TV DIELLI – Ju kemi ftuar në studio për tu njoftuar për të afërmi nga Ju lidhur me protestën e sotme gjithë popullore, e cila u mbajt në Prishtinë, në mbrojtje të vlerave të luftës së UÇK-së dhe të komandantit, Ramush Haradinaj i cili padrejtësisht po mbahet në një burg të Francës. Si kaloi protesta dhe cila ishte pjesëmarrja e veteranëve dhe e qytetarëve liridashës?
Pren Marashi: Së pari ju përshëndes ju dhe teleshikuesit e TV Diellit. Organizata e veteranëve së bashku familjet e dëshmorëve me shoqatat e invalidëve të luftës por edhe me subjektet partiake ka bërë ftesë publike për protestën e sotme, edhe pse është ditë e shtune është një numër i madh i qytetarëve të cilët marrin pjesë, por jo edhe aq sa duhet me qenë, sepse duke e pas parasysh se Ushtria Çlirimtare e Kosovës është vlerë e pakontestueshme kombëtare pjesëmarrja duhet të ishte edhe më masive jo vetëm për Ramush Haradinaj si komandant i UÇK -së, të cilit në vazhdimësi i vënë padrejtësi por edhe si luftë, tentim për komprometimin e luftës së UÇK së. Pjesëmarrja thashë nuk është e kënaqshme por shpresojmë që vetëdijesimi i popullatës për vlerat kombëtare të mirëfillta nuk duhet të ndalet vetëm në protesta. Ju jeni dëshmitar se nëpër të gjitha shtetet e Evropës ku ka shqiptar po mbështesin Ramush Haradinaj. Jam i bindur se askush nga shqiptarët nuk e konteston pastërtinë e luftës së UÇK së, përveç ata që janë të lindur tradhtar. Përndryshe edhe Ramush Haradinaj si luftëtar i UÇK së pa marrë parasysh subjektit partiak është i pakontestueshëm dhe besoj që edhe kjo do të jetë e pandryshueshme përjetë.
TV DIELLI – Z. Pren, Keni qenë luftëtar i lirisë dhe epror në një batalion të Brigadës 138, Agim Ramadani të Zonës Operative të Dukagjinit gjatë luftës. Cila ka qenë në përgjithësi Brigada 138, organizimi, shtrirja dhe dimensioni që i ka dhënë luftës së UÇK-së?
Pren Marashi: Para se të jem pjesë e Brigadës 138, unë kam qenë edhe në Zonën Operative të Drenicës, në zonën Operative të Dukagjinit. Ju e dini se kemi marrë pjesë në 98- të, kemi pas lëvizje të mëdha nëpër teren. Por konkretisht për luftën e UÇK- së, në Brigadën 138 Agim Ramadani kam qenë pjesë e strukturës komanduese e Brigadës respektivisht komandant i Batalionit 4 të këmbësorisë, dhe dimensioni dhe shtrirja e pozicionit të Brigadës ka qenë një fushëveprim i gjerë përball një armiku shumë të fuqishëm, e këtë e them me krenari të plotë, që pa marrë parasysh të gjitha ato që fliten nga njerëz të pandërgjegjshëm të cilët asnjëherë nuk e kanë dashtë luftën. Beteja e Koshares e ka arrit qëllimin e vet, dhe fatkeqësisht kur bëhet luftë duhet të ketë edhe viktima, në këtë rast kemi 114 dëshmorë, kemi mbi 500 invalidë të luftës dhe kemi një vij fronti e cila asnjëherë nuk është thyer. Në Betejën e Koshares kanë marrë pjesë edhe personalitete të shquara të cilët më parë ishin aktivist të subjekteve partiake të LDK-së, e të Lëvizjes Popullore të Kosovës, të Lëvizjes për çlirimin Kombëtar të Kosovës, edhe subjekteve tjera, por në vijat e frontit asnjëherë e them me përgjegjësi të plot nuk ka pas as thumbime, por një luftë e shenjtë dhe e lavdishme. Forcat e mëdha të armikut gjatë kësaj kohe, ju e dini që edhe Pentagoni ka mbajt mbledhje kur është thyer kufiri në Koshare, faktikisht ai është thyer disa herë në bartjen e armatimit por në vijë frontale është hera e parë deri në përfundimin e luftës.
