Jakup Krasniqi

Jakup Krasniqi: Vlerën e mbron vetëm ai që e njeh dhe e çmon pa hile

 Sesi m’u kujtua ajo rrëfenja për plakun e urtë, i cili, për t’i treguar të birit se vlerën dhe gjënë e çmuar nuk mund ta dijë mbathësi i gomarëve, i dha birit një gur diamanti. Djali shkoi te mbathësi i gomarëve dhe i tha: “E kam një gur për ta shitur, sa po e merr?” Mbathtari i tha: “A nuk po e sheh sa gurët i kam përreth?” Djali u kthye në shtëpi dhe i tha të atit: “Mbathtari i gomarëve më tha se gurë kishte me bollëk.” “Mirë”, i tha Plaku i urtë, “tash shko te argjendari, madje provo te disa argjendarë.”

Djali e mori diamantin dhe shkoi te argjendari i parë. E pyeti: “Dëshironi ta bleni këtë gur diamnati?” Argjendari e mori gurin dhe e shikoi me syrin e një gjahtari diamantësh. “Po”, tha,“t’i jap 200.000 euro për të.” Djali vazhdoi te i dyti. Edhe ai e vlerësoi dhe i oforoi 300.000 euro. Djali nuk pranoi dhe vazhdoi rrugën te tjetri. I treti i tha:“Ky diamant është i rrallë, nga unë i ke 500.000 euro.” Në fakt, i treti e vlerësoi aq sa ishte vlera e vërtetë e tij. Djali nuk e shiti dhe erdhi i tregoi babait atë që i kishte ndodhur.

Plaku i tha djalit: “Biri im,vlerën e çmon vetëm ai që e njeh pa hile dhe e pranon si të tillë! Të tjerët, ose nuk dinë, ose janë mashtrues. Këta të fundit janë me shumicë në fisin tonë o bir, prandaj mos prit të të vlerësojë i pavleri edhe nëse ai është mbret! As shkolla nuk të bën, njeri e as mbret. Duhet ta kesh cungun biri im për t’u bërë udhëheqës i fisit! Në fisin tonë, biri im, ka shumë mohues të vlerave. Sundimtarët e huaj na i lanë disa zakone të liga biro! Duhet të rrish sa ma larg tyre!…”

Plaku e shikoi të birin se po e dëgjonte me vëmendje, ndaj vazhdoi:

“Shpesh ndodh që edhe mbreti të jetë kryemashtruesi, mbase edhe kryebanditi! Fisi i mençur duhet të ketë kujdes se kë po e vendos në kryevend! Vështirë e ka fisi të shohë përparim e drejtësi! Në kuvende e pleqni, biri im, fisi duhet ta dërgojë më të mirin mashkull, më të mençurin, më të guximshmin dhe më të palakmueshmin. Se vetëm të tillëve fjala u ka peshë dhe u zë vend. Lakmia, kajta, e prish burrin… Fisi ynë, biri im, e ka besën, e ka fjalën me peshë. ‘Po-ja qare dhe Jo-ja qare’, kanë thënë qyshkur të moçmit, biro! Sikurse që thoshin për Xhemajl Abrinë, i cili kurrë s’e merrte kajtën me vete kur shkonte në kuvende. Dhe kullat që ngriste kudo në vatanin tonë nuk ia shembte asnjë tërmet! Drejtësia i duhet fisit, biri im! Pa drejtësi na merr pusi, na merr Drini! Dhe, mos harro kryesoren: nga një kollomoq bëhet edhe në bajgë kali!” Kështu, plaku i urtë, i dha një mësim të mirë të birit! I dha një mësim jete që reflekton çuditërisht edhe në ditët tona!

Kontrolloni gjithashtu

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Shkollave shqipe në Zvicër në kuadër të Lidhjes së Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë “Naim Frashëri” …