Faton Mehmetaj

Faton Mehmetaj: Ramush Haradinaj ka qenë dhe po mbetet personaliteti politik më i dëmtuar në Kosovë

Ramush Haradinaj paraqet njërën nga figurat më emblematike të vendit. Është lider modern i përmasave botërore, personalitet unifikues, i përkushtuar për ndërtimin e shtetit, ndër qytetarët që beson fuqishëm në të tashmen dhe të ardhmen e këtij vendi. Edhe përkundër vështirësive të vazhdueshme, të cilat janë krijuar artificialisht në adresë të Haradinajt, besimi i tij për ta ndërtuar shtetin e Kosovës nuk është lëkundur në asnjë kohë, në as një moment. Kur u duk se populli shqiptar u harrua, se një pjesë e tij po mbytej nga dhuna, terrori e gjenocidi serb në njërën anë dhe nga shpërfillja evropiane në anën tjetër, ndodhi e pabesueshmja: pikërisht për shkak të këtij populli u krye lufta e fundit e mijëvjeçarit të dytë në Evropë, luftë që do të mbetet në historinë e kontinentit dhe të botës, si njëra ndër luftërat më të fuqishme çlirimtare, pjesë e të cilës ishte edhe Ramush Haradinaj dhe e gjithë familja e tij. Sakrifica e tij për liri ishte shumë e madhe por e vlefshme, sepse u fitua liria e kërkuar ndër shekuj.

Pas fitores së luftës erdhi liria, por u shpërfaq një realitet i ri: përballja më të vërtetën, me të njohurat dhe të panjohurat, por më e vështira ishte lufta e instaluar brenda llojit. Nuk e di pse, por Ramush Haradinaj ka qenë figura politike më e dëmtuar në Kosovë, ndoshta nga paragjykimet e të tjerëve, syri i keq, profecitë apo nga magjistarët e ish-sistemit. Diçka me të ka ndodhur sepse është ndër njerëzit që iu kanë bërë shumë padrejtësi gjatë këtyre viteve. Përmes gjykatave dhe proceseve të montuara gjyqësore nga elitat e shërbimeve serbo-ruse, Ramush Haradinaj është goditur në vazhdimësi, me të vetmin qëllim: për ta shkatërruar politikisht, por në të gjitha rastet ka dalë fitimtar. Sakrifica e tij e madhe iu shpërblye. Tërë Kosova dhe shqiptarët kudo që janë sot brohorisin: Ramush jemi me ty! E ta kesh fuqinë e popullit pas vetes, je i bekuar.

Në dy proceset gjyqësore në Tribunalin Ndërkombëtar të Hagës dhe në proceset tjera kundër tij, diçka ishte e dukshme: të gjitha akuzat kundër tij ishin fabrikuar në Serbi, të gjithë “dëshmitarët” dhe “dëshmitë” mbanin firmën made in Serbia. Në të gjitha këto procese, duke e përfshirë edhe arrestimin e 4 janarit 2017 nga policia franceze, një gjë u pa qartë: denoncuesit ishin të dukshëm, ata që e humbën Kosovën pas okupimit gati shekullor dhe ata që nuk po munden të rrinë pa Serbinë. Siç duket Haradinaj e ka gjetur melhemin edhe për këto dy shtresa, forcimi dhe ndërtimi i shtetit të Kosovës. Edhe nëse akuzat nga këto dy shtresa nuk kanë fund, ish-komandantët dhe drejtuesit e UÇK-së janë të përgatitur për t’i përballuar të gjitha sfidat. Por gjeneratat pa dallim se cilës shtresë i takojnë po e gëzojnë dhe trashëgojnë shtetin e Kosovës. E njëra ndër shtyllat e formimit dhe ndërtimit të shtetit të Kosovës është edhe Ramush Haradinaj.

