Lulëzim Gani Morina (28.2.1972 – 18.12.2000)

Lulëzim Gani Morina (28.2.1972 – 18.12.2000)

Lulëzim Morina, i njohur gjatë luftës si Komandant “Luli”, pa dyshim është njëri ndër luftëtarët e dalluar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Që nga fillimi i luftës frontale në Kosovë, në mars të vitit 1998, deri në përfundim të saj, luftoi me heroizëm të rrallë në rajonin e Dukagjinit.
Lulëzim Morina, u lind më 28 shkurt të vitit 1972, në një familje bujare dhe me tradita atdhetare, në fshatin Martiras (ish- Hallaç i Vogël) të komunës së Lypjanit. Në vitin 1955, familja e tij për shkaqe ekonomike u detyrua të shpërngulet nga fshati Fushticë e Poshtme, për t’u vendosur në Martiras. Babai, Ganiu, axha i tij, dhe anëtarët e tjerë të familjes morën pjesë në demonstratat popullore që prej vitit 1981 e këndej.
Prindërit Gani dhe Habibe Morina, edhe përkundër kushteve të rënda ekonomike, shtatë fëmijët e tyre (tre djemtë e katër vajzat) i rritën dhe edukuan në frymë të shëndoshë kombëtare. Lulëzimi ishte më i madhi. Shkollën fillore dhe atë të mesme i përfundoi në Lypjan. Në moshën 18-vjeçare, për shkaqe ekonomike dhe politike iu desh të largohet nga vendlindja. Gjatë vitit 1990-1991, punoi në Shibenik të Kroacisë për të siguruar ekzistencën e familjes. Me të shpërthyer lufta në Kroaci, vullnetarisht u inkuadrua në radhët e luftëtarëve kroatë, ku luftoi kundër forcave serbe deri në përfundim të luftës. Më vonë do të marrë pjesë edhe në luftimet në Bosnjë, dhe në vitin 1996, emigroi në Gjermani në afërsi të Shtutgardit.
Lulëzimi që kishte kaluar luftërat e rrepta në Bosnjë e Kroaci, duke e ndihmuar luftën e drejtë të boshnjakëve e kroatëve kundër pushtuesit serbomadh, ishte ndër të parët që iu përgjigj kushtrimit të luftës në Kosovë. Përvojën e luftës e barti te rekrutët e UÇK-së. Në mars të vitit 1998, kthehet nga Gjermania në Shqipëri, e prej andej hyri në Kosovë për t’iu bashkuar radhëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ndalet në Zonën e Dukagjinit, ndalet në Gllogjan, për të qëndruar deri në fund të luftës. Kontributi i tij, si në organizimin e luftës, si në vijat e para të frontit, si në aksione të ndryshme luftarake, qoftë edhe në prapavijë të armikut, ishte i madh dhe i pamohueshëm.
Gjatë vitit 1998, ishte anëtar i Shtabit Operativ të UÇK-së për Rrafshin e Dukagjinit, e më pas edhe zëvendëskomandant i Brigadës 132 “Myrtë Zeneli” dhe komandant i Brigadës 135 “Agim Zeneli” të UÇK-së, duke luftuar me devotshmëri në shumë beteja, përkrah viganëve të kombit, si: Shkëlzen Haradinaj, Xhelal Hajda, Naser Brahimaj, Mujë Krasniqi, Bedri Shala, Bekim Berisha, Agim Zeneli, Fadil Nimani, Avdi Mujaj e shumë dëshmorë të tjerë. Udallua në luftimet disamujore të zhvilluara në Baballoç gjatë vitit 1998; Prejlep, Gllogjan, Irzniq, Ratishë, Broliq, Dashinoc, Pozhar, Lumbardh, Shqiponjë, Gërgoc etj., për të vazhduar me sukses në luftimet e zhvilluara në Lugun e Baranit, gjatë pranverës së vitit 1999, si komandant i Brigadës 135 “Agim Zeneli” deri në çlirim.
Emri i Lulëzim Morinës, është i lidhur ngushtë pothuajse me të gjitha betejat e zhvilluara në Dukagjin. Ai ka dhënë një kontribut të veçantë edhe në stërvitjen dhe përgatitjen e rekrutëve të rinj të UÇK-së, te të cilët me përkushtim barti përvojën e tij luftarake të fituar gjatë luftës në Kroaci e Bosnjë.
Edhe pas përfundimit të luftës, gjithnjë do të jetë në krye të detyrës, duke kryer me përkushtim të veçantë detyrat për ngritjen dhe zhvillimin e Trupave të Mbrojtjes së Kosovës, në detyrën e Shefit të Sektorit të Logjistikës, në Zonën e Tretë të Mbrojtjes.
Humbi jetën tragjikisht më 18 dhjetor 2000, në Osek-Hylë, në magjistralen Gjakovë-Deçan. Varrimi i tij u bë më 20 dhjetor, në praninë e mijëra qytetarëve në vendlindjen e tij, në Martiras të Lypjanit. Në vendin ku prehet trupi i tij, në Martiras, i është ngritur lapidari, në shenjë kujtimi e nderimi të përjetshëm. (F. R.)

Kontrolloni gjithashtu

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Dëshmori i kombit, Ilmi Aliu, u lind në Izbicë të Drenicës, në vjeshtën e vitit …