Çfarë përmban dhe çfarë paraqet Marrëveshja ushtarake e Kumanovës në mes të KFOR-it dhe ushtrisë jugosllave, nënshkruar më 9 qershor 1999, sipas së cilës operacionet luftarake në nënqiellin e Kosovës përfundojnë më 12 qershor 1999 duke detyruar forcat serbe të tërhiqen.
Ja disa pyetje të cilat nuk kanë përgjigjet e duhura as tani afër 18 vjet pas përfundimit të luftës:
Kjo tërheqje, sipas marrëveshjes ishte e përhershme, apo e përkohëshme?
Çfarë duhet të përmbushin shqiptarët dhe përfaqësuesit e tyre nga kjo marrëveshje?
A mund të merret për bazë kjo marrëveshje edhe për çarmatimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës?
A ishte dhe a është detyruese kjo marrëveshje e nënshkruar pa pjesëmarrjen e shqiptarëve, edhe për shqiptarët sot?
Sa ka të bëjnë demarkacioni i kufirit me Malin e Zi dhe i ashtuquajturi Asociacion e komunave serbe në Kosovë pikërisht me këtë marrëveshje?
Po muri i Mitrovicës, a ka të bëjë diç me këtë?
Po të drejtat skajshmërisht të tepruara dhe të rezervuara për serbët në Kosovë, a dalin si prodhim i kësaj marrëveshje?
Sa po i përmbahet pushteti i Kosovës, qeveria, Kuvendi dhe presidenca pikërisht kësaj marëveshje?
A kanë gisht përfaqësuesit e politikës aktuale shqiptare në gjithë këto lojëra të rrezikshme prapa shpinës së popullit të tyre?
Mund të radhiten pa mbarim pyetje lidhur me këtë temë, pa pasur mundësi të gjinden përgjigjet e sakta dhe faktet që dokumentojnë pikëpyetjet e pafundta për këtë. Por unë dua të parashtroj vetëm një pyetje: A e di populli shqiptar i Kosovës çfarë përmban dhe çfarë paraqet Marrëveshja ushtarake e Kumanovës e nënshkruar nga përfaqësuesit ushtarak të KFOR-it dhe ish ushtrisë e policisë jugosllave? A ua kanë treguar të vërtetat e prapa kulisave, aty ku i kanë mbushur xhepat e vet në dëm të popullit shumë “politikanë” të sotëm të Kosovës?
Pikërisht të njëjtit që i kemi mbi qafë qe hiç më pak se gati 18 vite?
Po populli a ka kërkuar dhe a po kërkon llogari prej tyre?
Të paktën, kur do të kërkojë llogari?
Ky dokument është gjetur në stacionin e policisë në Artanë, kur ai u mor nga ushtarët e UÇK-së, dhe është dokument autentik origjinal, ashtu siç ua kanë shpërndarë ushtria dhe policia jugosllave të gjitha stacioneve policore dhe postave ushtarake.
Ka shumë pyetje dhe shumë pikëpyetje të cilat vetëm populli vetë mund t’i sqarojë dhe t’i zgjidh!
23.12.2016