi e Prasheviqi. Në ditët e mëdha, Përgegajt thonë se janë më të mëdhenj e më të madhërishëm që Kosovës ia flijuan Domonikun për t’u rritur në liri Brikena, Jeniferi, Dominiku II, Simona e Arbëri, të cilët i përkund me krenari nëna Ardianë, bijë e Hajdarajve të Palabardhit, krenare sepse biri i saj mban emrin e një dëshmori që lindi e rriti kjo vatër patriotike e Përgegëve nga Gjakova.
Kështu i pritën dhe i kaluan me radhë edhe Krishtlindjet e pasluftës Përgegajt duke kujtuar e përkujtuar tërë atë që ndodhi pak para Krishtlindjeve të atij viti 1998, kur dëbora shkrihej nga zjarri i artilerisë serboçetnike në Gllogjan, në Smolicë, në Ratish, në Shqiponjë, në Maznik e në Shaptej, të atij viti kur Përgegajt ia dhanë lirisë së Kosovës sugarin, çapkënin, Dominikun e Tushit e të nënës Verë.
Dhe urimi u përket nënës Verë e babë Tushit: me fat e për shumë mot Krishtlindjet, fati qoftë mbi bijë e nipa tuaj! (S. C.)