Po shihet se dikush, jo shumëkush i kishte varur shpresat te Haga, në Prokurorinë për krime lufte të Serbisë, në orkestrimin e një varg proceseve të udhëhequra nga gjykatat e UNMIK-ut, që ishin pasuese dhe zbatuese të kërkesave të Serbisë në Kosovë, apo në Gjykatën Speciale, të themeluar njëanshëm kundër luftëtarëve të UÇK-së, po ashtu me kërkesë të Serbisë dhe të Rusisë. Por, një gjë është e vërtetë dhe e pamohueshme: Kosova është çliruar nga okupimi serb, është shtet sovran dhe i pavarur. Jam i vetëdijshëm se, përveç të tjerëve, fajtori kryesor për këtë është Ushtria Çlirimtare e Kosovës, por procesi i lirisë dhe i pavarësisë kanë ndodhur e nuk zhbëhen dot. E tërë kjo energji e harxhuar kundër UÇK-së, kundër ish pjesëtarëve dhe drejtuesve të saj, edhe pse lufta ka përfunduar para më shumë se shtatëmbëdhjetë viteve kur edhe është demobilizuar UÇK-ja, tërë këto arrestime e gjykime nuk janë asgjë më shumë se sa një mllef i akumuluar i gjithë spektrit që ka mbetur pa Serbinë në Kosovë.

Arrestimi i fundit i Ramush Haradinajt, Serbisë ia çjerri maskën që e kishte vënë në fytyrë të Jugosllavisë së zhdukur. Me këtë rast u çjerrën shumë maska dhe u prishën shumë plane. U pa se rikthimi i ndikimit të Serbisë në Kosovë nuk është i mundur. U pa se ajo është vetëm dëshirë e vyshkur në mendjet e personave të caktuar. Nuk është mirë të paragjykosh apo të sëmuresh nga paranoja, por arrestimi i Haradinajt ka ndodhur pikërisht në kohën kur janë vërejtur përafrimet e një pjese të lidershipit të Shqipërisë dhe të Kosovës me Aleksandër Vuçiqin. Arrestimi i Haradinajt ndodhi pikërisht në kohën kur kanë filluar përpjekjet e një shtrese të caktuar, të influencuar nga interesat serbo-ruse për formimin e një të ashtuquajture Jugosllavie e re. Ky arrestim nuk ishte rastësi, as nuk ndodhi për shkak të një urdhërarresti ndërkombëtar të Serbisë, të lëshuar në kohën e kryekasapit të Ballkanit, Millosheviq, e të ripërtërirë në vitin 2004, nga krijesa artificiale Unioni Serbi-Mal i Zi, që nuk ekziston më që nga 2007-ta, por është një testim i forcave politike të Kosovës, i miqve dhe aleatëve të Kosovës dhe i shqiptarëve në përgjithësi, se a janë të përgatitur për t’i përballuar ofensivat e Serbisë, të diplomacisë dhe të shërbimeve sekrete serbe, që janë kryqëzuar me aleatin strategjik të saj – Rusinë, kundër pavarësisë së Kosovës.

Sido që të jetë shqiptarët janë fuqia motorike në Ballkan/Gadishullin Ilirik, kjo nuk varet nga Serbia por nga ne. Gjatë këtyre viteve e kemi treguar peshën tonë në Gadishullin Ilirik, por e kemi parë e po e shohim edhe peshën e Serbisë. Ajo edhe përkundër faktit se vetëm në dekadën e fundit të shekullit XX i shkaktoi katër luftëra të përgjakshme, duke shkaktuar qindra mijëra viktima, po tenton ta vë sërish në fytyrë maskën e Jugosllavisë së zhdukur e hiqet si shtet i madh. Ndoshta edhe i duket vetja si shtet i madh nga miklimet e Rusisë dhe përkëdheljet e Europës. Por Serbia dhe përkëdhelësit e saj e dinë mirë se shkaktari kryesor i konfliktit shqiptaro-serb ishte se kush do ta ketë primatin në Ballkan. Serbia duhet të pajtohet me humbjen e Kosovës, duhet ta dijë se çdo okupim dikur e ka fundin. Primati në rajon ka kohë që ka ndryshuar. Unifikimi i shqiptarëve është i pashmangshëm. Ata iu bënë ballë vuajtjeve shekullore, sakrifikuan ndër shekuj, u dogjën, u poçën, u masakruan shpeshherë, Serbia ushtroi gjenocid mbi këtë popull pareshtur e kurrë nuk e dha as më të voglën përgjegjësi. Këtë Serbia nuk po e bën as sot, përkundrazi po tenton t’i fajësojë artificialisht viktimat e saj. Kjo që po ndodhë është njësoj sikur të fajësoheshin e të gjykoheshin hebrenjtë për krimet e ndodhura gjatë Luftës së Dytë Botërore e të amnistoheshin shkaktarët dhe kryesit e holokaustit ndaj tyre.