TV DIELLI – Periudha e pas luftës, madje që në muajt e parë, me rastin e demobilizimit të UÇK-së, filloi edhe me një ta quajmë shpërfillje të kësaj ushtrie, por me premtime se të gjithë pjesëtarët e saj do të kyçeshin nëpër institucione, në Polici, në TMK dhe në organizata të tjera. Si rrodhi ai proces dhe sa u arrit me premtime?
Pren Marashi: E kemi thënë disa herë që koha e përfundimit të luftës është pjesa më e dhimbshme për çdo luftëtarë të lirisë, në rend të parë është dëshpërimi para opinionit publik. Ne jemi dëshmitarë të gjallë se në momentin kur hyri ushtria çlirimtare nëpër qytete të Kosovës dhe në vendbanime ku kishte edhe banorë ishte një entuziazëm, na pritën me lule e me vaj nga gëzimi, por kjo zgjati shumë shkurt. Duke e pasur parasysh që është tragjedia jonë mos të them edhe kombëtare që nuk u çliruam vet ishte pikërisht lufta e UÇK-së, ajo e cila e vetëdijeso edhe faktorin ndërkombëtarë me këmbëngulësin e tyre për tu çliruar, por ishte edhe gabimi i madh i subjekteve tona dhe i politikës tonë të një kohe pacifiste e pastaj edhe të etur për pushtet të cilët vlerën kombëtare siç ishte UÇK-ja, e anashkaluan dhe filluan konsolidimin e pushtetit me themelimin e institucioneve të përkohshme vet qeverisëse në kohën e UNMIK-ut, duke i shkelur vlerat kombëtare dhe mjerisht e fatkeqësisht ndodhi krahasimi dhe barazimi i luftës së UÇK- së, në luftën e okupatorit serb. Kjo bëri që luftëtarët e lirisë të anashkalohen, të përndiqen, të akuzohen, të burgosen, dhe kjo edhe sot vazhdon d.m.th. edhe 18 vite pas luftës i njëjti avaz përsëritet. Se instalimi i UNMIK-ut, i cili kishte një mision plotësisht tjetër jo te merrej me luftën e UÇK së, por me konsolidimin e institucioneve të përkohshme ata kaluan në administrim dhe thjeshtë u bënë sundues tonë. Ju e dini që pasoja e gjithë këtyre shkeljeve këto sollën edhe në vitin 2004 si shenje revolte dhe pakënaqësie të popullatës. Dhe them me përgjegjësi po të mos ishte viti 2004 me siguri se as Kosova nuk do të ishte shpallur shtet. Kanë ndodhur gabime edhe nga struktura jonë komanduese e cila u angazhua me subjektet politike, kanë ndodhur të mos them ndoshta edhe pa vetëdije gabimet e luftëtarëve të lirisë, por kryesisht bërthama pjesa dërmuese e luftëtarëve të UÇK-së, kanë edhe më tutje po të njëjtin ideal dhe edhe më tutje ballafaqohen me ekzistencën e jetës. Pasojë e mos traditës për të udhëhequr shtetin dhe për të menaxhuar shtetin në të mirë të popullatës se kjo është servilizëm i një faktori ndërkombëtar duke e pasur parasysh që ne e dimë se kush na ndihmoi gjatë luftës por kjo ndihmesa ishte më shumë të them si zgjim i vetëdijes së faktorit ndërkombëtar duke e pasur parasysh së në një djep civilizimi siç ishin shqiptaret ndodhi masakra nga serbët e cila nxiti luftën në Slloveni, Kroaci e Bosnje dhe fundin e zbrazën në Kosovë. Ishte koha e fundit që dikush të intervenojë, jo që ndoshta kishin dhimb në popullin shqiptar por ishte dëshmim para mbarë opinionit ndërkombëtar dhe pafuqisë së disa organizmave, mekanizmave ndërkombëtar.
TV DIELLI – U deshën të kalojnë 16-vjet pas çlirimit për të nxjerrë një ligj për kategoritë e luftës së UÇK-së. Fillimisht u shpall njëlloj konkursi nga Qeveria, ku iu dha e drejta të aplikonin të gjithë ata që dëshironin. Dhe jashtë të gjithë parashikimeve doli se UÇK-ja kishte pasur rreth 50.000 veteranë e invalidë. A mendoni se u veprua drejt?
