Pasi nuk isha në garë dhe gjithë shigjetat i drejtuat ndaj meje dhe familjarëve te mi, po ua them disa fjalë:
Hashim dhe Kadri, po të kishit pak moral nuk do t’i lëshonit qentë e gjithë urithët e nëntokës, edhe të së djeshmes edhe të së sotmes, por ju keni humbur çdo parim e normë njerëzore. E kam thënë edhe njëherë tjetër, po jua kujtoj edhe tani, thënien e një intelektuali të viteve ’90, kur e kishin akuzuar se e kishte nënë Rusinë! Ai iu ishte përgjigjur: “Këta njerëz, edhe nënën e vet ta lënë në dorë”. Së këndejmi, edhe ju u munduat përmes një zagari, fyerjen që jua bëni në kontinuitet jo vetëm drenicasve, por gjithë shqiptarëve në Kosovë, duke denigruar gjithçka njerëzore e shqiptare, të ma vishni mua! A nuk ishit ju që me ftuat që t’i bashkohem “nënës parti”?!
Ju, gjatë gjithë këtyre viteve dhe sidomos pas Pavarësisë, Drenicës e Kosovës ia keni grabitur pasuritë më të mëdha, në mesin e tyre edhe Ferronikelin dhe qytetarëve të Drenicës dhe të gjithë Kosovës jua keni lënë vetëm një perspektivë, atë të ikjes nga Kosova! Por, atë që jua keni bërë qytetarëve të Drenasit nuk ia keni bërë askujt tjetër: i keni lënë më të varfrit. Kaq shumë i doni ata?! Jo vetëm kaq! I keni lënë në varfëri dhe, duke i lënë në varfëri, jua keni vrarë guximin, guximin edhe për të menduar?! Ju i frikësuat duke përdorur gjithë makinerinë e pushtetit dhe duke u thënë qytetarëve se “nëse nuk e votoni PDK-në, ju do të izoloheni nga pjesët e tjera të Kosovës”. Kur e keni përdorur gjithë pushtetin, gjithë mekanizmat e tij, jam i bindur se keni përdorur edhe fuqinë e parasë publike, por i keni fshehur këmbët si gjarpri. Të gjitha rrugët që keni ndërtuar gjatë fushatës zgjedhore, të asfaltuara apo me zhavorr, kanë qenë veprime të paligjshme dhe hedhje në baltë e parasë publike. Po të kishte shteti prokurori të mirëfilltë, ajo do të duhej t’i hulumtonte veprimet e tilla të paligjshme. Edhe mbrojtja e veprimeve të tilla nga policia është veprim i dënueshëm. Në këtë rast, policia në vend që të mbronte ligjin, ajo u vu në mbrojtje të paligjshmërisë. Kjo ka ndodhur në fshatin Negroc, më 16 dhjetor.
Ju e dini më mirë se kushdo tjetër, që jo vetëm se nuk kam marrë asgjë nga Drenica dhe Kosova, por kam dhënë gjithçka që është kërkuar nga unë dhe familja ime. Po e them për të parën herë, pa modesti, nëse Drenasit, Drenicës dhe Kosovës nuk iu kam lënë emër të mirë kudo që e kam përfaqësuar Kosovën dhe shqiptarët, të paktën emër të keq as iu kam lënë e as do t’iu lë si brenda dhe jashtë vendit! Emri im, në asnjë raport ndërkombëtar nuk është lakuar dhe asnjë pengesë e vetme Kosovës nuk i është bërë në rrugën e integrimeve evropiane! Në asnjë Rezolutë te KE-së apo raport tjetër nuk është përmendur e as që do të përmendet emri im. E shihni sesi ndihem më shumë se mirë. Po ju?…
Epo, ju paskeni “harruar” që unë njerëzit i trajtoj si njerëz me integritet e dinjitet. Njerëzit nuk i zhveshi nga integriteti e dinjiteti siç bëni ju. Këtë e dinë të gjithë njerëzit me të cilët kam bashkëpunuar e punuar, si në parti apo institucione te shtetit. As shokëve e as ish-shokëve nuk ua ndërsej qentë e bashkëpunëtorët e Serbisë! Krejt çka kam për të thënë e them vetë, pa e fshehur dorën dhe pa i yshtur njerëzit për të gënjyer a sharë dikë tjetër. Ju jeni mjeshtër të këtyre gjërave të pista! Juve gjithçka ua banë fytyra!
Unë edhe në këto zgjedhje e ndiej veten të fituar pa qenë në garë, se askujt në jetën time nuk ia yshta asnjë njeri të vetëm. Nuk i grabita a rrëmbeva asgjë as me veprimin e mosveprimin tim. Kalova dinjitetshëm nëpër vitet edhe kur kisha pushtet, nuk e lëndova asnjë zemër njeriu. Edhe zgjedhjet e fundit i konsideroj fitore te NISMËS, i fituam zemrat e mijëra njerëzve pa asnjë mashtrim, kërcënim apo premtim mashtrues!
Ju drejtohem ju se e filluat me ftesën qe t’ju bashkohem, ani pse unë nuk isha në garë, e vazhduat pa asnjë të drejtë me përgojime për mua e familjen time dhe e përfunduat me gënjeshtra, fyerje e sharje se gjeja unë i paskam “fyer qytetarët e Drenasit”?! Ju e dini pse e bëni ketë! Ketë politikë jo kohezive, aspak koherente e alogjike dini ta bëni vetëm ju dy e sidomos Hashimi i cili është i gatshëm te shkel mbi cilindo që guxon t’i dal përpara. E tërë jeta e tij politike është e tillë?! Andaj gjithçka që vjen nga ajo parti private e Hashimit dhe e Kadrisë, është vepër e tyre gebellsiane! Kjo është arsyeja pse unë qytetarë te Drenasit e te Kosovës, ju drejtohem vetëm atyre dhe askujt tjetër.
Unë Jakup Krasniqi, e përsëris nuk isha në garë për Kryetar te Drenasit, por ju mos e harroni kurrë këtë emër të përveçëm se ju duhet! Edhe nëse nuk e dini, se ju dini pak nga ana njerëzore e intelektuale, mësojeni tani, në rrugën time të drejtë eci edhe vetëm! Ky është mësimi im jetësor, mos gjunjëzimi as edhe njëherë para askujt! Kjo vjen nga besimi dhe dashuria që kam për njeriun, kombin dhe atdheun! Po ju çka jeni e në ç’dreq besoni?!