Urimi i Komunës së Skenderajt me rastin e Vitit të Ri

Në urimin e komunës së Skenderajt  me rastin e ndërrimit të moteve thuhet: Të nderuar qytetarë të Skenderajt, po përmbyllim vitin 2016 si vit të sukseseve tona të përbashkëta, por edhe i sfidave të përbashkëta për ne si institucione por edhe për ju si qytetarë të këtij vendi.

Viti që po lëmë pas ka shënuar progres në drejtim të realizimit të interesave  jetike të qytetarëve. Janë realizuar projekte dhe aktivitete të shumta me qëllim të përmirësimit të jetës suaj. Angazhim yni kryesor ka qenë dhe mbetet përmirësimi i jetës së qytetarëve. Në këtë aspekt në vitin 2016, Komuna e Skenderajt ka realizuar investime serioze. Kur e bëjmë bilancin e të arriturave mund të konstatojmë se jemi të kënaqur me të arriturat në fushën e infrastrukturës dhe ngritjes së kapaciteteve qeverisëse.

Janë hapur dhe asfaltuar shumë rrugë në tërë territorin e komunës. Janë bërë hapa konkret dhe të rëndësishëm në thithjen e investimeve nga jashtë, me qëllim të përmirësimit të gjendjes ekonomike të qytetarëve të Skenderajt. Progres ka pasur edhe në fushat e tjera në kompetencë të komunës.

Pavarësisht bilancit pozitiv të punës sonë të përbashkët, edhe këtë vit sfida më e madhe për ne ka qenë mungesa fizike dhe e padrejtë e Kryetarit Sami Lushtaku në vendin e tij të punës, si i zgjedhuri i shumicës së qytetarëve të Skenderajt. Kjo mungesë ka qenë hendikep i madh për ne të gjithë. Këtë hendikep jemi munduar ta minimizojmë me angazhim shtesë të të gjithëve. Ne vazhdojmë të besojmë se procesi i padrejtë ndaj z. Lushtaku do të përfundoj shpejt dhe pozitivisht, pasi, dënimi i tij është i padrejtë dhe i pafaktuar.

Të nderuar qytetarë të Skenderajt, besojmë se viti 2017 do të jetë vit i sukseseve tona të përbashkëta. Sfidat e së ardhmes do t’i tejkalojmë së bashku, me mirëkuptim dhe respekt të ndërsjellë.

Ju sigurojmë të gjithëve se edhe në vitin 2017 do të vazhdojmë me ngulm dhe me sinqeritet të plotë angazhimin tonë në drejtim të përmirësimit të mëtutjeshëm të jetës suaj të përditshme, obligim ky parësor për ne.

Me rastin e ndërrimit të moteve ne përcjellim urimet tona më të sinqerta për të gjithë qytetarët e Skenderajt, në veçanti për Familjen e Komandantit Legjendar Adem Jashari, Familjet e Dëshmorëve, për Invalidët dhe Veteranët e Luftës, për të gjithë fëmijët që janë e ardhmja jonë.

Urojmë që viti 2017, të jetë vit i realizimit të aspiratave tona për jetë më të mirë.

Urojmë që viti 2017, të sjellë për ju shëndet, harmoni dhe begati.

Urojmë që viti 2017, të na gjej edhe më krenarë për të kaluarën tonë, edhe më të përkushtuar për të ardhmen tonë.

Gëzuar 2017!

Kontrolloni gjithashtu

Kuvendi komunal i Rahovecit mbajti mbledhjen e rregullt të njëmbëdhjetën për këtë vit kalendarik

Udhëhequr nga Kryesuesi – Arbër Zenuni, u mbajt seanca e muajit nëntor, e njëmbëdhjeta e …