Mehmet Bislimi

Mehmet Bislimi: Kryeministri në lakun e kundërthënieve!

Deklarata kundërthënëse e Kryeministrit të vendit e këtyre ditëve, dhënë në gazetës: “Bota Sot”, se: “Nuk japim asnjë hektar tokë për liberalizimin!”, sikur nuk përkon me realitetin e hidhur që populli ynë e përjetoj për gati një vit rresht. Unë në parim, nuk merrem me emra të përveçëm sikur ky emër të mos ishte jo më pak se Kryeministër i vendit i cili thotë të pavërtetën (për të mos e thënë një fjalë më të ulët), pa u skuqur fare!

Të kujtojmë këtu disa veprime të cilat qytetari ynë nuk i ka harruar kaq shpejt: A nuk ishte ju z. Kryeministër dhe përfaqësuesit e tjerë të shtetit si; Kryekuvendari, Presidenti, e një mori ministrash, që latë namin për të bindur kuvendarët dhe qytetarët e Kosovës për të nënshkruar Demarkacionin, për të pranuar Asociacionin, në të kundërtën nuk do të ketë liberalizim vizash, dhe sa herë keni përsëritur këtë retorikë ju lutem! Madje, ju trumbetonit se Kosova nuk po humbë as edhe një milimetër tokë, në një kohë kur iu është ofruar një mal argumentesh se territori ynë po humbte jo më pak se tetëmijë hektarë e ca tokë! Tani, jeni ju po ai që po thoni se:

” Ne nuk japim as edhe një hektar tokë për shkak të liberalizimit të vizave!”

A nuk ishit ju z. Kryeministër, dhe kreu tjetër i Institucioneve të vendit, që akuzonit opozitën dhe gjithë ata Deputetë e intelektualë që kundërshtonin faljen e tokës sonë, qoftë për hir vizash, apo synimeve tjera që ju pretendonit se keni të drejt. Në fakt,  ju akuzonit se si pasojë e këtyre kundërshtive dhe kryeneçësive, qytetarët tanë po pësojnë dhe nuk po përfitojnë liberalizimin, duke u munduar që mbi opozitën të hidhni mllefin e qytetarëve tanë.

Duam apo jo, ishte opozita e bashkuar ajo, që bëri të pamundurën (gjendur përball presionit tuaj Institucional), për të penguar faljen e tokave të Kosovës, madje opozita u detyrua të përdori edhe arsenal “armësh”, si: vezë, uji, bilbila, shtyrje dhe bllokim të foltores, gaz lotsjellës, maska, shtyrje me truproja të sigurimit deri tek arrestimet e dënimet me burg shtëpiak, burgoje e paraburgosje e çka jo!

Mbi të gjithë mbrojtësit e tokave tona, brenda dhe jashtë Kuvendit të Kosovës, plasi një mal akuzash, sharje, fyerje, etiketime, burgosje, arrestime për faktin e vetëm se këta ngritën zërin të bashkuar për të mbrojtur e mos lejuar faljen e tokave tona dhe kaq!

Shtrohet pyetja; nëse opozita e dëshironte këtë gjendje?!, jo asnjë herë, në fakt ishit ju, elita politike që me veprimet tuaja në dem të interesave të vendit e detyruat atë që të bëj të pamundurën për të mbrojtur interesat jetike të këtij populli. Për të mbrojtur tokën tonë që nesër do t’i gëzojnë fëmijët tanë, brezat që po rritën e që do të jetojnë të lirë në tokat e veta.    Opozita nuk e kishte fare të lehtë që të përballet me gjithë këto kundërshti, që nga atëherë deri me tani për të kuptuar, parë dhe pranuar ju sot, dhe për të deklaruar publikisht pa u skuqur fare se: “Nuk epni as një ha tokë për liberalizimi!”, Posi!..

