Bahri Bivolaku

Bahri Bivolaku: Veriu i Kosovës si problem i zgjedhjes së imponuar nuk duhet t’i ndajë, por t’i bashkojë partitë politike

Veriu i Kosovës si problem që po i afrohet zgjedhjes së imponuar nuk duhet t’i ndajë, por t’i bashkojë partitë politike. Çakordimi në veprimin politik mund të sjellë telashe të mëdha në atë masë sa ta vendosë politikën e Kosovës jo si aktoren kryesore në zgjedhjen e problemeve në veri të vendit, por si pjesë të problemit

Ka vite që Kosova dhe Serbia bisedojnë mes vete në Bruksel dhe qëllimi i këtij dialogimi, mbase do të duhej të ishte i qartë për të krijuar epilogun e normalizimit të plotë të marrëdhënieve ndërshtetërore. Edhe pas shumë kohe të kaluar, ky rezultat nuk po arrin dhe vërtetë shumëkush mendon se a thua ka kuptim vazhdimi i këtyre bisedave? Ende këto bisedime për qytetarët e nacionalitetit serb në Kosovë nuk po e krijojnë një realitet. Ende ata diku vullnetshëm e diku detyrohen të jetojnë në mes të dy realiteteve, institucioneve të shtetit të Kosovës dhe atyre institucioneve të shtetit të Serbisë. Mendoj që të ketë ardhur koha e zhbërjes së njërit realitet, e i cili padyshim jolegjitim e i dhunshëm, por dilemë është se kush duhet ta bëjë këtë punë? Brukseli? Vështirë që Bashkimi Evropian ta ketë gatishmërinë për të ecur kësaj rruge, madje për shumë kënd konsiderohet si një mekanizëm politik, i cili po humbet terren në procesin e vendimmarrjes, e veçanërisht në ekzekutim të politikave të saja si pasojë e lëvizjeve gjeopolitike. Institucionet e Kosovës? Vështirë, mund ta kenë vullnetin e gatishmërinë, por u mungon elementi tjetër mbase i domosdoshëm e që është faktori të jesh fuqi politike në rajon, pra, të kesh forcë ekonomike, ushtarake etj. Në këtë kostalacion të gjërave, mbase politika e Kosovës duhet ta ketë të qartë se për të ndryshuar realitetin duhet të qartësohet politikisht vet së pari e të saktësohet se çfarë dëshiron, në mënyrë që ai pozicion i saj të mund të shtyhet në agjendën e të mëdhenjve, e të cilët vendosin se ku fillon e mbaron kufiri ndarës i interesave lindje – perëndim, NATO – Rusi e tjerë në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Veriu i Kosovës si problem që po i afrohet zgjedhjes së imponuar nuk duhet t’i ndajë, por t’i bashkoj partitë politike. Çakordimi në veprimin politik mund të sjellë telashe të mëdha dhe në atë masë sa të e vendos politikën e Kosovës jo si aktoren kryesore në zgjedhjen e problemeve në veri të vendit, por si pjesë të problemit. Shteti i Serbisë bashkë me aferat e saja të instrumentalizuara në Kosovë po krijon realitetin ekzistues, duke treguar qartë se ku donë ta sheh kufirin ndarës NATO – Rusi në rajon. Muri i ndërtuar, hapja e pompave të benzinës së kompanisë shtetërore me aksione të Rusisë, qartësojnë dëshirën dhe vullnetin politik e mbase edhe realitetin e krijuar, por shqiptarët e kanë të qartë se gjerë ku dëshirojnë ta shtrijnë ndikimin e tyre. A kanë ata miq që kompanitë e tyre, qofshin ato amerikane, gjermane apo edhe turke, që bashkë me kompanitë shqiptare hyn në veri të vendit dhe krijojnë realitete.

