MASHT kërkon nga DKA-të që ta mbikëqyrin situatën e gripit sezonal dhe nxënësit me gripit të qëndrojnë në shtëpi

Xhevat Ukshini: Nga katastrofa e PISA-s te mashtrimi me zbulime shkencore

Javëve të fundit  një numër analistësh dhe njohës të fushës së arsimit janë marrë intensivisht me rezultatet e publikuara të vlerësimit të parë ndërkombëtarë të nxënësve të Kosovës. Për çudi prindërit e nxënësve, që do të duhej të reagonin të parët dhe të ishin tepër të zëshëm në pakënaqësinë e tyre me shkollën tonë, nuk u dëgjuan fare, duket  sikur janë pajtuar me fatin e fëmijëve të tyre, një  pajtim  me mashtrimin e madh që  iu bëhet për një kohë të gjatë nga autoritetet përgjegjëse arsimore, prej vendimeve të të cilëve varet në fakt e ardhmja e shoqërisë  kosovare.

Në një klimë të tillë apatie dhe depresioni të përgjithshëm nuk  çuditem aspak nga  ajo çfarë dëgjoj në Parlament nga të zgjedhurit e popullit. Nuk më çudit gjuha që ata përdorin në foltore të Parlamentit dhe jashtë tij. Pas asaj që kam parë, lexuar  e dëgjuar nuk  çuditem  më as me ata doktorë shkence të Universitetit të Prishtinës, të cilët madje edhe leximin rrjedhshëm e kanë problem jo të vogël. Ajo çka më shqetëson në këtë moment, më saktësisht do të duhej të thuhej ajo që  më trondit  është fakti se  shoqëria jonë i kapërdin  të gjitha këto padrejtësi e mashtrime  me një lloj fatalizmi  oriental që pjesërisht kushtëzohet nga historia e gjatë e nënshtrimit tonë kolektiv.

Në këtë shkrim do të merremi me një rast konkret të një diçkaje që na është servuar si zbulim dhe që, siç do të shohim në vijim, nuk është i tillë.

Në lajmet kryesore të ditës së 4 nëntorit 2016, në Radio Telivizionin e Kosovës, moderatori i lajmeve prezantoi edhe një  zbulim të  radhës të shkencëtarëve tanë. Kosova vend i shkencës dhe i zbulimeve të mëdha, ky ishte reagimi im i parë. Padyshim ky lajm më  gëzoi, më gëzoi shumë. Si pjesëtar i një populli që betohet me “pasha bukën” nuk kisha alternativë tjetër emocionale. Thash Kosova e zgjidhi çështjen e bukës përfundimisht. Kisha lexuar pak kohë më parë se sivjet   shteti ynë  kishte mbuluar nevojat e tij për grurë në masën mbi 85% në një kohë që mesatarja e prodhimit për hektar shënonte shifra së paku tre herë më të ulëta se këto të zbulimit. Pasi që  nuk i kisha njohuritë e duhura  këtë fushë, fillimisht  gjithçka e mora ashtu siç u tha në lajmet e RTK-ës.   Profesori i Fakultetit të Bujqësisë, Shukri Fetahu kishte zbuluar, apo, siç e quante ai, kishte  patentuar kultivarin e grurit, të parin në Kosovë , të quajtur „Dardani 1“. Nuk më gëzoi vetëm zbulimi, më pëlqeu pa masë edhe emërtimi i këtij kultivari. Gëzimi më i madh lidhej natyrisht me  parametrat të bërë me punë  „modeste dhe të arsyeshme”, siç  shprehej  Profesori. Kualiteti i lartë, ndjeshmëria ndaj të ftohtit, mundësia e plehërimit me norma standarde, rezistenca ndaj sëmundjeve e para së gjithash rendimenti i lartë prej 12 tonelatash për hektar, rendiment ky që në pesë vitet e ardhshme do të plotësonte nevojat vendore të grurit. Për mua ky nuk ishte një premtim modest, por me të vertetë një zbulim gjigant në kuptimin e mirëfilltë të kësaj fjale.

Të tilla ishin edhe dekoratat  që profesori pastaj do të merrte, duke u nisur nga i pari i Universitetit dhe vazhduar pastaj me  Presidentin e  Kryeministrin.  Si zakonisht në kësi raste,  nuk mungoi as një elozhe lëvdatash nga të gjitha gazetat dhe portalet vendore.  Ky zbulim i Profesor Fetahut nuk u vu në pyetje as nga kolegët e tij dhe as nga shumë ekspertë vendorë, të cilët e kanë  kompetencën   për vlerësime të tilla.  Dihet  që  qytetarët tanë  janë të  lodhur nga perditëshmëria e tyre dhe dështimet e njëpasnjëshme të politikës sonë, nga ata së këndejmi nuk mund të pritej kontestimi për një problematikë tepër specifike, për të cilën mund të flasim me përgjegjësi vetëm specialistët e fushës.  Nuk pati reagime dhe   komente as nga ata për të cilët ishte bërë kjo punë, pra nga fermerët vendorë.

