Jahë Salih Kabashi (1.11.1968 - 22.12.1998)

Jahë Salih Kabashi (1.11.1968 – 22.12.1998)

Jahë Kabashi ka lindur në fshatin Zahaq, komuna e Pejës, më 1 nëntor të vitit 1968. Ishte në mesin e shtatë fëmijëve të Salih dhe Dude Kabashit-Berisha. Babai Salihu, në moshë të re ishte mobilizuar në radhët e forcave Antifashiste-Nacionalçlirimtare, në Luftën e Dytë Botërore dhe ishte dalluar në luftime. Për ta mbajtur familjen, ai kishte punuar në bujqësi, ndërtimtari e punë të tjera.
Në vitin shkollor 1974/1975, Jahë Kabashi u regjistrua në klasën e parë në shkollën fillore “Haxhi Zeka”, të Zahaqit. Ishte nxënës i shkëlqyeshëm, i urtë, e i sjellshëm. Gjatë shkollimit u pajis me ndjenja atdhetare, por edhe kryengritëse. Qysh i ri kishte vërejtur padrejtësitë e pushtetit okupator, por dhe privilegjet që kishin disa prej bashkëmoshatarëve të tij. Pasi kryen shkollën fillore nuk pati kushte ekonomike ta vijojë mësimin në shkollën e mesme, prandaj iu bë krah pune babait të vet. Punoi në disa ndërmarrje private për përpunimin e drurit, në Zahaq dhe në Pejë.
Jahë Kabashi, më 18 mars të vitit 1998 mori pjesë në demonstratat që ishin mbajtur në Pejë, kur te Stacioni i Trenit u vra, Qerim Ukë Muriqi. Me atë rast ai e barti trupin e të vrarit, së bashku me disa shokë, kurse pas dy ditësh vendosi t’u bashkohet radhëve të UÇK-së. Ai shpesh kishte thënë vërejtjen mobilizuese: “Ne me gur, ata me plumba, nuk shkon më tej!”. Ai ishte bindur se pushtuesit duhej t’i dilej përpara me plumb dhe jo duarthatë, e me dy gishta përpjetë.
Kontaktet e para me UÇK-në i kishte vënë në janar të vitit 1998. Asokohe kishte shkuar në Abri ku i kishte miqtë e vet dhe me qëllim për t’u interesuar për radhitjen në UÇK. Fillimisht nuk ishte pranuar në mungesë të armatimit. Pasi kthehet nga Abria, së bashku me kushëririn, Shefqet Kabashi dhe me djalin e xhaxhait, Bashkim Kabashi, pa vonuar kishte shkuar në Jabllanicë të Dushkajës për t’u inkuadruar në radhët e UÇK-së në Zonën Operative të Dukagjinit.
Nga Shtabi i Jabllanicës kishte marrë urdhrin të shkonte në fshatin Ramun dhe të merrte armatim, që aty e kishte lënë dikur Komandanti, Legjendar Adem Jashari. Ai me bashkëluftëtarët Shefqet Kabashi, Bashkim Kabashi, Nikë Frroku dhe Muhamet Ismajli armatimin e dërgon në destinacionin e caktuar. Në atë aksion, deri në fshatin Ozdrim të Skënderajt, ata i kishte bartuar Avdi Kabashi me traktorin e tij. Atje i kishte pritur grupi i luftëtarëve Sahit Jashari, Sylejman Selimi e Gani Thaçi. Aksioni ishte vlerësuar lart nga ushtarakët e zonës së Drenicës, meqenëse asokohe atje ndihej mungesë e municionit.
Jahë Kabashi ka marrë pjesë në stërvitjet ushtarake në Jabllanicë, të udhëhequra nga komandantët Toni e Mici.
Më 25 Mars të vitit 1998, Jaha ishte kyçur në një njësit të rregullt ushtarak, në Abri të Drenicës, ku kishte vepruar dhe kishte marrë pjesë në luftime deri në shtator të vitit 1998. Fillimisht ishte sistemuar në pikat mbrojtëse të fshatit Abri, së bashku me mikun e vet, Afrim Hajdari si dhe bashkëluftëtarët Valdet Xhemajli e Vesel Demaku.
