Libri ‘Mashtrimi i Madh’ i Politikologut të nderuar Bardhyl Mahmuti, është një nga librat më të jashtëzakonshëm në dhjetëvjeçarin e fundit. Në këtë libër pasqyrohen detajet e një ngjarje tejet të dhimbshme të popullit shqiptar të Kosovës në një anë, dhe të fatkeqësisë së shëndrrimit të një Shteti në Shtet kriminal (Shtetit të mbetur të Jugosllavisë) në anën tjetër. Bardhyl Mahmuti duke mbledhur faktet njërën pas tjetrës e çmonton komplet propagandën e aparatit të informimit të Shtetit të mbetur Jugosllav, i cili Shtet tentonte përmes mediave të fuste në lajthitje tërë opinionin e gjërë ndërkombëtarë. Krimi brenda Shtetit dhe duke shfrytëzuar aparatin e Shtetit nuk kishte limite. Aparati i Milloseviçit porosiste edhe vrasjen e civilëve serbë, me qëllim që të ua mvishte ato vrasje “terroristëve” shqiptarë siç i quante ai.
Pregaditja e krimeve për të bërë krime tjera ishte pjesë e çmendurisë shtetërore. Rasti “Panda” në Pejë do mbetet mjerimi i një ndërgjegjeje të kalbur të një strukture të një Shteti që përbëhej nga njerëz plehëra të shekullit. Milloseviçi dhe strukturat Shtetërore që e përkrahnin atë, nuk ishin armiq vetëm të shqiptarëve, ato struktura vrisnin edhe serbë që kundërshtonin çmendurinë çnjerëzore të tyre. Qëllimi i tyre ishte shfrytëzimi i viktimave njerëzore serbe, për të shkaktuar viktima tjera shqiptare.
Përmes këtij libri, lexuesi, do gjejë faktet e prekshme tejet trishtuese për njerëzimin dhe jetën njerëzore në plan të parë.Ekspertët e ligjeve, ekspertët e mjekësisë ligjore dhe gazetarët vullnetshëm bëhen pjesë e propagandës së Shtetit, duke shkelur me të dyja këmbët ‘Betimin e Hipokratit’, duke manipuluar haptas me trupin e viktimave të masakruara, duke u munduar t’i paraqesin pleqtë si terroristë të armatosur, ndërsa foshnjat e vrara duke i quajtur kukulla, dhe duke tentuar me çdo mjet të fshihen viktimat civile gjatë raportimeve për mediat e huaja.
Përmes këtij libri kuptohen detajet e trishta rreth vlerës së jetës nga ana e Shtetit, kur Shteti është vet furra e krimeve. Trupat e njerëzve të pafajshëm trajtohen si objekte për manipulim të së vërtetës. Më shumë rëndësi i japin shpjegimit të distancës së ekzekutimit të nje jete njerëzore krejtësisht të pafajshme, sesa jetës njerëzore si e tillë.
Përmes këtij libri kuptohet në thelb se para sovranitetit të një Shteti të njohur ndërkombëtarisht, vie e drejta themelore njerëzore dhe se shkelja e këtyre të drejtave ia humb sovranitetin çdo Shteti. Duke lexuar këtë libër kuptojmë edhe ndërhyrjen e NATO-s kundër një Shteti Sovran dhe arrijmë të kuptojmë edhe hudhjen e çdo bombe kundër një Shteti të tillë.
Libri ‘Mashtrimi i Madh’ nuk është një libër që vetëm trajton çështjen e shqiptarëve, serbëve dhe luftërave në ish Jugosllavi. Ky libër është diçka më shumë se trajtimi i konfliktve, është gjurmë e prekshme për historinë e trishtë të Gadishullit Ballkanik.
Ky libër është një leksion në vetvete për njerëzimin, është një libër leksion për demokracinë, që iu ofrohet njerëzve për të kuptuar se sa i rrezikshëm mund të bëhet Shteti kur bie në duartë e plehrave të veshur në tesha të njerëzve të civilizuar.
Ky libër përveç që ia vlenë të përkthehet në shumë gjuhë të huaja, do të kishte një vlerë të veçantë që të përkthehej në gjuhën serbe dhe t’i ofrohej lexuesit pikërisht në Serbi. Askush nuk ka më shumë nevojë për të vërtetat e krimeve të kryera nga aparati shtetëror në hapësirën e ish Jugosllavisë sesa vet populli serb. Një popull që nuk arrinë t’i mësojë të këqijat që i kanë bërë udhëheqësit e tyre, nën emrin e tyre, atëherë ai popull nuk do e ndjejë kurrë përgjegjësinë e fajësisë, e rrjedhimisht nuk do e kuptojë asnjëherë që jeta e njerëzve të një grupi tjetër shoqëror është poaq e vlefshme sa edhe vet jeta e tyre.