Buxheti i Kosovës për vitin 2017 dhe Kosova Lindore

Serbët në veri bashkë me shtetin e Serbisë, vazhdimisht po krijon realitete ekzistuese, të cilat po e sfidojnë Kosovën. Tashmë me vendosjen e pikave të shitjes së derivateve, në lojë ka hyrë dhe Rusia. Më parë biznesmenët nga Kosova kishin partnerë kompanitë e naftës që i kontrollonte Veselinoviçi, po tani a thua kah do të shkojnë? A thua të tillët do ta krijojnë miqësinë me kompaninë shtetërore ruse – serbe. Në veri po dihet për realitetet, por në çfarë gjendje janë shqiptarët në Luginën e Preshevës dhe çfarë po bën Kosova e Shqipëria për t’i mbështetur ata për të krijuar realitete politike, ekonomike, kulturore etj. Jemi në prag të aprovimit të buxhetit të Republikës së Kosovës për vitin 2017 dhe a thua a ka mjete të parapara për të ndihmuar shqiptarët e Luginës? Mendoj që ky buxhet mund të parasheh 3-5 milionë euro në këtë destinacion. “Qengji i butë i thith dy nana”, thoshin dikur, edhe pse në praktikë nuk e di ta ketë hasur dikush. Qengji i butë vështirë ta ketë pasur të thith gjirin e nënës së vet e lëre diku tjetër, pasi se kanë lënë të tjerët që kanë qenë më të gjallë dhe grindavec. Shqiptarët e luginës së Preshevës, ata të cilët jetojnë në shtetin e sotëm të Maqedonisë dhe Malit të Zi, me siguri që ishin të lumtur me krijimin e shtetit të Kosovës dhe konsolidimit në vazhdimësi të shtetit shqiptar. Ata edhe vetë ishin hisedarë në të arriturat e këtyre shteteve që për ta konsiderohen të jenë nëna. Mbase pritën që me dy nëna më lehtë do ta kenë t’i realizojnë interesat e tyre minimale në trojet e tyre ku jetojnë e u kanë jetuar stërgjyshërit, por më kot, pasi janë harruar nga diplomacitë e të dyja këtyre shtete. Faktori politik ndërkombëtar që mëton të jetë nënë e të gjithëve për fat të keq ka instaluar praktikën që mos të merret me kërkesat e buta e të qeta por ato që sjellin telashe për shumë shtete të rajonit dhe atyre po u krijon favore aq të forta duke u krijuar mundësinë për të thithur edhe në gjirin e nënës, por edhe të njerkës. Shqiptarët në luginën e Preshevës, edhe pse autokton në vendbanimet e tyre karshi kolonëve e rikolonëve serbë në Kosovë, përkundër që në numër janë po aq sa serbët në Kosovë, nuk kanë arritur të sigurojnë favoret e ofruara serbëve të Kosovës. Nuk kanë komuna me status të veçantë, nuk kanë decentralizim me kompetenca territoriale, nuk kanë mbrojtje të veçantë institucionale të kulturës e trashëgimisë, gjersa për ekzistencën e universiteteve të Kosovës a Shqipërisë në Preshevë as që mendohet. A thua shqiptarët e Preshevës janë njerëz të këtij shekulli, në mënyrë që të trajtohen po sikur pakica serbe në Kosovë. Në Shqipëri e as në Kosovë askush nuk e di se sa është numri i të shpërngulurve të popullatës shqiptare nga lugina e Preshevës drejtë Kosovës e gjetiu nga presionet e regjimit serb. Komuna e Fushë-Kosovës dhe ajo e Gjilanit janë mbushur me objekte banimi të ndërtuara me mund të madh nga kjo popullatë, gjersa diplomacia Shqipëri – Kosovë vazhdimisht hesht.

 

Kontrolloni gjithashtu

Dilaver Goxhaj: RKL dhe Kosovapress ishin dhe mbeten Ylli Polar për Luftën Çlirimtare në Kosovë

Dilaver Goxhaj: PËRFUNDIME TË DALA PREJ ANALIZAVE KRITIKE NDAJ LIBRIT “Dosja Amerikane për Shqipërinë Koministe”, me autorë  Bejtullah Destani dhe Visar Zhiti

Bazuar në faktet dhe analizën e luftës 10-vjeçare,  Dhjetor 1944- Dhjetor 1953, midis Forcave të …