Sot në seancën e rregullt të Kuvendit të Kosovës, po analizohet shqyrtimi i parë i Projektligjit lidhur me Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2017. Në rendin e ditës, ndër të tjerash parashihet të zhvillohet edhe debat parlamentar sipas kërkesës së deputetit të Vetëvendosjes, Glauk Konjufca, i mbështetur edhe nga 9 deputetë të tjerë lidhur me arrestimet e aktivistëve të Lëvizjes Vetëvendosje nga Policia e Kosovës. Ndërkohë kryetari i Grupit Parlamentar të PDK-së, Zenun Pajazaiti ka përkrahur propozimin e Ismet Beqirit nga LDK-ja që në seancën e sotme të diskutohet vetëm çështja e buxhetit, meqë sipas tij deputetët do të kenë mundësi të fokusohen më shumë tek çështja e buxhetit. Pajaziti tha se kërkesa e deputetit të AAK-së Pal Lekaj për debat parlamentar për murin në veri të Mitrovicës, të bëhet gjatë ditës së nesërme.