Kësaj radhe mallkimi i shqiptarëve për të bëmat antinjerëzore kundër tyre gjatë dy shekujve të kaluar e zuri Serbinë. Secili duhet ta dijë se nuk është më koha e 1913-tës për Shqipërinë dhe shqiptarët në Ballkan. Edhe gjyqet e organizuara kundër UÇK-së do të mbesin si një leckë e vjetër e hedhur në shportën e mbeturinave. Deshëm apo jo, UÇK-ja është HYJNORE, por jo edhe njerëzit e saj, sepse të gjallët janë të vdekshëm.

Edhe përkundër faktit se Serbia përmes Rusisë po tenton ta manipulojë Bashkimin Europian dhe po tenton që nga pozicioni i xhelatit të bëhet viktimë e viktimat t’i bëjë xhelatë, realiteti është ndryshe. E vërteta e Serbisë është virtuale dhe artificiale, e vërteta e Kosovës është reale. Edhe Serbia e di se arrestimi i Haradinajt nga autoritetet franceze me kërkesën e Serbisë, nuk mund t’i ndryshojë proceset. Ky është vetëm një mllef i Serbisë që nuk po pushon së manifestuari kundër Haradinajt, i cili luftoi pa kursim për lirinë e Kosovës, punoi ditë e natë për pavarësinë e Kosovës, nuk pushoi asnjë minutë për ndërtimin e shtetit të Kosovës. Faktikisht këto janë mëkatet e Ramush Haradinajt ndaj Serbisë.

Po flitet se ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, mund të ekstradohet në Serbi, për arsye se Kosova në Kushtetutën e Serbisë ende qenka pjesë integrale e Serbisë, e qytetarët e Kosovës qenkan qytetarë të Serbisë!!! Por ky koncept nuk është asgjë më shumë se sa një mashtrim optik! Kosova nuk ka qenë kurrë pjesë e Serbisë, as qytetarët e Kosovës nuk kanë qenë kurrë qytetarë të Serbisë, sepse Serbia i ka masakruar, vrarë, burgosur e dëbuar nga vatrat e veta gjatë gjithë historisë shqiptaro-serbe.

Edhe pse dihet botërisht, po e përsëris se faktori shqiptar në Ballkan, i ka përmasat e popullit autokton, me etnogjenezë të pastër, me histori të begatë, kulturë të lashtë, gjuhë të vjetër më shumë se katër mijë vite, dikur zinte një sipërfaqe të madhe të Gadishullit Ilirik, por me kalimin e kohës u tkurr nga fqinjët grabitqarë. Nga një popull i madh siç ishim ne, edhe përkundër tkurrjes, grabitjeve, përvetësimeve të historisë e gjërave të tjera ka mbetur mjaft. Por e gjithë lufta mes Kosovës dhe Serbisë është bërë për këtë të vërtetë, të cilën serbët nuk e pranuan kurrë as nuk duan ta pranojnë, por kjo e vërtetë po tentohet të mos pranohet as nga miqtë e Serbisë në Europë dhe në botë. Edhe përkundër kësaj, e vërteta as nuk ndryshohet, as nuk tjetërsohet. Lirojeni Ramush Haradinajn, populli po e pret!

Kontrolloni gjithashtu

Dilaver Goxhaj: RKL dhe Kosovapress ishin dhe mbeten Ylli Polar për Luftën Çlirimtare në Kosovë

Dilaver Goxhaj: PËRFUNDIME TË DALA PREJ ANALIZAVE KRITIKE NDAJ LIBRIT “Dosja Amerikane për Shqipërinë Koministe”, me autorë  Bejtullah Destani dhe Visar Zhiti

Bazuar në faktet dhe analizën e luftës 10-vjeçare,  Dhjetor 1944- Dhjetor 1953, midis Forcave të …