Adil Fetahu

Adil Fetahu: Libër i ngjeshur me ngjarje dhe informacione interesante

(Luz P. Thaçi: “Dëshmi në kohë” – publicistikë, Prishtinë-New York, 2016)

Disa vjet të fundit gjithnjë e më shumë po botohen e lexohen libra të zhanrit të publicistikës, për ngjarjet aktuale politike, shoqërore, kulturore e për tema tjera. Këto janë vepra të një zhanri të angazhuar në gazetari e literaturë, me ide, përzgjedhje, interpretime e konkludime të autorëve, për procese, ngjarje, vende dhe personalitete të ndryshme. Një i tillë është edhe libri i gazetarit e publicistit, politikologut e juristit Luz P.Thaçi, mërgimtar nga Klina, i cili qe një çerek shekulli punon e jeton në Amerikë. Libri mbanë titullin “Dëshmi në kohë – publicistikë”, botoi “Teuta”, Prishtinë – Njujork, 2016. Është i strukturuar në gjashtë kapituj: “Ndërkoha jonë”; “Udhëtimet e mia (reportazhe)”; “Pesha e fjalës (intervista)”; “Mendime për librin”; “Në vend të biografisë”; dhe “Fotoalbumi”.

Në shekullin e njëzet askush nuk ka vuajtur dhe nuk është keqtrajtuar më padrejtësisht se populli shqiptar. Të tjerët vendosnin për ne, e pa ne. Duhej t’i tregonim botës të vërtetën tonë të hidhur dhe aspiratat për liri, kur e vërteta jonë ishte vështirë të thuhej edhe më vështirë të dëgjohej. Në kohë e në kushte të tilla, mërgata jonë në Amerikë kurrë nuk i ka reshtur përpjekjet për plasimin e të vërtetës sonë, dhe një prej të shumtëve që një çerek shekulli kanë punuar në këtë drejtim në mënyrën e vet, me shkrime të botuara në gazeta e revista të ndryshme, ishte edhe autori i librit për të cilin po flasim këtu. Në kapitullin e parë (“Ndërkoha jonë”, fq.27-183), autori ka trajtuar aspekte të ndryshme të diasporës shqiptare në Amerikë. Kapitullin e hapë me një moto nga libri i shkrimtarit arbëresh Vinçenzo Dorsa: “Kombit tim – i copëtuar dhe i shpërndarë, por një”, dhe më tutje flet për Arbëreshët e Italisë, Arvanitasit e Greqisë, bashkësitë shqiptare në Turqi, ShBA, Belgjikë, Australi dhe mërgatën në shtetet e tjera të Evropës; raportet dhe politikat e vendeve nikoqire; aktivitetet, përpjekjet dhe problemet për ruajtjen e identitetit kulturor e kombëtar; procesin e asimilimit. Natyrisht, në pjesën më të madhe të kapitullit flet për mërgatën e vjetër, të mesme e të re shqiptare në Amerikë, e cila llogaritet se sot ka arritur numrin rreth gjysmë milioni, e që ka  ardhur nga Shqipëria, Kosova, Maqedoni e Mali Zi. Flet me emra e mbiemra për aktivistët e dalluar prej fillimit deri më sot, prej Fan Nolit e Faik Konicës e deri te Harri Bajraktari, Rrustem Geci e tjerë; për formimin e shoqërive dhe aktivitetet kulturore e kombëtare të  tyre; botimin e shtypit e të librave; për ndarjet dhe përçarjet politike që kanë ndodhur e po ndodhin në atdhe e që reflektohen në mërgatë ; për pozicionimin dhe hyrjen në sistemin amerikan dhe sa dëgjohet zëri i shqiptarëve në Vashington; luftën për ekzistencën e vet dhe daljen zot kombit e atdheut. Përkundër të gjitha vështirësive objektive e subjektive, nuk ka dyshim se diaspora shqiptare në Amerikë, me tërë potencialin e vet, me punën dhe përkushtimin e saj intelektual e politik, material e financiar, i ka shërbyer kombit në mënyrën më të mirë dhe në shkallën më të lartë të mundshme.