Në fakt, Komisionari Hahn e ka thënë shumë  çartë se kjo çështje nuk konteston vizat dhe liberalizimin. Ju shkuat deri atje sa, ish Presidentja Jahjaga u detyrua që të paguante shumë të majme parash për një komision trio UFO, pleq që erdhën në Kosovë, shikuan disa harta të grisura, thanë se qenka okei vija e Demarkacionit, morën lekët nga buxheti ynë dhe ikën UFO- të, kaq! z. Kryeministër dhe ju përfaqësues tjerë të Institucioneve të Kosovës: kujt i duhen këto lojëra me popullin tonë, me tokat tona dhe deri kur?!

Tanimë, pas shterjes së premtimeve shterpa nga zoti Çollaku se vizat do bëhen, herë këtë muaj e herë atë muaj, e ditur që kishte për qëllim blerjen e kohës dhe kaq. Ai  iku me bisht nën shalë, pa i dhënë as kujt as më të voglën përgjegjësi për gjithë ato premtime apo gënjeshtar që iu servoi qytetarëve tanë për liberalizim dhe lëvizjen e lirë. Elita politike nuk është mirë që të luaj lojën e naivit, nuk është demarkacioni pengesë për lëvizjen e lirë të qytetarëve tanë. Jo, BE- liderëve tanë politik të Kosovës, ua ka bërë fare të qartë më se një herë se:  për liberalizimin e vizave duhet luftuar konkretisht korrupsionin, nepotizmin, hajdutërinë, duhet bërë forcimin e ligjit, ekzekutivit, legjislativit, punësimi i të rinjve – thjeshtë vizat i sjellë një qeverisje e mirë dhe bërja e një shteti të mirëfilltë.

Në fakt çka sjell liberalizimi, apo lëvizja e lirë për qytetarë tanë? Të jemi të qartë,  përderisa Kosova nuk i përmbushë parimet bazë të një shteti të mirëfilltë, vizat dhe liberalizimi për ne, nuk kupton më shumë se daljen nëpër shtete të caktuara të Evropës për të shëtitur dhe shpenzuar shuma të mëdha eurosh, për t’u kthyer pas shpenzimit të atyre parave në Kosovë edhe me të varfër! Për të dalë në Evropë, duet një xhep bukur i trashë, si  buleta, shuma e domosdoshme parash për ta pasur me vete si garanci, ushqimi fjetja dhe dënimet e mundshme që mund të pasojnë kush provon ta kaloj afatin e paraparë të qëndrimit! Pastaj pasojnë dënimet për të gjithë ata që provojnë të punoj në të zezën, edhe për ata që do të bëjnë ndonjë vepre delikuente- të dënueshme. Me këto veprime, do të lëndohet imazhi edhe ashtu i brishtë i shtetit tonë që nuk po mëkëmbët se nuk po mëkëmbët…

Kaq është esenca dhe jetëgjatësia e emocioneve vizëprerëse. E vërteta është se Kosova duhet të jetë partner i përafërt me shtetet e BE, në mënyrë që qytetarët tanë të kanë të drejt pune, të drejtë lëvizjeje të lirë dhe qëndrimi të dinjitetshëm atje. Kosova duhet të përqendrohet në zhvillimin e saj ekonomik, në këmbim mallrash e kulturash të ndërsjella, pastja liberalizimi është i bërë, pa pasur nevojë që të falim tokat tona në këmbim të vizave!

Krejt në fund, ç’është e vërteta, tokat tona na i kanë marrë e pushtuar fqinjët tanë grabitqar, por me na i kanë marrë me dhunë e ploje gjaku. Ato nuk i kemi falur asnjëherë – veç veprimeve të rënda dhe të dënueshme siç ishin rastet e Esatit dhe Zogollit!

Zvicër, 23. 1.2017

Kontrolloni gjithashtu

Dilaver Goxhaj: RKL dhe Kosovapress ishin dhe mbeten Ylli Polar për Luftën Çlirimtare në Kosovë

Dilaver Goxhaj: PËRFUNDIME TË DALA PREJ ANALIZAVE KRITIKE NDAJ LIBRIT “Dosja Amerikane për Shqipërinë Koministe”, me autorë  Bejtullah Destani dhe Visar Zhiti

Bazuar në faktet dhe analizën e luftës 10-vjeçare,  Dhjetor 1944- Dhjetor 1953, midis Forcave të …