Zahir Pajaziti ishte ndër ideatorët e parë të krijimit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Aktiviteti i tij ushtarak në organizimin dhe konsolidimin e grupeve të para të armatosura, zë vend me rëndësi në historinë e lavdishme të UÇK-së.
Zahir Pajaziti ka lindur në fshatin Turiçicë të Besianës (ish-Podujevë). Babai i tij, Qerimi, dhe nëna, Fatimja, i kishin rritur me mjaft vështirësi pesë djemtë dhe dy vajzat e tyre, duke mundësuar edhe shkollimin e tyre. Shkollën fillore e kreu në vendlindje. Në vitin shkollor 1976-1977, regjistrohet në Shkollën e Mesme të Policisë në Vushtrri. Edhe pse ishte nxënës i vëmendshëm dhe i zgjuar në mësime, në vitin e dytë mësimor, drejtoria e përjashton nga shkolla me pretekstin se nuk kishte përfillur rendin disiplinor të shkollës.
Vitin e dytë të shkollimit të mesëm e kryen në Orllan, ndërsa dy vjetët e fundit i mbaroi në qendrën shkollore të arsimit të orientuar “8 Nëntori”, në Besianë.Në verë të vitit 1980, së bashku me dy shokë të tij, Raif Sfishta dhe Nexhmi Dabinovci, shkon në Republikën Popullore Socialiste të Shqipërisë. Ai e kishte kaluar ilegalisht kufirin përmes lumit Buna. Atje qëndron 18 ditë. Pas kthimit nga Shqipëria, Zahiri torturohet nga inspektorët e Sigurimit jugosllav.
Në vitin shkollor 1981-1982, Zahir Pajaziti regjistrohet në Degën e Gjuhës Angleze të Fakultetit të Filologjisë të Universitetit të Prishtinës.
Me rastin e shpërthimit të demonstratave të rinisë përparimtare në mars dhe në prill të vitit 1981, në Prishtinë, Zahiri merr pjesë aktive në to. Një vit më vonë, ende pa e filluar vitin e dytë të studimeve, merr ftesën për rekrutim në armatën jugosllave. Pas kryerjes së dymbëdhjetë muajve të parë të këtij shërbimi, ai shfrytëzoi të drejtën e pauzimit, për t’i kryer më vonë edhe tre muajt pasues në Beograd, në vitin 1985. Zahiri asokohe ishte në njohuri të represionit dhe dhunës sistematike që ushtronte regjimi sidomos kundër rekrutëve shqiptarë, të cilët dënoheshin dhe në disa raste edhe vriteshin nga dora e shërbimit sekret të armatës jugosllave (KOS-i).
Pas kthimit nga shërbimi në radhët e armatës jugosllave, ai gjithnjë e më tepër angazhohet në drejtim të veprimit patriotik ilegal, duke shkruar parulla me përmbajtje kombëtare dhe duke bërë thirrje për mobilizim të forcës kombëtare. Zahiri ka marrë pjesë aktive pothuajse në të gjitha demonstratat që janë zhvilluar në vitet 1988-1990. Në këtë kohë ai kishte ofruar rreth vetes bashkëmendimtarë të shumtë si, Hakif Zejnullahun, Isak Shabanin, Bahredin Berishën e të tjerë. Edhe në vitet ’90, Zahiri nuk e ndaloi veprimtarinë e tij të organizuar atdhetare. Në nëntor të vitit 1991, ai ishte në mesin e 150 të rinjve militantë nga Kosova, të cilët kishin bërë stërvitje ushtarake në Republikën e Shqipërisë. Duke qenë se inspektorët e UDB-së, në mesin e tyre edhe bashkëpunëtorë shqiptarë, vihen në dijeni të këtyre stërvitjeve, në fund të po atij viti ky aktivitet gjysmëlegal ushtarak ndërpritet. Zahiri, njëri ndër projektuesit e ardhshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ishte në hulumtim të vazhdueshëm të formave dhe të metodave të veprimit aktiv çlirimtar. Ai nuk i besonte lëvizjes pacifiste, ndërsa anëtarësimin në parti e bëri me qëllim të kamuflimit të veprimeve ilegale, meqë pushteti serb nuk e pengonte aktivitetin dhe organizimin partiak. Pavarësisht nga kjo, Zahiri vazhdimisht ishte syçelë dhe vepronte me konspiracion të thellë. Kurdoherë mbante me vete revolen dhe e kontrollonte me kujdes çdo lëvizje përreth tij.
Në periudhën maj 1994 – 20 janar 1997, Zahiri me bashkëluftëtarët e tij besnikë, si: Naser Azemi, Kadri Pajaziti, Nazmi Zuka, Fatmir Humolli, Faik Ajeti, Fidaim Gashi e të tjerë, në intervale të caktuara kohore, shpeshherë ka kaluar nëpër kufirin administrativ Kosovë-Shqipëri, me detyrë ushtarake për furnizim me armatim të grupeve të pal-a të gueriles shqiptare, e cila po konstituohej drejt formimit të ushtrisë çlirimtare.
