Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Pal Lekaj, ka thënë se nuk është arritur konsensus që të kenë një rezolutë të përbashkët në lidhje me ndalimin e kryetarit të AAK-së, Ramush Haradinaj. Lekaj – i cili lexoi rezolutën e paraqitur nga AAK, mbështetur nga Vetëvendosje dhe Nisma – theksoi se konsensusi nuk u arrit për dy pika. Përfaqësuesit e PDK-së dhe LDK-së theksuan se nuk janë pajtuar për dy pikat e fundit, ndërsa i kanë dhënë mbështetjeje tri pikave të para.
Rezoluta e prezantuar nga AAK-ja:
- Lirimi pa kushte i kryetarit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës z. Ramush Haradinaj, të ndodh sa ma shpejt dhe të konsiderohet detyrë primare shtetërore.
- Qeveria e Kosovës të kërkojë me ngulm përfshirjen direkte të Bashkimit Evropian, përmes përfaqësueses së lartë për politikë të jashtme, znj. Frederica Mogherini, që të përshpejtohet lirimi, nga shteti francez, i ish-Kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj.
- Qeveria e Kosovës obligohet që të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme në mënyrë që të informojë të gjitha instancat ndërkombëtare se, refuzon juridiksionin universal të Serbisë për krimet e pretenduara në tërë territorin e ish-Jugosllavisë dhe konform kësaj të kërkojë lirimin e ish-Kryeministrit të Kosovës dhe Kryetarit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.
- Të ndërpriten bisedimet me Serbinë, deri në anulimin e të gjitha fletë-arresteve të lëshuar nga Serbia, kundër ish-udhëheqësve dhe ushtarëve të UÇK-së në Interpol.
5. Kërkohet dorëheqja ose shkarkimi i të gjithë përgjegjësve kryesorë të negociatave me Serbinë, për shkak se janë të vetmit që kanë mundur të jenë të informuar se cilët persona kanë urdhër-arreste nga Serbia në Interpol, meqë Kosova nuk është anëtare e Interpolit, nga ku do të mund të merreshin informata zyrtare për emrat që kanë fletë-arreste të tilla.