Pren Marashi: Me siguri ju jeni të njoftuar se ligji i parë që ka të bëjë me kategoritë e dala nga lufta e UÇK-së, d.m.th. me veteranët e luftës, invalidët dhe familjet e dëshmorëve, nuk ka qenë ligj adekuat. Falë angazhimit të shokëve dhe bashkëluftëtarëve por edhe institucioneve të mëparshme u arrit që invalidët dhe familjet e dëshmorëve një pjesë të përfshihen në ligj, por gabimi më i madh dhe i pari gabim që u bë, u bë ndarja e veteranëve nga këto dy kategori sepse është e logjikshme dhe e kuptueshme që as invalidi por edhe dëshmori nuk mund të jetë po nuk qe pjesëmarrës i luftës. Dhe ne ishim aq sa ka familja p.sh të afërt një dëshmor të kombit apo një invalid, aq i kemi të përafërt se në momentet më të vështira të tyre ne ishim së bashku. Dhe ndodhi kjo ndarje. Fillimisht arsyetimi i institucioneve ishte mungesa e buxhetit gjë që është e pakuptimtë sepse ju jeni dëshmitarë që në momentin kur krejt Kosova ballafaqohet me krizë ekonomike, parlamentarët e Kosovës marrin nga 300 euro shtesë jashtë pagave mujore që është absurd i kohës. Dhe u bë kategorizimi në kategori të ndryshme. Ne e kemi edhe në statut të organizatës së veteranëve kategorizimin në bazë të pjesëmarrjes në luftë, por jo të bëhet edhe kategorizim me paga, sepse paga mund të jetë një dallim i vogël që është i paraparë në të gjitha shtetet e botës, por jo edhe të kategorizohen jashtë të gjitha normave institucionale me një pagë qesharake prej 120 euro e cila nuk përfshihet askund në botë. Ligjin e parë e kemi kundërshtuar si Organizatë e Veteranëve. Ka pasur kundërshtime edhe ka edhe në këtë ligjin e dytë i cili nuk është i përsosur ka mangësitë e veta, por duhet angazhim pa implikimet e subjekte partiake të cilat me implikimin e tyre ndikojnë në përçarjen e veteranëve, kjo është e dëmshme edhe për luftën tonë edhe pasojat normal që i ka në kategorizim edhe në kushtet e veteranëve të luftës
TV Dielli: Pra nuk dëmtohet buxheti i Kosovës?
Pren Marshi: Në ligj ka qenë i paraparë se nëse sektori privat i paguan të ardhurat e punëtorit ai nuk dëmton buxhetin e shtetit. Pra ky ka qenë gabimi që është bërë që në fillim ngase njerëzit janë detyruar për një rrogë të vogël qesharake pra për 170 euro në muaj të lëshojnë punën e tyre të mëhershme, sepse ka qenë diferenca 250 euro dhe për 70 euro nuk ka dashur të punoj dhe një pjesë e njerëzve të largohen nga vendet e tyre të punës dhe të marrin pension, me ç;rast kjo i ka bërë ata parazit të shtetit, që është shumë e dhimbshme dhe e pamoralshme sepse veterani dhe lufta e UCK-së, janë e vetmja kategori që do të duhej të kompensohej nga shteti, pa synuar anashkalimin e kategorive të tjera. Këta njerëz me vetëdije kanë luftuar armikun i kanë kthyer pushkën atij dhe duhet të shpërblehen nga shteti në këto rrethana, dhe në të ardhmen . Por mjerisht kemi edhe kategori të tjera që duhet bërë padi ndërkombëtare ndaj shtetit të Serbisë ngase ajo ka bërë dëme shtetit tonë. Pra shteti serb duhet të paditet me te gjitha instancat ndërkombëtarisht dhe ti kërkohet dëmshpërblimi për viktima të pafajshme, për përdhunime, për të burgosurit politik, se ishte shteti serb që i bëri këto. Ne edhe sot e kësaj dite nuk kemi ngre padi as për shkatërrimet ekonomike që ndodhën në Kosovë gjatë luftës ku u shkatërruan dhe u dogjën mijëra shtëpi.