Në maj të vitit 1994, policia e atëhershme e Qeverisë së Shqipërisë e arreston në Krumë dhe ia konfiskon një sasi municioni, Pas një muaj të qëndrimit në burg, me intervenimin e disa shokëve të tij, lirohet nga arresti. Gjatë kësaj periudhe kohore, Zahiri ka zgjeruar rrjetin e bashkëpunimit me grupet e tjera ilegale, që kishin filluar veprimet konkrete kundër policisë serbe dhe kolaboracionistëve, Ka mbajtur kontakte dhe ka bashkërenditur veprimet me: Lahi Brahimajn, Xheladin Gashin, Mujë Krasniqin, Rexhep Selimin, Sokol Bashotën e të tjerë, Synim parësor asokohe kishte shtrirjen besnike dhe të suksesshme të planit operativ, në shumë rajone të Kosovës. Ishte tejet i ndërgjegjshëm se rruga që e kishte filluar kërkonte mund, sakrificë e mbi të gjitha vendosmëri, për ta luftuar me të gjitha format okupatorin.
Falë zgjuarsisë, përgatitjes fizike, trimërisë dhe konspiracionit të thellë, Zahiri me shokët e tij besnikë, ka ndërmarrë disa sulme kundër policëve serbë dhe kolaboracionistëve, të cilët ushtronin terror mbi popullatën e pambrojtur shqiptare kudo në Kosovë.
Gjatë periudhës kohore prej vitit 1994 e deri në vitin 1997, Zahiri ka zgjeruar rrjetin e bashkëmendimtarëve dhe të bashkëluftëtarëve. Ka mbajtur kontakte me Adrian Krasniqin, Qerim Kelmendin, Rrustem Mustafën, Ilir Konushevcin, Sejdi Ramën e me shumë të tjerë.
Ai po ashtu e dinte se në Drenicë vepronte komandanti i UÇK-së, Adem Jashari, me shumë bashkëluftëtarë, Zahiri me komandosët e tij tanimë kishte kaluar sa e sa herë ilegalisht kufirin administrativ, që e ndante Kosovën me Shqipërinë, kufirin më të mbrojtur dhe më represiv në tërë Evropën. Më 20 janar të vitit 1997, për herë të fundit nga Shqipëria rikthehet në Kosovë.
Ishte i vetëdijshëm se Shërbimi Sekret Serb kishte shënime për rrugëtimin e tij e ndoshta edhe për aksionet që kishte kryer kundër policisë dhe bashkëpunëtorëve të saj. Asokohe afër vetes kishte Hakif Zejnullahun dhe Edmond Hoxhën, dy bashkëluftëtarë besnikë dhe të kalitur në veprimtari ilegale.
Më 31 janar, policia serbe kishte identifikuar lëvizjet e Zahirit, Edmondit e të Hakifit. Forcat policore serbe kishin bashkërënditur veprimet dhe kishin përforcuar të gjitha vendkalimet në relacionin Prishtinë-Vushtrri.
Automjete të shumta të policisë ishin vënë në lëvizje dhe kishin filluar përcjelljen e veturës, të tipit “Lada”, ku ndodheshin Zahiri, Hakifi dhe Edmondi, të tre të armatosur. Me të arritur në hyrje të fshatit Pestovë, policia serbe, pa kurrfarë paralajmërimi, fillon granatimin e veturës, ndërsa të tre trimat kishin arritur t’i kundërpërgjigjeshin sulmit të befasishëm. Atë ditë, bien në altarin e lirisë, Zahir Pajaziti, Edmond Hoxha dhe Hakif Zejnullahu. Me aktin e tij heroik, Zahir Pajaziti dëshmoi botërisht se në Kosovë ishte vënë në veprim brezi i çlirimtarëve, ishin vënë në veprim më militantët, të cilët nuk do të pyesnin për çmimin e lirisë.
Me rastin e rënies së Zahir Pajazitit dhe të dy bashkëluftëtarëve të tij, Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kishte lëshuar një komunikatë, në të cilën bënte të ditur se në krye të detyrës kishte rënë njëri ndër luftëtarët më të përkushtuar të luftës çlirimtare.
Zahir Pajaziti u bë simbol i rezistencës, në kohën kur klasa pacifiste e Kosovës krijonte huti në opinion dhe të gjitha sulmet kundër armikut serb i trajtonte si projeksione të Shërbimit Sekret Serb.
Rënia e tij heroike mobilizoi qindra të rinj e të reja, të cilët iu bashkuan radhëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, anembanë vendit. Në përjetësim të veprës heroike të tij dhe të dy bashkëluftëtarëve, në vendrënien e tyre në Pestovë është ngritur lapidari.
Në nderim të veprës së tij heroike, Zahir Pajaziti është përjetësuar në shtatore bronzi, në Prishtinë.
Me emrin e tij gjatë luftës është emërtuar Brigada 153 e Zonës Operative të Llapit.
Janë të shumta rrugët e sheshet, shkollat dhe institucionet në Kosovë që e mbajnë me nderim dhe krenari emrin Zahir Pajaziti.
Emrin e tij e mban me krenari edhe Kazerma e TMK-së në Llukar, afër Prishtinës. Për jetën dhe veprimtarinë e tij patriotike janë shkruar studime të shumta, janë krijuar sa e sa këngë dhe janë thurur shumë poezi