Fatmir Dalip Selmani (2.4.1976 - 24.12.1998)

Fatmir Dalip Selmani (2.4.1976 – 24.12.1998)

Fatmir Selmani u lind më 2 prill 1976 në fshatin Vendenis (ish-Gllamnik) të Besianës në një familje atdhetare. Prindërit, Vahidja e Dalipi kishin edhe nëntë fëmijë të tjerë: Jakupin, Fehmiun, Aliun, Xhevdetin, Fatimen, Shukrinë, Nazifen, Bahrien dhe Remzien. Fatmiri shkollën fillore e kreu në fshatin e lindjes, kurse të mesmen në Besianë. Me daljen në skenë të UÇK – së, Fatmiri u interesua t’u bashkohet radhëve të ushtarëve të lirisë. Këtë e kishte shprehur edhe në bisedë me kushëririn e tij, Avniun (dëshmor i kombit). Në nëntor të vitit 1998, Fatmiri bashkë me Avniun caktohet në detyrën për vëzhgim në fshat. Pas fillimit të organizimit të UÇK – së në fshatrat përreth magjistrales Prishtinë – Besianë, Fatmiri së bashku me Avniun dhe kushërinjtë e tjerë, Avdiun e Agimin kontakton me komandantin Bashkim Qerimi – Hoxha, kur edhe fillon stërvitjet ushtarake. Në periudhën 24 – 28 dhjetor 1998 në Llap u zhvillua njëra ndër betejat më të ashpra ndërmjet forcave të UÇK-së dhe forcave ushtarake, policore e paramilitare serbe. Kjo betejë është e njohur si Beteja e Llapashticës, e cila u zhvillua në një territor më të gjerë, duke filluar nga Vendenisi (ish-Gllamniku) e deri në Kastrat (ish-Obrançë). Këtë betejë e përballuan ushtarët e Zonës Operative të Llapit të UÇK-së, përkatësisht brigadat 151 dhe 152. Më 24 dhjetor 1998, Fatmiri në këtë kohë ishte në detyrën e vëzhguesit. Ai qysh në mëngjes kishte vërejtur se fshati po rrethohej nga forcat serbe dhe për situatën i njofton eprorët e tij, përkatësisht komandant Shpatin. Në këto rrethana, Fatmiri vendoset në pozicionin në anën e djathtë të magjistrales Prishtinë- Besianë, së bashku me ushtarët Lulzim Restelica, Mentor Toplica, Shpëtim Beselica (Studenti), Abdyl Cakiqi, Agim Selmani, Avni Selmani (dëshmor i kombit) dhe Nexhmi Mani. Granatimet e okupatorit drejtë pozicioneve të UÇK-së fillojnë në orët e mëngjesit të 24 Dhjetorit, ku u përdor armatim i rëndë, tanket, minahedhësit e kalibrit 62 mm – 120 mm etj. Qëllimi i forcave pushtuese ishte ta thyejnë frontin dhe të depërtojnë te Shtabi i UÇK-së të ZOLL-it në Lalpashticë të Epërme. Mirëpo, qëndresa e ushtarëve të lirisë ishte heroike dhe qëllimi i pushtuesit nuk u realizua dot..
Rreth orës 11 të ditës bëhet e ditur për tre ushtarë të plagosur nga predhat e artilerisë serbe, të cilët ishin të vendosur në pozicionet e anës së djathtë të magjistrales Besianë – Prishtinë dhe këta ushtarë ishin vëllezërit Fatmir dhe Avni Selmani. Pranë tyre ishte plagosur më lehtë edhe Avdyl Cakiqi. Bashkëluftëtarët i tërheqin të plagosuarit dhe i vendosin në shtëpinë e Ramadan Abdullahut, ku ua jep ndihmën e parë mjeku Ali Lahu. Rreth orës 15 të 24 dhujetorit 1998, Fatmir Selmani nuk arrin t’u përballojë edhe më tej dhembjeve të plagëve dhe kalon në përjetësi. Familja e Brahë Selmanit këtë ditë dha katër djem për lirinë e Kosovës, dy nga ta Fatmiri e Avniu tashmë dëshmorë dhe vëllezërit Hetemi e Zeçiri martirë të lirisë. Dëshmori Fatmir Selmani u varros më 25 dhjetor, në varrezat e fshatit Vendenis, të njëjtën kohë me varrosjen e trupave të Avni, Hetem e Salih Selmanit dhe të Mirsad Abdullahut. Pas përfundimit të luftës çlirimtare dëshmorëve Fatmir e Avni Selmanit, si dhe të martirëve të rënë në atë rast, familjarët ua ngritën lapidarin te varret.
Figura e Fatmirit dhe Avniut janë skalitur edhe në lapidarin te Tabet e Llapshaticës, që simbolizon heroizmin e Betejës së 24 Dhjetorit dhe të betejave të tjera të zhvilluara në trevën e Llapit. Për dëshmorin Fatmir Selmani janë thurur këngë dhe poezi, ndërsa familja për kontributin e dëshmorit dhënë për lirinë e Kosovës është nderuar me mirënjohje nga Qeveria e Përkohshme e Kosovës, SHP i UÇK-së, SHFD të Besianës etj. (M. K.)

Kontrolloni gjithashtu

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Dëshmori i kombit, Ilmi Aliu, u lind në Izbicë të Drenicës, në vjeshtën e vitit …