Çështja e veteranëve dhe kategorive të tjera të luftës, që në fillim ka hyrë në rrugë qorre dhe nuk e vënë dot në rrugë të drejtë, ata që i kanë kontribuar stërkeqjes, deformimit dhe abuzimit, me qëllim përfitimi të klaneve dhe grupeve të interesit.
Duke qenë pjesë e luftës, që në periudhën e hershme, ndërsa pjesë e Lëvizjes Kombëtare prej vitit 1964, marr përsipër të reagoj me fakte e argumente lidhur me kategoritë e luftës, lidhur me qasjen anti humane pse jo edhe antikombëtare, që iu ka bërë tërë procesit, i cili tanimë ka degraduar në pozitë të pazgjidhshme.
Fillimisht duhet pasur para sysh faktin se në luftën e UÇK-së nuk ka pasur më shumë se 18.000 veteranë, brenda dhe jashtë Kosovës. Përcaktimi i numrit të saktë të veteranëve ka qenë dhe ende është i mundur, sikur të aplikoheshin kritere rigoroze, të bazuara në fakte e dëshmi relevante, që lidhen me strukturat organizative të UÇK-së, duke filluar nga njësitë, togjet, batalionet dhe brigadat. Të gjitha zonat operative të luftës kanë pasur shënime për luftëtarët dhe për të gjithë ata që e kanë ndihmuar materialisht. Më vonë, pas luftës TMK-ja ka pasur regjistrin e plotë të pjesëmarrësve në luftë dhe të pjesëtarëve të saj aktivë she rezervë. Në të gjitha konsultimet dhe bisedat që janë zhvilluar mbi numrin e pjesëmarrësve në luftën e UÇK-së, ka qenë evidente e dhëna se numri sillet prej 16.000 deri në 18 mijë, duke përfshirë edhe logjistikën, shtabet civile-ushtarake, Sektorin e Shëndetësisë, Fondin “Vendlindja Thërret” dhe strukturat të tjera të organizuara në Kosovë, Shqipëri dhe mërgatë.
Mirëpo e keqja, që e bën të pamundur këtë problematikë janë mujsharët dhe profiterët e luftës, ata që gjatë tërë kohës së luftës treguan kujdes të madh të ruhen, madje as të mos gërvishten, dhe në fund të marrin frerët, jo për vetë luftën e çlirimin e Kosovës nga robëria, por për kthimin e vlerave të luftës në kapital politik, tregtar, ekonomik dhe shoqëror. Pleksja e politikës në shoqatat e luftës ka përçarë veteranët, invalidët e familjarët e dëshmorëve. Dhe kulmi ndodhi kur 15 vjet pas luftës, Qeveria formoi një komision dhe shpalli konkurs për kategori të luftës, me të drejtë aplikimi të cilido qytetar të Kosovës, qoftë edhe atij që ka thënë një gotë ujë, qoftë atij që ka shërbyer vetëm një ditë në UÇK, atij që ka spiunuar për njërin apo klanin tjetër dhe të gjithë të interesuarve për të marrë një status të caktuar të veteranit, pjesëtarit, pjesëmarrësit, invalidit, etj.
Është gjë krejt e natyrshme që në konkurset publike të aplikojnë njerëzit, meqë ishte propaganduar se paga mujore do të kalonte 200 euro dhe rezultati i këtij aplikimi ishte katër fish më i madh.
Po të ishte kërkuar verifikimi fiktiv i veteranëve, sa për vërtetim moral, në shërbim në kombit atdheut, e them me përgjegjësi se nuk do të kishin aplikuar as 15 mijë prej tyre, por fakti se ishte paraparë që ata do të merrnin pagë mujore, vuri në lëvizje tërë një makineri mashtruesish, matrapazësh, parazitësh që kanë penguar luftën, mijëra nga ata që kishin dezertuar dhe pas luftës morën uniforma të reje e të hekurosura në Shqipëri e Maqedoni dhe hynë “triumfalisht” në Kosovë, mijëra faqezi që e kanë sharë dhe e shajnë luftën dhe tërë një soj-sorollop që nuk lënë gur pa lëvizur për të zhvatur, për të përfituar, për të ndukur diçka, gjithnjë duke u ankuar, gjithnjë duke u paraqitur viktimë, si të papunë apo të varfër.
Komisioni Qeveritar për Verifikimin e kategorive të luftës kishte qenë i detyruar të pranonte çdo aplikacion, me qëllim për të verifikuar statusin dhe në fund doli se gjysma e atyre që kishin aplikuar të shpalleshin veteranë. Më vonë u shpallen edhe 20 mijë të tjerë të cilët ishin refuzuar. “Suma sumarum”, të gjithë aplikantët na dolën veteranë e invalidë. U shtua edhe numri i dëshmorëve nga 1930, sa ishte në fund të luftës në më shumë se 2300. Numri i invalidëve u trefishua, nga rreth 1400 sa ishin evidentuar pas luftës, tani numri arriti në 4500.
Kush mbanë përgjegjësi për këtë dështim, për këtë degradim fatal të vlerave luftës?