TV DIELLI – Me rastin ndarjes së tri kategorive të veteranëve, ligj i cili me shumicë votash u miratua edhe në Kuvend, konsiderohet se janë dëmtuar sidomos veteranët që u rreshtuan në UÇK- prej marsit të vitit 1999 dhe që është një pjesë shumë e madhe. Si mendoni ju?
Pren Marashi: është e dhimbshme, sepse e ceka edhe ma lartë kategorizimi ka qenë i paraparë edhe në ligjin e përparshëm, pra i miratuar nga të gjithë edhe në statutin e OVL-së, ekziston e drejta për kategorizimin e veteranëve, veteranë luftëtarë të UCK-së, janë të gjithë. Por ne e kemi pasur një kategorizim tjetër që askush nuk e përmend që është veterani pjesëtar dhe veterani pjesëmarrës. Kanë qenë edhe këto kategori në ligjin e përparshëm.
TV Dielli, Pse janë hequr këto kategori?
Pren Marashi: Këtu qëndron problemi, ka ardhur momenti dhe tash kemi vetëm dy kategori e që tani nxit përçarje dhe mosmarrëveshje mes veteranëve. Pra kategorizimi ka qenë i tillë, përveç invalidëve dhe familjeve të dëshmorëve ka qenë veterani luftëtar, veterani pjesëtar , veterani pjesëmarrës dhe veterani i internuar të cilët janë zënë rob gjatë kohës së luftës. Askush në këtë kategorizimin e ri nuk i përmend se çka u bë me këto tri kategori. Janë 70 mijë aplikacione që kanë aplikuar për kontribute, pa cekur edhe kontribuuesit e atyre nga “Vendlindja Thërret” dhe që kanë qitur edhe fonde të tjera të cilat absolutisht nuk kanë pasur të bëjnë me UCK-në.
Dhe tash ndodhi që qeveria e Kosovës me subjektet politike në koalicionin udhëheqës të angazhoj njerëz dhe të futë në lista njerëz që nuk duhet të jenë pjesë e UCK-së. Ndihmat, angazhimet, që janë bërë me dhënien e fondeve dhe ndihmave gjatë kohës së luftës, janë mbush aplikacione për veteranë lufte e ligji e cek mirë Veterani Luftëtar,dhe kategorizimi në bazë të pjesëmarrjes ose kohëzgjatjes në luftë. Askush mos të thotë se pse po ndahen dëshmorët qoftë edhe një ditë ai është dëshmorë. Por edhe unë kam mundur të vritem dhe të jem dëshmorë, por fati e deshi që unë të jem gjallë dhe jam pjesë e luftës jam veteranë luftëtarë, por jo me kohëzgjatje të njëjtë p.sh sa e kishte edhe ndonjë shok i imi më vite të tëra. Pra pjesëmarrja në luftë nuk kontestohet por kohëzgjatja dhe kontributi në luftë është i ndryshëm. Me ligj parashihet dhe do të rregullohet edhe pse do te ketë vonesa si: pjesëmarrja në fushëbeteja, pastaj struktura komanduese, ngase ne jemi të gjithë ushtarë që kemi luftuar për lirinë e Kosovës, dhe pavarësinë e shtetit, por ne kishim bërë betimin edhe për bashkimin e trojeve Etnike shqiptare që kishim luftërat në UQPMB, dhe Kosovën Lindore, atje asnjë trajtim nuk e kanë ushtarët, atje vetëm para fushatave elektorale përmenden ushtarët e lirisë, njëjtë veprojnë edhe në Maqedoni
TV Dielli. Madje atje luftëtarët e lirisë vazhdimisht përballen me gjykime të montuara
Pren Marashi; Po e vërtetë shumica diku 90%, e të burgosurve në Iliridë janë ish luftëtarë të UCK-së, Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, tani së fundmi patëm edhe rastin e luftëtarëve të Kumanovës, të cilët kishin katër elemente që ne jemi krenar për ata, pra luftuan në UCK-së, UÇPMB-së, Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, dhe kanë jetuar dhe luftuar për çlirimin e tokave shqiptare, e në këtë rast në vend qe të na bëjnë te krenohemi me veprën e tyre ata merren me supozime,.sepse akoma betimet dhe paltformat nuk janë realizuar. 18 vite pas lufte, nisem konkretisht nga vetja ime në luftë isha 35 vjeç tani jam 53, dhe ky shtet e kjo shoqëri nuk merret me mua, por as me ata djem qe i kemi pasur me moshën 18 vjeçare të cilët politikisht nuk ishin të pjekur për nga mosha por kombëtarisht ishin të vetëdijshëm. Ne kemi me qindra raste që qindra intelektual duhet të jenë brumi i vetëdijes dhe formimit të shtetit, ne i kemi parë që kanë ikur në Stankovec e Ulqin , e sot ata i kemi ne pozita në udhëheqje të shtetit dhe merren me klasifikimin dhe kategorizimin e veteraneve kjo është e dhimbshme.
