leoni

Fitim Rifati: Në vitin 1919 Mitrovica kishte 88.50% shqiptarë dhe 11.50% serbë

Fitim Rifati: Në vitin 1919 Mitrovica kishte 88.50% shqiptarë dhe 11.50% serbë

Fitim Rifati
Fitim Rifati

Mitrovica dhe rrethina i takojnë territorit të Dardanisë antike, përkatësisht trungut iliro-shqiptar të Kosovës historike. Në gjysmën e dytë të shekullit XIX deri në vitin 1912, Mitrovica bënte pjesë si rreth (kaza) me 110 fshatra në kuadër të sanxhakut të Prishtinës të Vilajetit të Kosovës, i cili përfshinte një territor mbi 32.000 km². Pas pushtimit dhe aneksimit serb të Kosovës më 1912, Mitrovica u përfshi si rreth në kuadër të qarkut të Pazarit të Ri, ndërsa nga nëntori i vitit 1913 deri në nëntor të vitit 1915 hyri si qendër kryesore në kuadër të qarkut të Zveçanit. Gjatë pushtimit dhe administrimit austro-hungarez (nëntor 1915 – tetor 1918), Mitrovica ishte qendër e qarkut me të njëjtin emër në kuadër të territorit administrativ të Guvernatoratit Ushtarak austro-hungarez të Serbisë.

Paralelisht me ndryshimet administrative, demografia e Kosovës ka zgjuar interes të madh në qarqe të ndryshme gjatë shek. XIX dhe dy dekadat e para të shek. XX. Pos organeve administrative osmane, që bënë regjistrimin e popullsisë së Vilajetit të Kosovës, edhe organet administrative serbe, malazeze, bullgare e austro-hungareze hartuan statistika të popullsisë së Kosovës në harkun kohor të viteve 1913-1918. Në të gjitha këto statistika, popullsia shqiptare përbën shumicën e popullsisë së Kosovës. Në këtë kontekst, në studimet demografike dhe historike, zgjojnë interes edhe statistika të popullsisë së Kosovës, rrjedhimisht edhe të Mitrovicës, të hartuara nga qarqe e organizata intelektuale dhe politike shqiptare.

Kështu, Komiteti “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës”, i cili u formua më 1 maj të vitit 1918 në Shkodër, ishte një organizatë shqiptare në gjirin e së cilës u mblodhën e vepruan intelektualë e prijës të shquar shqiptarë nga Kosova dhe vise të tjera shqiptare. Qëllimi i këtij Komiteti ishte çlirimi dhe bashkimi i Kosovës (Shkupit, Kumanovës, Preshevës, Tetovës, Gostivarit, Kaçanikut, Ferizajt, Gjilanit, Prishtinës, Vushtrrisë, Mitrovicës, Pazarit të Ri, Rozhajës, Pejës, Plavës, Gucisë, Gjakovës, Prizrenit) me Shqipërinë. Që në momentin kur përfundoi Lufta e Parë Botërore (nëntor 1918), në janar të vitit 1919 Fuqitë Aleate (SHBA, Britania e Madhe, Franca dhe Italia) u mblodhën në Paris, për të vendosur mbi paqen në Evropë e rrjedhimisht edhe ndryshimin e kufijve të saj.

Gjatë kësaj kohe, Komiteti “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës” me kryetar Hoxhë Kadri Prishtinën, u tregua mjaft aktiv që Konferencës së Paqes në Paris t’i ofronte prova të pa kontestueshme për shqiptarësinë e Kosovës, mizoritë serbo-malazeze e bullgare, që ishin ushtruar ndaj shqiptarëve në vitet 1912-1918 si pasojë e vendimeve të Konferencës së Ambasadorëve në Londër më 1913, të cilat copëtuan Kosovën dhe vise të tjera shqiptare në kurriz të monarkive pushtuese ballkanike. Ky Komitet hartoi dhe i dërgoi kësaj Konference statistika serioze e të paanshme të popullsisë së Kosovës, në të cilat paraqiteshin të dhëna për numrin e përgjithshëm të saj nëpër qytete dhe fshatra, përkatësinë etnike etj. Në këto statistika, që përputheshin me regjistrimet e mëparshme, vërehej zvogëlimi i popullsisë së përgjithshme në Kosovë, veçanërisht asaj shqiptare, si pasojë e vrasjeve e emigrimit gjatë Luftërave Ballkanike e Luftës së Parë Botërore dhe spikat një rritje e ndjeshme e elementit serb për shkak të pushtimit dhe kolonizimit serb të Kosovës.

Fitim Rifati: Në vitin 1919 Mitrovica kishte 88.50% shqiptarë dhe 11.50% serbë

Në këto statistika të popullsisë, që iu dërguan Konferencës së Paqes në Paris më 1919, përveç 18 qendrave administrative, përfshihej edhe numri i përgjithshëm i popullsisë së Mitrovicës dhe rrethinës. Sipas tyre Mitrovica me rrethinë në këtë kohë numëronte 58.851 banorë, prej të cilëve 52.078 frymë ose 88.50% ishin shqiptarë dhe 6.773 frymë ose 11.50% serbë. Pra, në studimet dhe vlerësimet statistikore të Komitetit “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës”, në këtë qendër të Kosovës banonin vetëm dy komunitete kryesore etnike: shqiptarët dhe serbët. Duhet theksuar se statistikat në fjalë të hartuara nga ky Komitet u përdorën për t’i tërhequr vëmendjen Konferencës së Paqes në Paris, që Fuqitë Aleate të gjykonin objektivisht ndaj shqiptarëve të Kosovës e viseve të tjera shqiptare dhe të vendosnin e njihnin bashkimin e kësaj treve (përfshi edhe Mitrovicën) me Shqipërinë.

Kontrolloni gjithashtu

Dilaver Goxhaj: RKL dhe Kosovapress ishin dhe mbeten Ylli Polar për Luftën Çlirimtare në Kosovë

Dilaver Goxhaj: PËRFUNDIME TË DALA PREJ ANALIZAVE KRITIKE NDAJ LIBRIT “Dosja Amerikane për Shqipërinë Koministe”, me autorë  Bejtullah Destani dhe Visar Zhiti

Bazuar në faktet dhe analizën e luftës 10-vjeçare,  Dhjetor 1944- Dhjetor 1953, midis Forcave të …