KK i Malishevës reagon kundër arrestimit të Ramush Haradinajt

Kuvendi i Komunës së Malishevës, në mbledhjen e saj të parë për këtë vit, përmes një deklarate, ka reaguar ndaj arrestimit të ish kryeministrit të vendit, z.Ramush Haradinaj. Deklaratën para anëtarëve të kuvendit, e ka lexuar kryesuesi i KK të Malishevës, z.Aziz Thaçi dhe në këtë deklaratë thuhet:

Ne si Kuvend i Komunës së Malishevës, jemi të shqetësuar sikur të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, për proceset e montuara nga qeveria serbe, ndaj të gjithë ushtarëve të UÇK-së. Përmes këtyre proceseve po tentohet të barazohet lufta çlirimtare e UÇK-së, me gjenocidin e ushtruar mbi popullin tonë. Andaj, Kuvendi Komunal i Malishevës nxjerrë këtë deklaratë:

  1. Kërkohet nga Qeveria e Republikës së Kosovës, që përmes mekanizmave të saj, të bëjë presion në organizma ndërkombëtarë, veçanërisht organeve të drejtësisë franceze, që sa më parë ta lirojnë z.Ramush Haradinaj.

  2. z. Haradinaj e ka dëshmuar në Tribunalin e Hagës, pastërtinë për veprimtarinë e tij gjatë luftës së fundit në Kosovë, ku si rezultat është shpallur i pafajshëm.

  3. Gjenocidin e ushtruar ndaj popullit të Kosovës, posaçërisht gjatë viteve të luftës 1998/1999, e dënuan të gjitha shtetet demokratike të botës dhe e ndëshkuan me intervenimin e NATO-s, ku një ndër shtetet më aktive ishte edhe shteti Francez.

Kjo deklaratë është iniciuar nga subjekti politik “NISMA”, konkretisht nga shefja e grupit të këshilltarëve, znj.Arbëresha Krasniqi.

Kontrolloni gjithashtu

Kuvendi komunal i Rahovecit mbajti mbledhjen e rregullt të njëmbëdhjetën për këtë vit kalendarik

Udhëhequr nga Kryesuesi – Arbër Zenuni, u mbajt seanca e muajit nëntor, e njëmbëdhjeta e …