leoni

Skenderaj komuna më e qetë në Kosovë

Në mbledhjen e fundit për vitin 2016, këshilli komunal për siguri në bashkësi (KKSB) ka diskutuar për disa çështje që kanë të bëjnë më situatën e sigurisë në komunën e Skenderajt, funksionimin e KLSP-ve dhe EVSB-ve, përgatitjet për sezonin dimëror dhe për masat parandaluese për mënyrën e përdorimit të mjeteve piroteknike.

Në hapje të takimit nënkryetari i Komunës së Skenderajt Fadil Nura, është shprehur i kënaqur për aspektet e sigurisë së përgjithshme në komunën e Skenderajt, duke përmendur si shqetësues rritjen e numrit të aksidenteve në komunikacion. Më këtë rast z. Nura ka përmendur bashkëpunimin e mirë në mes të institucioneve lokale dhe Policisë së Kosovës.

Zëvendëskomandanti i Stacionit të Policisë në Skenderaj, toger Agim Idrizi, ka thënë se situata e përgjithshme e sigurisë në Skenderaj është e mirë, duke theksuar se Skenderaj vazhdon të mbetet komuna më e qetë në Kosovë. Toger Idrizi ka theksuar si shqetësues faktin se në periudhën 11 mujore të këtij viti krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar ka pasur rritje të numrit të aksidenteve në komunikacion. Ai po ashtu ka prezantuar shifrat e veprave penale të cilat janë më të ulëta se në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar për 16.8 %. Ndërsa sipas të dhënave zyrtare është rritur numri i kundërvajtjeve për 13.2 %, që rrjedhimisht ka rritur edhe numrin e tiketave të shqiptuar për 20 %.

KKSB në këtë takim ka diskutuar edhe për funksionimin e trupave të tjerë të sigurisë siç janë KLSP-të dhe EVSB-të, ku u kërkua aktivitet më i madh në rritjen e efikasitetit të punës së tyre.

Ndërsa sa i përket përgatitjeve për sezonin dimëror dhe mirëmbajtjen e rrugëve, nënkryetari Nura ka theksuar se Komuna e Skenderajt ka bërë përgatitjet e nevojshme për mirëmbajtje dimërore të rrugëve, duke shpresuar edhe në ndihmën e qytetarëve dhe policisë në këtë drejtim.

Sa i përket masave parandaluese për mjetet piroteknike u konstatua se këtë vit deri më tani dukuria e përdorimit të mjeteve piroteknike nuk ka qenë shumë e shprehur, përkatësisht qytetarët kanë përdorur shumë më pak mjete të tilla se sa viteve të kaluara. Anëtarët e KKSB-së u informuan me një fushatë vetëdijesimi që ka ndërmarrë Qendra Rinore Publike në bashkëpunim me DKRS-në në ngritjen e vetëdijes së qytetarëve për rrezikun e përdorimit të pakontrolluar të mjeteve piroteknike.

Kontrolloni gjithashtu

Kuvendi komunal i Rahovecit mbajti mbledhjen e rregullt të njëmbëdhjetën për këtë vit kalendarik

Udhëhequr nga Kryesuesi – Arbër Zenuni, u mbajt seanca e muajit nëntor, e njëmbëdhjeta e …