Në kuadër të këtij kapitulli, ka edhe shumë ese, skica, reportazhe, raporte e informata për çështje, ngjarje, probleme e personalitete të ndryshme. Në eseun “Maskat e një morali” (fq.64), flet për raportet midis shqiptarëve e serbëve dhe të tjerëve. Në “Darka përkrahëse, apo hyrja në sistem” (fq.74), flitet për lobimin dhe përkrahjen e senatorëve amerikanë për çështjen e Kosovës, jo për pavarësi veçse për kthimin e autonomisë. Një skicë për portretin e znj.Hillari Klinton, si zonjë e parë e Amerikës (107). Në dy ese për Samitin e Mileniumit të OKB-së (shtator 2000), autori jep një pasqyrë të rolit të OKB-së në botë dhe në çështjen e Kosovës, e që në mbledhjet e asaj organizate flitet për ne, por pa ne (fq.120). Një tjetër, për “Marrëdhëniet ShBA-Rusi” dhe linjën e ashpër të presidentit Bush (fq.125), apo ai për takimin e paharruar të autorit Thaçi, me gjeneralin Wesli Clark (f.135), në promovimin e librit ”Të bësh luftë moderne”, për përshtypjet e Clarkut nga takimet me S.Millosheviqin, për mospajtimet brenda anëtareve të NATO-s për të bombarduar Serbinë, për vonesën e paarsyeshme të gjeneralit Xhekson për të hy në Kosovë, për kthimin e shqiptarëve që mahniti botën, etj. Eseu për sulmin terrorist mbi Kullat binjake në Njujork, që tronditi botën (f.143), në të cilat punonin mbi 40.000 njerëz, e prej tyre supozohet se ishin nja 400 shqiptarë, ku humbën jetën 6330 veta, 250 zjarrëfikës të cilët u munduan të ndihmojnë, dhe që ai sulm shënoi një pikë kthese në luftën kundër terrorizmit ndërkombëtar.

Rrëfimi i zonjës Hillari Klinton (fq.151) në librin e saj: “Duke jetuar historinë”,  për historinë e saj, për historinë e njohjes me Bill Klintonin gjatë studimeve, në vitin 1971, për vërejtjet e vjehrrës e cila “kishte pritur qe Billi t’ia binte një nuse më të mirë në shtëpi”,  për aferën Levinski e plot rrëfime tjera, që librin e bënë një bestseller, që në botimin e parë u  botua në 1 milion ekzemplarë dhe theu të gjitha rekordet e botimeve të deriatëhershme (2003), që ditën e parë të daljes në treg u shitën 200.000 ekzemplarë, dhe që rreshti i atyre që prisnin për ta blerë librin arrinte deri 10.000 veta, ndërsa botuesi i pagoi Klintonkës 8 milionë dollarë për librin.

Në kremtimin spektakular për 100-vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë, aq masovik sa nuk mbahet mend të ketë organizuar ndonjë grup etnik tjetër në Amerikë, Menheteni frymonte shqip, i mbuluar me flamuj kombëtarë të më se dhjetëmijë shqiptrëve të ardhur nga të gjitha anët, në përurimin e këtij jubileu 100-vjeçar zonja Klinton deklaroi: “Qe 100 vjet kemi qenë me ju sëbashku, kështu do të jemi edhe në 100 vjetët e ardhshme” (fq.171). Gazeta më e madhe ditore “Dejli Njuz”, e ndihmuar nga gazeta shqiptaro-amerikane “Illyria”, atë ditë kishte botuar një shtojcë speciale në 40 faqe, me titull “Dita e shqiptarëve”.

Në kapitullin e dytë: “Udhëtimet e mia” (fq.187-285), ka përmbledhur 16 shkrime, reportazhe, skica e udhëpërshkrime, nga udhëtimet e tij në katër kontinente e dyzet shtete, duke përfshirë këtu edhe Shqipërinë dhe Kosovën. Janë veçmas interesante shkrimet për pikat turistike të vizituara në Stokholm, Palma de Majorka-n, Tripoli, Meksikë, Republikën Domenikane, Kanada, etj. Në kuadër të këtij kapitulli, ka shkrime për njerëzit tanë, shqiptarët e suksesshëm në Amerikë, si Afërdita Gjediu nga Tropoja, eksperte në Qendrën Programuese për prodhimin e anijeve kosmike, Durhan Marku nga Dibra, pronar i një hoteli impozant afër Majamit, në ballë të cilit përherë valon flamuri shqiptar. Disa shkrime impresionuese nga një takim-darke (qershor 2002) me përfaqësuesit  më të lartë të administratës amerikane: kryetari Bill e senatorja Hillari Klinton,  sekretarja e shtetit Medlin Olbrajt, senatorët Bob Dol e Eliot Engel, ambasadori William Woker etj, me ç’rast Këshilli Kombëtar Shqiptaro-Amerikan i dekoroi kryetarin Bill Klinton dhe sekretaren e shtetit Medlin Olbrajt me dekoratën më të lartë: “Duart e Shpresës”.

Disa shkrime në libër janë nga vizitat e autorit vendeve më të njohura turistike, si Akapulko (Meksikë), Punta Kana (Republika Domenikane), Niagara (Kanadë) etj, të cilat konsiderohen si parajsa e pushimeve. Po ka dhe shkrime tjera zbavitëse, dromca e çudira amerikane, si ato për testamentet me shuma marramendëse për macat e qenët; testamentin për 350 milion dollarë që i janë lënë qenit Gynter, i cili han për drekë kavijar që kushton 1000 dollarë;  për qenushin e vogël Muz, të cilit i paguhet honorari nga 10.000 dollarë për secilën episod që aktron në serinë televizive “Fraiser”; testamentin për “zonjën macë”, për varrezat dhe përmendoret adekuate të shtazëve, etj.

