leoni

Jakup Krasniqi

Jakup Krasniqi: Romantizmi e folklorizmi në gjuhën e qeveritarëve tanë

Viteve të fundit sikur është bërë shprehi nga disa politikanë e qeveritarë tanë, që sa herë përballen me vështirësi e kritika të arsyeshme nga opozita, mbrohen duke thënë: “Duhet të lirohemi nga romantizmi e folklorizmi”!

Po ta thjeshtësojmë atë që po e flasin qeveritarët tanë, del se ata po na thonë: “Mos e duani kombin, mos e duani kulturën kombëtare, mos e duani gjuhën, mos e duani traditën, mos e duani atdheun, mos e duani lirinë, mos e duani Rilindjen Kombëtare e as Gjergj Kastriotin – Skënderbeun?!” Atëherë, çka të duam ne, nëse nuk i duam vlerat që na kanë veçuar si komb? Me vlera që kemi kapërcyer shekujt e shumtë të errësirës e të robërisë. Prandaj njeriu me dije mesatare, e mbase edhe nën mesatare, e ka të vështirë t’i kuptojë disa politikanë e intelektualë tanë se çka kuptojnë ata me romantizëm e folklorizëm? Pse ata me njëfarë përbuzje flasin për këto trashëgimi të rëndësishme të historisë sonë kombëtare! Pa u zgjatur më shumë, le të hyjmë në temë, ç’është romantizmi si dhe ç’është folklorizmi?

Nëse bëjmë një krahasim në mes romantizmit evropian e shqiptar, del se romantizmi evropian është një romantizëm i shtrirë në letërsi, art e kulturë. Në enciklopedinë e përgjithshme të Oxfordit, në faqe 1081 shkruan: “Qëndrim perëndimor ndaj artit e krijimtarisë njerëzore dhe rrymë që mbizotëroi në një pjesë të madhe të kulturës evropiane në gjysmën e parë të shekullit XIX”. Ishte kështu, se terreni i lindjes se tij atje ishte: popujt ishin të lirë, siç ishin francezët, anglezët e gjermanët etj. Kurse te ne, shqiptarët, ishte ringjallje politike, arsimore e kulturore, e cila pashmangshëm çoi në krijimin e kombit, shkollës e së fundi dhe të shtetit kombëtar– Shqipërisë londineze. Romantizmi shqiptar është më shumë sesa letërsi e art. Romantizmi te shqiptarët ishte“ringjallje e përgjithshme kombëtare”. Në kohë romantizmi shtrihet nga vitet ‘30 të shekullit XIX dhe deceniet e para të shekullit XX.

Në letërsi, romantizmi ynë u përfaqësua nga Jeronim De Rada me “Skënderbeun e pafan”; nga Naim Frashëri me “Historinë e Skënderbeut” e poemën “Bagëti e bujqësia”, Zef Skiroi me poezinë për Skënderbeun, Filip Shiroka me “Zanin e zemrës”, Çajupi me “Baba Tomorrin” e deri te Gjergj Fishta me “Lahutën e Malsisë”.

Në shkrimin, shkollën e gjuhën shqipe u dalluan Naum Viqelharxhi e Konstandin Kristoforidhi, të cilët ishin ardhur në përfundim se: “Nde mos u shkriftë gjuha shqipe, nuk do të shkojnë shumë vjet dhe nuk do të ketë Shqipëri në faqe të dheut, as nuk do të shënohet më emri shqiptar në hartën e botës”. Mbane si vathin në vesh: Çka do të ndodhte me kombin tonë sikur këta burra të ngriheshin kundër romantizmit, siç e bëjnë disa “intelektualë” tek ne?!

Në rrafshin politik u shquan Sami Frashëri e Pashko Vasa. I pari me veprën e tij programore: “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e ç’do të bëhet”, ndërsa i dyti me veprën: “E vërteta mbi Shqipërinë e shqiptarët”. Nuk ka asnjë dyshim, vargu i atdhetarëve ishte shumë më i madh sesa i prezantova në këtë rast. Kësaj radhe i përmenda vetëm disa nga majat e Rilindjes sonë Kombëtare. Kurora e këtyre përpjekjeve gati njëshekullore do të kurorëzohet nga vargu i gjatë i pavarësistëve të Shqipërisë më 28 Nëntor 1912 në krye me Ismail Qemalin, Hasan Prishtinën, Luigj Gurakuqin e dhjetëra luftëtarëve të penës e të pushkës,të cilët nuk kursyen as jetën e as pasurinë për Shqipëri. Nuk ka asnjë dyshim, që mu ajo frymë e romantizmit dhe e folklorizmit me të cilën u edukua Komandanti Legjendar, Adem Jashari me brezin e tij, na solli te qershori i vitit 1999 dhe te 17 shkurti i vitit 2008. Ndërsa ju, qeveritarët e sotshëm, mohoni romantizmin e folklorizmin e rilindësve të mëdhenj, që na solli këtu ku jemi, e që ua ka dhënë fuqinë e pushtetarëve në Republikën e Kosovës.

Tani le ta shohim se çka është folklori. Fjalori i gjuhës shqipe për folklorin ka këtë përkufizim: “Tërësia e shpjegimeve artistike, gojore e muzikore të një populli” dhe “tërësia e zakoneve dhe e riteve të një populli”. Ndërsa në enciklopedinë e përgjithshme të cituar më lart thuhet: “Besimet, dijet, zakonet dhe kultura e transmetuar gojarisht e një grupi njerëzish”, përbëjnë folklorin e një populli. Nga e gjithë kjo që u tha, natyrisht në pika të përgjithshme, del se, romantizmi e folklori, sidomos për popullin tonë, janë: lindja, shpirti, buka e jeta e kombit dhe e shteteve tona! Kush sheh ndryshe ka nevojë për një riarsimim nga e para!

Kontrolloni gjithashtu

Dilaver Goxhaj: RKL dhe Kosovapress ishin dhe mbeten Ylli Polar për Luftën Çlirimtare në Kosovë

Dilaver Goxhaj: PËRFUNDIME TË DALA PREJ ANALIZAVE KRITIKE NDAJ LIBRIT “Dosja Amerikane për Shqipërinë Koministe”, me autorë  Bejtullah Destani dhe Visar Zhiti

Bazuar në faktet dhe analizën e luftës 10-vjeçare,  Dhjetor 1944- Dhjetor 1953, midis Forcave të …