Gruri është kultura/drithi kryesor në vendin tonë. Ende janë të freskëta për publikun kosovar debatet mbi kualitetin e miellit të importuar. Aty-këtu u dëgjuan zëra se në Kosovë buka gatuhej me grurë kafshësh. Por tani për cilësinë e grurit do të vendosnim vetë. Kosova për herë të parë do të kishte varietetin/kultivarin e vet. Ky fakt më bëri kurioz të mësoj më shumë për këtë tematikë. Para së gjithash nga ky zbulim i profesor Fetahut më bëri përshtypje rendimenti i lartë që pretendohej që tregonte ky kultivar i grurit.  E përsëris nuk vij nga kjo fushë, por përdorimi i internetit dhe i literaturës të jep mundësi të informohesh saktësisht për zbulimin në fjalë dhe natyrisht këshillimi i pashmangshëm me specialistët e fushës. Nuk ke nevojë që të thellohesh dhe të kërkosh punime shkencore, të cilat  i gjen me bollëk në të, sepse mjafton të hapesh vetëm webfaqen e Vikipedisë ku  ke në dispozicion informacionit të   nevojshëm mbi temën në fjalë.

Informacioni elementar shkencor është ky: Gruri i takon familjes se poaceae, gjinisë triticum dhe është bimë njëvjeçare. Forma e grurit të butë (Triticum aestivum) përdoret për bukë dhe produkte të tjera ushqyese për njeriun. Varësisht nga shtetet ku prodhohet,   ai është i klasifikuar edhe ne klasa të ndryshme të kualitetit. Edhe kultivari i ri Prof. Fetahut u prezantua si grurë i kualitetit të lartë (14-15% Proteinë), çka  në vendin ku unë jetoj (Gjermani)  do ta kualifikonte këtë varietet në klasën më të lartë për kualitet. Dhe kur merr parasysh edhe rendimentin e prezantuar nga Prof. Fetahu prej 12 tonelatash për një hektar, atëherë ky varietet do të ishte kampion bote sa i përket rendimentit të grurit për klasën e kualitetit me të cilën profesori e përshkruan.

Kjo mund të verifikohet shumë lehtë, pasi që sipas Organizatës Botërore të Ushqimit (FAO) mesatarja e rendimentëve të grurit ne botë arrin deri në 3,2 ton për hektar (FAO, 2013), derisa ajo në Gjermani deri në 8 ton.

Edhe Kosova, sipas të dhënave të publikuara ne „Bujqesia.org“, arrin një mesatare të prodhimit të grurit deri në 3,5 ton për hektar. Në këtë kontekst  “zbulimi” i profesor Fetahut për mua ishte kolosal. Duke marrë parasysh shtrirjen gjeografike, ky varietet me këta parametra të prezantuar një ditë do të tejkalonte domosdoshmërisht kufijtë e Kosovës, ai   do të kultivohej  edhe në Shqipëri dhe  vendet e tjera të rajonit.

U  çudita shumë  kur pashë se   Agjencioni për Licensimin e Kultivarëve të Kosovës, të cilit agjencion i referohej profesori, nuk kishte asnjë informacion mbi parametrat e prezantuara nga ai. Së këndejmi  shtrohet pyetja: ku janë arritur ato rendimente prej 12 tonësh për hektar? Në sa lokacione është testuar rendimenti i grurit “të zbuluar” dhe për sa vite me radhë?

Le të më lejohet që të jap për lexuesin    një përshkrim të shkurtër të procedurave të licencimit të kultivareve këtu në Gjermani. Agjencioni Federal per Licencimin e Varietetëve (Bundessortenamt) në Gjermani i teston kultivaret grurit për tre vjet rresht në më së paku 10 (maksimalisht  deri në 40) lokacione në parcela të përsëritura.  Këtu përveç rendimentit analizohet edhe cilësia dhe toleranca ndaj sëmundjeve, etj. Vetëm pas tre vjetësh testimi rigoroz, po qe se kultivari i plotëson kriteret DUS (anglisht: Distinctness, Uniformity and Stability), është I dallueshëm nga kultivaret e deritanishëm dhe ka një rendiment signifikant më të lartë se ata paraprak, atëherë ai merr më në fund licencën  për qarkullim. Kjo nuk do të thotë se  kultivari i testuar dhe licencuar  mund të futet automatikisht në treg menjëherë.