Me disa bashkëluftëtarë kishte shkuar për furnizim me armatim, në Shqipëri. Në një fletëdëshmi të lëshuar nga eprori Hysni Shabani, thuhet se: “Jahë Kabashi gjatë kësaj kohe ka bërë furnizim me armë të këtij njësiti, duke dërguar grupe ushtarësh në Shqipëri, atje i ka armatosur dhe i ka kthyer në njësi pa probleme. Ka qenë dy herë me grupe të mëdha ushtarësh falë edhe faktit se ai e njihte terrenin në Dukagjin, kishte disa tezakë në fshatin Voksh të Deçanit dhe kishte edhe dajallarët e babës në Shqipëri”.
Në periudhën, maj-shtator të vitit 1998 Jaha bënte pjesë në njësitin “Guri” të Brigadës 113 “Mujë Krasniqi”. Pastaj pas kthimit në zonën e Dukagjinit, ishte pjesëtar i njësisë speciale të Brigadës “Myrtë Zeneli”, në fshatin Jabllanicë.
Përveç në zonën e Dukagjinit dhe të Drenicës, Jaha kishte marrë pjesë edhe në betejën e zhvilluar në Bardh të Madh afër Kastriotit, në Llapushnik, në Malishevë, të Rrasat e Rahovecit, në Kralan, Jabllanicë, Rashiq dhe në beteja të tjera. Në Dushkajë, kishte bashkëluftëtarë Lec Berishën, Alush Agushin e të tjerë.
Me lejen e komandës, më 17 dhjetor të vitit 1998, Jaha shkoi në pushim disaditorë në familjen e tij në fshatin Zahaq, pasi kishte dëgjuar se e shoqja Zahidja, së bashku me djalin, Lindin dhe me vajzën, Arianën, ishin kthyer në shtëpi, nga Sarajeva ku kishin qëndruar që nga 22 gushti i atij viti, pas largimit nga fshati Abri. Natën e 21 dhjetorit, lagjja e Kabashëve në Zahaq ishte rrethuar pasi policia kishte marrë informatën se Jaha ndodhej në shtëpi. Jaha, Shefqeti dhe Bashkimi i bënin roje çdo natë, por para mëngjesit, forcat policore serbe kishin sulmuar në befasi. Pas thirrjes së të motrës, Timës: “Qohu se qenkem rrethuar!”, Jaha del me shpejtësi për të shkuar te vendroja. Dy policët që kishin depërtuar te dera e shtëpisë ishin përpjekuar ta ndalonin, por kur i afrohet vendit ku e kishte armën, polici tjetër e kishte goditur në gjoks. Pastaj kishte pasuar bastisja e familjes së Jahës dhe rrahja e meshkujve dhe e mysafirëve që ishin në atë lagje. Serbët kishin arrestuar Shefqet, Avdi dhe Bashkim Kabashin, të cilët më vonë u gjykuan në Serbi dhe u dënuan me nga 7 vjet burg.
Trupi i dëshmorit, Jahë Kabashi u varros më 23 dhjetor të vitit 1998 në varrezat e fshatit Zahaq, nën kontrollin dhe vëzhgimin e forcave të mëdha policore serbe.
Edhe djali i axhës së dëshmorit, Bashkim Kabashi, në vitin 2005 ka vdekur si pasojë e plagëve të rënda të cilat i mori në Burgun e Dubravës. Masakrën serbe në këtë burg e kishin përjetuar edhe Avdiu dhe Shefqeti.
Jaha ishte i martuar me Zahide Hajdarajn nga fshati Abri, të cilët kishin dy fëmijë: Arlindin dhe Arlindën. Zahidja kujdeset për dy fëmijët dhe jeton në Zahaq. Ajo gëzon pensionin familjar të dëshmorit. Ai ka lënë vëllezërit: Cenën dhe Ramën si dhe motrat: Timën, Cymën, Buten e Hasimen.
Në fshatin Zahaq, familjarët e dëshmorit Jahë Salihu kanë vënë pllakë përkujtimore për të.
Familja e tij ka marrë mirënjohje për dëshmorin nga SHP i UÇK-së, nga komanda e Zonës Operative të Dukagjinit, nga Ministria e Mbrojtjes e Qeverisë së Përkohshme të Kosovës dhe nga shoqatat e luftës. (A. Q.)

Kontrolloni gjithashtu

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Dëshmori i kombit, Ilmi Aliu, u lind në Izbicë të Drenicës, në vjeshtën e vitit …