(Fle tokë mbi ta, fle mbi këta shpirtra të pafajshëm…)
Duke recituar vargje këngësh popullore nga tradita, banorët e Eufratit vajtojnë me dhembje më të dashurit e tyre… Plaku Abu Amxhad fillon të rrëfejë se, në Al Kurijah të provincës, Dair al Zur, e cila ditën e shtunë ishte në shënjestër të sulmeve ajrore të Rusisë, janë vrarë mizorisht dhjetëra civilë, shumica syresh gra e fëmijë. Duke nxjerrë një ofshamë të thellë, me qëllim për të marrë pak forcë, Abu Amxhadi rrëfen: Në mëngjes kur u panë avionët, isha larg shtëpisë. Pastaj u dëgjua krisma e eksplodimit të parë. Në atë çast më lëshuan këmbët… të gjithë filluan të vrapojnë dhe unë doja ta ndaloja dikë e ta pyesja se ku goditën avionët, por të gjithë ishin të frikësuar e të habitur… pas pak dëgjuam edhe eksplodime të tjera të njëpasnjëshme. Ndërkohë erdhi automobili, i cili më dërgoi në vendin ku jetoj. Shihja banorët duke vrapuar të tmerruar ndërsa vendin e kishte kapluar një shtresë e dendur e pluhurit. Asgjë nuk shihej… Pas pak fillova të dalloj pjesët e bëra copë-copë të bijve dhe nipave të mi, që ishin shpërndarë gjithandej. Ishte një pamje e pa përshkruar e tmerrit.
Njerëzia filluan të mbledhin copat e trupave të sakatuar ndërsa i dërgonin në automobil ata që jenin shenja jete. Nuk kam arritur të bëj asgjë vetëm kam qëndruar si i ngujuar duke qarë nga tragjedia që më kishte kapluar. M’i kanë mbytur mizorisht bijtë dhe krejt familjet e tyre. Të gjithë tani janë nën këtë tokë. Avionët rusë kanë bombarduar objektet e banimit, tregun, xhamitë. Eksplodimet ishin të tmerrshme të fuqishme dhe shkatërruese. Për shkak të tragjedisë dhe numrit të madh të të vrarëve të rinjtë nga Al-Kurijah kanë filluar të hapin varrezën dhjetë metra të gjatë për t’i varrosur martirët e këtij bombardimi. Plaku, Abu Amxhad ka marrë pjesë në hapjen e varrezave. Me duar e veta ka lëshuar në dhe dy bijtë dhe nipat e tij, në vendin ku janë varrosur të vrarët e tjerë nga pasojat e bombardimit mbi banorët e Al-Kurijahut, ku krahas dhjetëra të vrarëve shumë të tjerë kanë marrë edhe plagë të rënda. Kanë mbetur edhe shumë trupa të tjera nën rrënojat e ndërtesave të shembura e të shkatërruar nga bombardimet. Duke qenë se trupat janë copëtuar ka qenë e vështirë të identifikohen të gjithë të mbyturit…
(Rrëfim për njërën nga qindra tragjedi, që ka pësuar dhe po pëson popullata civile në Siri, botuar në Al Xhazira)