Me rastin e vdekjes së shkrimtarit dhe publicistit të njohur, Ramiz Kelmendi, në moshën 86-vjeçare, zyrtarë të institucioneve të Kosovës i kanë dërguar telegrame ngushëllimi familjes së tij. Shkrimtari, publicisti dhe gazetari i njohur shqiptar ka lënë gjurmë të pashlyeshme si intelektual i shquar. Në telegramet e ngushëllimit të disa zyrtarëve shtetëror theksohet se ndarja nga jeta e Ramiz Kelmendit është një humbje e madhe për gazetarinë, letërsinë dhe kulturën shqiptare në përgjithësi. Sipas tyre ai përveç tjerash ishte edhe atdhetar dhe mësimdhënës i dalluar si dhe njëri ndër kontribuesit më të mëdhenj sidomos në përgatitjen e gazetarëve të rinj.
