Në përkujdesje të kryetarit të Komunës së Klinës, Sokol Bashota, organizuar nga drejtoria për kulturë, rini dhe sport në Klinë, të mërkurën është mbajtur manifestimi i zgjedhjes së sportistit të vitit 2016 në Komunën e Klinës. Kryetari i Komunës së Klinës, Sokol Bashota ka uruar gjithë sportistët për rezultatet e arritura në sporte të ndryshme. “ Kemi krijuar një infrastrukturë të mirë sportive. Është rregulluar stadiumi i qytetit, Qendra Sportive “ Adem Jashari” ndërsa sivjet planifikojmë edhe ndërtimin e një fushe ndihmëse për femra dhe Qendrën Rinore”, ka thënë Bashota sipas të cilit komuna e Klinës me mundësitë e veta buxhetore ka mbështetur sportin.
“E ardhmja e të rinjve është shkolla dhe sporti. Synimi ynë këtë vit është që KF Dukagjini i Klinës të rikthehet në Super Ligën e Kosovës dhe për këtë do ta ketë edhe mbështetjen e Komunës”, pohoi kryetari Bashota. Ai vitin 2017 e quajti vit të sportit dhe premtoi stimulim edhe më të madh të rinjve që janë të angazhuar në klube të ndryshme në këtë komunë dhe që garojnë në ligat e Kosovës.
Sportist i vitit u shpall futbollisti i KF Dukagjini Emanuel Zallaj. Në mesin e sportisteve me të mirë janë edhe futbollistja Xhenifer Pjetri, Laura Prenaj- volejboll, Pirro Quni-boks, Arbnor Mustafa- gjimnastikë, Liridon Morina – ping pong, Kushtrim Bojaj-volejboll, Skënder Maxharraj-shah, Visar Haxhijaj – futboll dhe Arion Tanushi- hendboll. Trajneri më i mirë i vitit u shpall Severin Elezaj i KF Dukagjini ndërsa si sportistë më të mirë “shpresat” u shpallën Leurant Mermollaku, Klejdi Haliti, Ylberina Berisha dhe Elma Kadriu. Pedagogu më i mirë sportiv u shpall Rexhep Veseli ndërsa mirënjohje për kontribut në sport ju nda edhe udhëheqësit të sportit Xhafer Ademi dhe gjyqtarit Nazmi Raci.
Vitin e kaluar në komunën e Klinës janë themeluar ekipi i futbollit dhe volejbollit të femrave si dhe klubi i hendbollit për meshkuj.