Stavileci: Diplomacia ekonomike mundësi për tërheqjen e investimeve të huaja

Diplomacia ekonomike ka të bëjë me tërheqjen e investitorëve të huaj, por jo vetëm të kompanive në kuadër të sektorit privat, por besoj një tërheqje më e madhe e vëmendjes dhe interesimit edhe të institucioneve ndërkombëtare financiare, të cilat po ashtu deri sot e kanë përkrahur vendin tonë, ka deklaruar Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci.

Këto komente Stavileci i bëri në kuadër të Konferencës së Katërt të Ambasadorëve të Kosovës, që u mbajt në Prishtinë, me ç’rast mori pjesë në Panelin e tretë “Diplomacia Ekonomike dhe tërheqja e investimeve të huaja”.

Stavileci tha se tani vendi ka mundësi të reja për ta shtuar fokusin e përkrahjes, sidomos në sektorët strategjikë, por edhe në sektorë të tjerë të cilët janë atraktiv, duke veçuar fushat që përbëjnë parakushte për një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik; energjia, telekomunikacioni dhe infrastruktura.

Sa i përket infrastrukturës, Ministri Stavileci tha se kjo fushë është në agjendë të tryezës të procesit të Berlinit, ku bëjnë pjesë projektet si Autostrada Kosovë- Shqipëri, Aeroporti i koncesionuar, autostrada Kosovë-Maqedoni që do të përfundoj në vitin 2018 dhe projekti i cili do të nis, Hekurudha numër 10, e cila e lidh Kosovën me Maqedoninë në jug, me Serbinë në veri që pritet të filloj vitin e ardhshëm.

Kreu i MZHE-së tha se fusha e dytë, pa të cilën nuk mund të ketë zhvillim të qëndrueshëm ekonomik është fusha energjisë. Ai tha se Qeveria ka vendosur pesë objektiva dhe të gjitha ato janë në linjë me projektet që janë duke u zhvilluar.

– Objektivi i parë është sigurimi i furnizimit të rregullt me energji elektrike nëpërmjet ndërtimit të kapaciteteve të reja  dhe regjenerimit të kapaciteteve ekzistuese.

– Objektivi dytë është integrimi i sistemit tonë në tregun rajonal të energjisë.

– Objektivi i tretë është, zhvillimi i kapaciteteve të energjisë termike, që lidhet me mbrojtjen e mjedisit.

– Objektivi i katërt është kyçja në rrjetin e gazit, dhe

– Objektivi i pestë është, zhvillimi i burimeve të ripërtërishme të energjisë dhe zbatimi i masave të EE.

Në këtë linjë, Stavileci tha se kemi avancuar shumë edhe sa i përket agjendës legjislative, duke nënvizuar pakon e ligjeve të energjisë dhe Strategjinë e Energjisë 2017-2026.

Ndërkaq, duke u ndal te fusha e teknologjisë së informacionit dhe komunikimeve elektronike, numri një i MZHE tha se tashmë është buxhetuar fondi për TIK, po ashtu është duke u punuar për inkubatorin e TIK dhe krijimit të qendrave të ekonomisë kreative dhe inovacionit.

Stavileci me këtë rast ka ftuar diplomatët e Kosovës që në vendet ku janë akredituar dhe kontakteve me investitorë të prezantojnë potencialin e vendit, duke vlerësuar diplomacinë ekonomike si mundësi e mirë për tërheqjen e investimeve.

Kontrolloni gjithashtu

Kuvendi komunal i Rahovecit mbajti mbledhjen e rregullt të njëmbëdhjetën për këtë vit kalendarik

Udhëhequr nga Kryesuesi – Arbër Zenuni, u mbajt seanca e muajit nëntor, e njëmbëdhjeta e …