Tahir Veliu

Tahir Veliu: “Treni shovinist”, sfidat dhe siguria kombëtare

Treni shovinist serb, shfaqi në sipërfaqe edhe një herë pretendimet shoviniste të shtetit serb ndaj Republikës së Kosovës. Ky kërcënim ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës, me të drejtë u vlerësua si kërcënim ndaj gjitha trojeve shqiptare dhe rrjedhimisht kërkon reagim në nivel kombëtar, por çështja e trenit është vetëm një pjesë e medaljes, pjesa tjetër është ajo që po veprohet në formë të heshtur nga ky shtet terrorist dhe që përbën rrezik katastrofal për kombin shqiptar dhe trojet tona. Në prag, të përvjetorit të shpalljes së pavarësisë së Republikës së Kosovës, sipas planit famëkeq të Ahtisarit, Kosova po përballët me sfida jashtëzakonisht të mëdha, ku përveç “Trenit” tashmë të kthyer mbrapshtë, vazhdojnë të lëvizin lirshëm “Trenat” e përditshëm që kanë pushtuar ekonominë e Kosovës, vazhdon të qëndrojë muri në Mitrovicë, vazhdon dialogu i pabarabartë, nënshtrues, e i pakuptimtë Kosovë-Serbi, vazhdon shkelja e integritetit territorial të Republikës së Kosovës nga institucionet paralele serbe nëpër enklavat serbe, vazhdojnë thirrjet absurde nga vet krerët e institucioneve të Republikës së Kosovës për të miratuar Marrëveshjen për Demarkacion me Malin e Zi, ku tashmë është vërtetuar se Kosova humb 8229.3 hektarë, vazhdon kërcënimi për krijimin e jashtëligjshëm të Asocacionit të Komunave me shumicë Serbe apo më mirë të thuhet krijimit të Republika “Srpska” në Kosovë, kjo tashmë e planifikuar të ndodh pikërisht më 15 shkurt të këtij viti, vazhdon amullia e shndërrimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në ushtri, ashtu sikurse vazhdon heshtja e dy shteteve shqiptare karshi gjykimit dhe dënimit të gjenocidit shekullor serb-grek ndaj shqiptarëve.

Pavarësisht premtimeve të dyanshme Shqipëri-Kosovë të nivelit politik për heqjen e barrierave ekonomike në të dyja anët e kufirit Shqipëri-Shqipëri, e vërteta është se Shqipëria dhe Kosova edhe më tutje vazhdojnë të kenë raporte të brishta ekonomike, dhe rezultati është që Serbia dhe Greqia përfitojnë nga kjo gjendje e papranueshme. Vetëm gjatë vitit të kaluar Kosova ka importuar mbi 400 milionë euro mallra nga Serbia, pa llogaritur importin e jashtëligjshëm, që vlerësohet të jetë po aq sa ai i ligjshëm. Kjo pabarazi (defiçit) e shkëmbimeve tregtare, rrezikon ekonominë vendore dhe ardhmërinë tonë kombëtare.

Serbia dhe Greqia, ende nuk ka dhënë llogari e as që janë dënuar për krimet e kryera ndaj kombit tonë, dhe për më shumë se kaq, në kohën kur ato haptazi po i shprehin pretendimet e tyre territoriale ndaj Shqipërisë së Bashkuar, Lëvizja për Shqipëri të Bashkuar fton tërë shqiptarët në bojkot të përgjithshëm ndaj produkteve serbe dhe greke.

Për të ndaluar “trenat” tjerë shovinist dhe orgjitë ushtarake greke, atëherë është e domosdoshme që përveç masave nga shteti, të bëhet një vetëdijësim kombëtar. Qeveria e Republikës së Kosovës dhe ajo e Republikës së Shqipërisë duhet të përdorin masa reciprociteti të plotë ndaj Serbisë dhe Greqisë, si arma më e fortë moderne dhe demokratike për gjunjëzimin e pretendimeve të tyre shoviniste, kësaj mase të qeverisë duhet t’i shtohet edhe elementi tjetër, ai i vetëdijsimit të qytetarëve. Tregtarët tanë nuk ndërgjegjësohen, ngase nga tregtia e jashtëligjshme me Serbinë përfitojnë miliona, shpeshherë edhe duke ju shmangur detyrimeve ndaj shtetit, prandaj edhe mallrat vendore i përbuzen dhe i nënçmojnë.

Përfundimisht qytetarët janë ata që mund ti japin goditjen e merituar shteteve shoviniste dhe ekonomive të tyre. Qytetarët duhet zgjeruar bojkotimin në mënyrë të vetëdijshme ndaj të gjitha mallrave jo-shqiptare, por vëmendja të përqendrohet më tepër në mallrat serbe dhe greke, sepse këto dy shtete kanë pretendime territoriale dhe shoviniste ndaj kombit shqiptar, si dhe janë më agresive në tregun shqiptar, duke përmbytur produktet vendore. Efekti i drejtpërdrejtë i blerjes së prodhimeve vendore është krijimi i vendeve të reja të punës si dhe ruajtja e atyre ekzistuese. Punësimi pastaj krijon efekte të shumëfishta pozitive për ekonominë vendore, sigurinë kombëtare, fuqizimim dhe faktorizimin e jashtëm politik. Vetë qytetarët, duhet ta kenë parasysh se vetëm ndërhyrja nga shteti nuk mjafton, prandaj çdo herë kur konsumon një produkt i cili nuk është prodhim shqiptar, kjo do të thotë një produkt më pak i shitur i yni dhe një produkt më shumë i shitur i armikut, një “tren” mallra serbe më shumë drejtë Kosovës, një ushtri dhe ekonomi më e fortë serbe, një Kosovë dhe një Shqipëri më e dobët ekonomikisht, dmth një Kosovë e Shqipëri më e dobët politikisht, më e dobët ushtarakisht etj etj, dhe përfundimisht çdo konsumim i produkteve të armikut, rrjedhimisht është vetëvrasje e ardhmërisë kolektive.

Për të dalur nga ky ngërç dhe për një të ardhme më të mirë atëherë është e domosdoshme të krijohet tregut mbarëkombëtar shqiptar, që do të ofronte kushte për zhvillim të mirëfilltë ekonomik kombëtar, përdorimi Lekut, si valutë paralele dhe aty ku është e mundshme edhe të rregullohet me ligj, të shëmbet kufiri shqiptaro-shqiptar mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë dhe të veprojmë si një trup i vetëm karshi sfidave që na presin.

 

Kontrolloni gjithashtu

Dilaver Goxhaj: RKL dhe Kosovapress ishin dhe mbeten Ylli Polar për Luftën Çlirimtare në Kosovë

Dilaver Goxhaj: PËRFUNDIME TË DALA PREJ ANALIZAVE KRITIKE NDAJ LIBRIT “Dosja Amerikane për Shqipërinë Koministe”, me autorë  Bejtullah Destani dhe Visar Zhiti

Bazuar në faktet dhe analizën e luftës 10-vjeçare,  Dhjetor 1944- Dhjetor 1953, midis Forcave të …