Kapitulli i tretë (“Pesha e fjalës”), përmbanë intervista me personalitete të ndryshme e veprimtarë të mërgatës. Nisë me bisedën e gjatë që autori ka bërë me kroatin Mate Meshtroviq, profesor universiteti në Njuxhersi, duke bërë një analizë të luftërave në Jugosllavi, e sa u përket shqiptarëve ai thotë se “të drejtën e bashkimit kombëtar askush nuk mund t’ua mohojë”. Vazhdon me intervista tjera: me prof.dr Nersina Imami, ligjëruese në Universitetin Mbretëror të Londrës; Hermina Gjoni, pianiste e njohur në skenat e Njujorkut; Ilir Zherka, drejtor ekzekutiv i Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan në Vashington, ish-këshilltar ligjor në Kapitoll Hill, i cili ka depërtuar deri në strukturat më të larta politike e shtetërore në ShBA, duke lobuar për Kosovën; Sefedin Zherka, kapiten-pilot i aviacionit, i cili kishte ka transportuar refugjatët e parë shqiptarë nga Njujorku në Shkup; Naim Latifi, kapiten-pilot, i cili  piloton udhëtime të gjata 16 orë pa u ndalë, ndërsa ëndërron ta drejtojë aeroplanin e parë në relacionin Njujork-Prishtinë;  Gjekë Gjolekaj, pronar i ShB “Publishing Company”, ish-përfaqësues politik i UÇK-së për ShBA, botues i shumë librave të zgjedhura shqip; Idriz Lamaj nga Shoshani i Malësisë së Gjakovës, veprimtar e publicist në Njujork; Dr Alan Ros, drejtor i Klinikës “Illyria” në Njujork, që në Kosovë ka zhvilluar projektin e vaksinimit të fëmijëve (1994 e 1996), i cili deklaron: “unë i dua dhe admiroj shqiptarët, se edhe ju përjetuat hollokaustin dhe mbijetuat sikurse ne” (hebrejtë); Pjetër Coli, pedagog dhe edukator social, një veprimtar i dalluar në Gjermani, kryetar i Komisionit Qendror në Gjermani për Fondin e Kosovës, që ka mbledhur 270 milionë marka gjermane, i cili ka ndërmarrë dhe organizuar dërgimin në Kosovë e në Shqipëri të ndihmave medicinale, e që ka takuar shumë personalitete të larta politike e shtetërore, ka shkruar artikuj e dhënë intervista për situatën në Kosovë; Laureta Meçi, aktore, fituese e auksionit nga 4000 vajza pjesëmarrëse, e cila ka pushtuar skenën amerikane të filmit dhe modelit; Driton Dovolani nga Prishtina, ylli botëror i vallëzimit klasik, që disa herë ka zënë vendin e parë në botë; Dr Sulejman Çelaj nga Gjakova, drejtor i Departamentit të Kardiologjisë Invazive në Spitalin “Saint Barnabas” në Njujork; Rrustem Gecaj, pronarin e 1.100 apartamenteve në Njujork, e 2247 ha tokë vreshtarie dhe Fabrikës së Venës në Rahovec. Për secilën intervistë, ka edhe foton e të intervistuarit. Libri përmbanë edhe mendimet e redaktorëve, recensentëve apo të pjesëmarrësve në promovim. Në funt, ka 13 faqe fotografi të autorit me familjarë, shokë, miqë e personalitete më të larta shtetërore të Amerikës.

Libri është ndërtuar nga  54 shkrime të autorit, me tema të një spektri të gjërë politike, kulturore, lobimi, të botuara ndër vite, prej marsit 1987 deri në dhjetor 2016, në 15 gazeta e revista të ndryshme në Kosovë, Shqipëri dhe Amerikë, me të cilat autori ka lënë gjurmë e dëshmi të kohës për ngjarje e personalitete të mëdha, por edhe senzacione të cilat janë ushqim për lexuesin e këtij zhanri. Libri është i pasur dhe i ngjeshur me informacione e të dhëna shterruese për temat dhe çështjet që iu referohet. Stili i kapshëm i të shkruarit, që është rezultat i përvojës dhe kujdesit të autorit, dhe gjuha standarde, e bëjnë leximin të lehtë e të këndshëm. Prej këtij libri, lexuesi mund të mësojë shumë gjëra për të cilat nuk ka dëgjuar më parë. Edhe pse në libër flitet për të kaluarën, aty ka mesazhe të vlefshme edhe për të ardhmen.

Kontrolloni gjithashtu

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Shkollave shqipe në Zvicër në kuadër të Lidhjes së Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë “Naim Frashëri” …