Kush mbanë përgjegjësi për shpalljen veteranë të mijëra dezertorëve, që cilët ikën nga lufta dhe u kthyen fitimtarë pasi mbaroi ajo, pasi NATO-ja hyri në Kosovë?
Dihet fare mirë se në Dukagjin me rastin e dezertimit të Tahir Zemës, në verë të vitit 1998 Ramush Haradinajt i kishin mbetur vetë 60 ushtarë besnikë. Nuk mund të fajësohen të gjithë ata që ikën me urdhër, sepse disa pa vonuar edhe u kthyen, por një shumicë syresh erdhi në Kosovë pas mbarimit të luftës. Jo vetëm në Dukagjin ka ndodhur kështu. Ngjashëm ka ndodhur edhe në Zonën e Pashtrikut, pas intervenimit të NATO-s kundër makinerisë serbe në prill të vitit 1999 kur disa brigada të kësaj zone, të cilat në pamundësi për t’ i rezistuar makinerisë serbe kishin kërkuar nga ushtarët t’ia mbathin ku të mundnin, ndërsa disa syresh kishin shpëtuar duke ikur në Shqipëri.
Si ndodhi që Zona e Llapit pesëfishoi numrin e veteranëve?
Si ndodhi gara mes Zonës së Drenicës dhe Dukagjinit për të shpallur sa më shumë veteranë?
Kush duhet të mbajë përgjegjësi për shpalljen veteran të atij që ka qenë vetëm njëherë në zonat e luftimeve?
Nëse një i tillë ditën e kyçjes në UÇK është vrarë, ai është i shpallur dëshmor apo martir.
A fitohet apo humbet kredibiliteti dhe vlerat e luftës duke rritur artificialisht numrin e pjesëmarrësve në luftë?
Një digresion
Pas luftës së Dytë Botërore, kur komunistët e Fadil Hoxhës morën pak pushtetin vasal të Beogradit e Titos në Kosovë, me qëllim për ta rritur numrin e partizanëve, që ishte tejet i vogël, ishte marrë vendimi që me dy dëshmitarë të caktuar të shpallej pjesëmarrja në Luftën Nacionalçlirimtare, Antifashiste. Zhbiruesit dhe hafijet e asaj kohe, ata që kishin spiunuar herë te ballistët, herë te ata pak partizanë shqiptarë, u shpallen luftëtarë dhe morën pensione jetësore, jo sa vlera e sotme 170 euro, por më shumë se 600 apo 700 euro, po të kemi parasysh vlerën e dinarit të asaj kohe. Pastaj partizanët e Fadil Hoxhës bënë përpjekje ta shkruajnë monografinë me emrat e dëshmorëve partizanë në edicionin: “Flaka e revolucionit”. Sapo arritën në numrin e shtatë, e ndërprerën botimin, sepse nuk u dolën më shumë se 160 dëshmorë dhe shumica syresh ishin serbë e malazezë të Kosovës.
E njëjta po ndodh edhe me veteranët e UÇK-së. Tani regjistrohesh veteran jo me dy dëshmitarë, si në kohën e Fadil Hoxhës, por vetëm me një nënshkrim të një komandanti të papërgjegjshëm, apo të blerë me para. Me nënshkrimin e dy mjekëve të luftës shpallesh invalid, pa qenë kurrë në luftë, ose pa pësuar asnjë gërvishtje.
Nuk ka mbetur tjetër, pos për një çast të përkujtojmë shkrimtarin dhe poetin e madh, Ali Asllani, i cili duke iu referuar mujsharëve të kohës së tij kishte shkruar: Hani, pini dhe rrëmbeni, është koha e çakejve, hani, pini e rrëmbeni, është botë e maskarenjve. Deri këtu ka arritur degradimi i luftës së UÇK-së dhe krejt kjo është bërë me udhëheqjen e një politikë tinëzare e perfide, me qëllim për të degraduar vlerat e vërteta të luftës sonë çlirimtare dhe me qëllim të krijimit të bindjes se nuk dihet kush ka luftuar, apo a ka pasur fare luftë, përderisa është lejuar të barazohet tradhtari me heroin, luftëtari me dezertorin, ai që ka luftuar më shumë se 1o vjet, të barazohet me atë të ka qenë vetëm një natë në UÇK. Krejt kjo fushatë po bëhet me qëllim që kur të fillojë punën Gjykata Speciale kundër UÇK-së, të degradohet përfundimisht koncepti i luftës çlirimtare. Lufta e UÇK-së nuk i hëngri bijtë e saj, por bijtë e saj shkapërdarë po e hanë dhe po e degdisin në humnerë. Të shpresojmë se një pjese të mujsharëve, nga ata që janë dëshmitarë të mbrojtur të Tribunalit, dhe që mjerisht kanë vepruar nën uniformën e UÇK-së, të ua zë frymën gjaku i derdhur rrëke për liri, sepse ai gjak kurrë nuk do të zbehet nga memoria kombëtare. (Ahmet Qeriqi)