TV Dielli; A duhet të kishte një ngritje të zërit nga veteranët që të trajnoheshin ashtu siç e meritojnë?
Pren Marshi: Ngritja e zërit të veteranëve bëhet në momentin kur jashtë organizimit të veteranëve eshët politika , e tek ne mjerisht kjo nuk ndodh, sepse në të gjitha organizimet janë njerëzit që kanë të drejtën të jenë edhe pjesë e një subjekti politik, janë fanatik partiak andaj edhe interferon edhe aty. Ne e kemi me statut të Organizatës së Veteranëve që nuk do të ketë detyrë ose funksion partiak, të përafërt që e ka në OVL, por të drejtën e shprehjes dhe mendimit është e kotë dhe kjo reflekton . Kishte me qenë fat që OVL të ketë të drejtë të jetë subjekt politik, mandej e kishin parë edhe subjektet partiake se si do te kishte ecur puna edhe nëse tash dalin se janë 60 mije veteranë, që i bije me anëtaret e familjes diku 300 mijë anëtarë, dhe do të ishte subjekti i parë dhe natyrisht që i kishte ndryshuar edhe politikat shtetërore. Por kjo nuk behet sepse janë interesat politike që kanë filluar para organizmit të OVL, dhe kjo shkon në dëm tonin. Sepse asnjëherë ne legjislaturën e Kosovës që nga përfundimi i luftës nuk ka pasur më shumë deputet veteranë të UCK-së, dhe mjerisht çështja e veteranëve ka ngelur aty ku ka qenë.
TV DIELLI – Është paraparë që qysh në muajt e parë të këtij viti të fillojë punën edhe Gjykata Speciale kundër UÇK-së dhe pritet një fushatë shumë e pandershme, jo vetëm kundër individëve të caktuar në UÇK, sikur pretendojnë të na binin disa autoritete të vendit dhe të huaja, por do të jetë një fushatë me përpjekje për të tronditur vlerat e luftës dhe rezultatet që solli ajo? A mendoni se është i drejtë ky konstatim?
Pren Marashi: Fillimisht në momentin që institucionet tona flas deputetët e popullit përfaqësuesit të cilët i kanë votuar parlamentin e Kosovës, një ligj dhe lejimin e themelimit të Gjykatës, ne ishim të parët që e ngritëm zërin kundër, dhe edhe sot edhe vazhdojmë dhe do të jemi kundër saj. i kemi bërë ftesë publike të gjithë veteranëve që të mos bashkëpunojnë me Gjykatën Speciale sepse është një gjykatë në rend të parë antikushtetuese, anti njerëzore dhe thjeshtë tentimi për me barazuar viktimën me xhelatin siç ishte Serbia, është absurd. Askush nuk thotë që pas lufte nuk kanë ndodhur gjëra të cilat kanë qenë të pakëndshme për mbarë opinionin, por të themelohet një organ, një gjykatë kundër UÇK së, që ekskluzivisht merret me UÇK-në, është theksuar është potencuar UÇK, kjo është e dëmshme. Ky është një mekanizëm ndërkombëtar i cili ka fuqi dhe ka marrë mbështetjen edhe nga Kombet e Bashkuara, por mbështetja më e forta e tyre është mbështetja e Kuvendit të Kosovës që ka marrë mjerisht edhe nga strukturat udhëheqëse të UÇK- së, të cilët edhe sot janë deputet të parlamentit të Kosovës, kjo është mbështetja më e fort që i jepet Gjykatës Speciale, dhe e them me përgjegjësi të plot nesër po të ndodhte të thirrem në Gjykatën Speciale për luftën e UÇK –së, do të ishte krenari të ballafaqohem me ata jo unë, por çdo luftëtar, por është e dhimbshme për ne për familjen dhe për gjeneratën e ardhshme që vjen, që luftën për liri, për pavarësi të këtij vendi të ma gjykoj dikush i cili ka qenë thundër e jona e cila për dekada të tëra them me shekuj na ka shkelur kjo është e dhimbshme. Edhe më tutje qëndrojmë pranë ftesës të bërë nga Organizata e Veteranëve që asnjë luftëtarë të mos bashkëpunoj me ta, ftesës të mos i përgjigjet, këta e kanë mekanizmin vjen me dhunë të merr nuk është problem, por unë të shkoj ti përgjigjem atje jo.