Pas licensimit nga Enti Federal, janë agjencionet e Landeve (Republikave) të cilat secila veç e veç e testojnë kultivarin e licensuar  edhe për tre vjet të tjera, për të verifikuar adaptimin në zonat përkatëse të prodhimit.  Kostoja për seleksionimin dhe licensimin e një varieteti të  ri të grurit në Gjermani mund të shkojë, prandaj,  deri 10 milion Euro.  Tani shtrohet pyetja:  sa mund t’i ketë kushtuar ky zbulim modest  profesorit? Pesëmbëdhjetë vite pune intensive do të kërkonte  patjetër  një varietet i ri. Po a është në përshkrimin e punës së profesorit të  bëjë kërkime shkencore, seleksionim (breeding), pastaj rezultatet e tyre  t’i publikojë në revistat ndërkombëtare dhe në të njejtën kohë t’ua ofrojë këtë dije të fituar në mënyrë eksperimentale në formë ligjerata/seminaresh studentëve të tij? Apo të marrë rolin e instituteve kombëtare të përmirësimit gjenetik për nxjerrjen e varieteteve të reja , punë kjo që kërkon një infrastrukture të veçantë dhe, merret vesh,  një kosto të papërballueshme për një katedër?

Një Institut i tillë për seleksionimin e bimëve për fat të mirë ekziston në  Kosovë (Instituti i Pejës). Prandaj  shtrohet pyetja:  përse ky kultivar nuk është bërë në bashkëpunim me këtë Institut, në mënyrë që prodhimi i kultivarit të realizohet dhe t’iu   ofrohet bujqve. Në bazë të një informacioni nga një mik i imi,  i cili është ekspert i kësaj fushe, prodhimi i farës bazike për një kultivar të tillë, siç  pretendon profesor Fetahu, nuk është edhe aq i thjeshtë, kështu që është shumë i diskutueshëm edhe prodhimi i kësaj fare nga Fakulteti i Bujqësisë.

Në fund duhet të shtrojmë pyetjen  që ka të bëjë me motivacion: çfarë i shtyri të gjitha institucionet vendore të marrin me aq nguti këtë vlerësim të këtij zbulimi kaq të diskutueshëm? Ndoshta përgjigjen me të mirë për këtë gjë e japin  humoristët e mirënjohur  Stupcat me serinë e tyre „AMKADEMIKU“.

Emri i Prof. Fetahut tash është propozuar për t’ u pranuar si  anëtar i Akademisë dhe zënë kështu  vendin e një shkencëtari të mirëfilltë, me përmasa botërore,  siç ishte me të vërtetë Prof. Dr.  Latif R. Susuri. Sigurisht se në argumentimin për pranimin të kandidaturës së  Prof. Dr. Fetahut vend kyç patjetër do të zërë  „zbulimi“ i tij.

Lexues të nderuar si konkludim mund të themi për fund: kultivari “Dardani 1” nuk do t’i sjellë kurrfarë përfitimi financiar  zbuluesit të tij për arsyen e thjeshtë se  ai  nuk do të hyjë në prodhim , nëse do të hynte në prodhim, ai  nuk do të mund të arrinte kurrë atë rendiment me të cilin na është prezantuar. Pavarësisht nga të gjitha këto fakte Prof. Dr. Fetahu do të bëhet anëtar i Akademisë së Kosovës ku, si duket, për pranimin e tij është përgatitur terreni, sepse rezultatet e punës së tij hulumtuese janë pranuara si të mirëqena. Pas pensionimit të tij, Prof.Dr. Fetahu  si „Amkademik“,  tagsapaguesve  kosovarë do t’iu kushtojë me dhjetëramijë  euro në vit.

Si duket, ky fakt, ngritja në statusi i anëtarit të Akademisë në prag të pensionimit, do të mbetet zbulimi më  i madh që do të lidhet me emrin e profesorit inovativ.

19.12.2016

Kontrolloni gjithashtu

Dilaver Goxhaj: RKL dhe Kosovapress ishin dhe mbeten Ylli Polar për Luftën Çlirimtare në Kosovë

Dilaver Goxhaj: PËRFUNDIME TË DALA PREJ ANALIZAVE KRITIKE NDAJ LIBRIT “Dosja Amerikane për Shqipërinë Koministe”, me autorë  Bejtullah Destani dhe Visar Zhiti

Bazuar në faktet dhe analizën e luftës 10-vjeçare,  Dhjetor 1944- Dhjetor 1953, midis Forcave të …