TV DIELLI – A janë unikë veteranët kur është fjala për mbrojtjen lirisë dhe pavarësisë së Kosovës, pavarësisht disa mosmarrëveshjeve e qëndrimeve jo gjithnjë të akorduara?
Pren Marashi: Këtë e them me përgjegjësi të plotë çdo luftëtar tash po them këtë që ata veteranë të vërtet që dinë çka është veterani i vërtet pa hak pa hile. Çështja e pavarësisë së Kosovës është vetëm Pavarësia e Kosovës, çdo herë e kemi si hap drejtë Bashkimit dhe realizimit të aspiratave tona, por në rast lufte, në rast konflikti duhet ta dinë që ata veteranë aq sa ishin të vërtetit përsëri do të jenë, dhe çështja e Kosovës dhe e pavarësisë së Kosovës dhe rrezikut e kërcënimeve të serbëve që vinë kohëve të fundit. Sepse ata me sa duket sa herë që kanë me shpall zgjedhje për interesat e tyre të vetmin element për shitjen e patriotizmit e shfrytëzojnë Kosovën të cilinë asnjëherë se kanë pasur të veten, por tragjedia jonë kombëtare është kjo si është por veteranët e vërtetë, veteranët luftëtarë të vërtet asnjëherë nuk do të ja kthejnë shpinën Kosovës qoftë me pushkë qoftë me kontribut në të gjitha sferat e jetës.
TV Dielli: Zotri Pren, a keni diçka të shtoni për fund të këtij bashkëbisedimi?
Pren Marashi: Unë kam pas me thanë veteranët luftëtarë, veteranët e vërtet kurrë të mos frikësohen se do mund dikush tua nxënë vendin, është provizorë është si të them pasqyrë ku njeriu ndalet para vetvetes dhe ja bënë qejfin vetes duke i thënë si në ato përrallat se s;ka më i mirë se unë askush në botë, veteranët e kanë dëshmuar veten në kohët më të vështira dhe të mos frikësohen as të pavërtetëve. Ky popull dhe kjo Kosovë duhet ta di që pa luftën e UÇK –së, sot nuk do të ishte pavarësia e Kosovës sot nuk do të ishte kjo liri gjysmë liri mjerisht, dhe ne edhe më tutje do të sakrifikohemi për hir të popullit për hir të vendit duke u ballafaquar edhe me gjykatën speciale edhe me gjithë armiqtë që i kemi pasur historikisht.
TV DIELLI -Ju faleminderit për bisedën dhe kontributin që i keni dhënë këtij emisioni të TV-Diellit!
Pren Marashi: Faleminderit edhe për ftesën, ndoshta e kam tepruar pak që kam folur me gjuhën e ashpër por kjo është gjuha e luftëtarit, kjo është ajo brenga që të gjithëve na bren e mënyra e shprehjes. Normal që ndryshon nga vendi se a je i kyçur në ndonjë subjekt. Me krenari nuk jam në asnjë subjekt partiak kjo është ajo gjuha që e flet çdo luftëtarë i lirisë. Juve ju përgëzoj si TV Dielli, edhe për angazhimin edhe për prezantimin e vlerave të mirëfillta kombëtare dhe ju dëshiroj sukses.