Fillojnë punimet e fazës së tret për ndërtimin e shtratit të lumit “Drenica”

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinorë, Ferat Shala dhe Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, kanë bërë përurimin e llotit të dytë në fazën e tretë për ndërtimin e shtratit të lumit “Drenica”, projekt ky ne gjatësi prej 1.3 kilometra dhe me një investim afër 700 mijë euro.

Më rastin e përurimit në fillimin e punimeve për ndërtimin e fazës së tretë të shtratit të lumit “Drenica”, i pari i legjislativit të vendit, Kadri Veseli theksoi se ky projekt do t’ua lehtësojë jetën e qytetarëve të kësaj komune dhe se Drenasin do ta bëjmë një qytet më të bukur dhe urban ashtu siç e meriton. “Ky është vetëm fillimi i investimeve në këtë vit, do të jenë investime edhe rreth 15 milionë euro në komunën e Drenasit nga Qeveria qendrore dhe nga pushteti komunal. Do të ketë investime të cilat asnjëherë më parë nuk i ka parë kjo komunë dhe do të vazhdojmë Drenasin ta transformojmë në një qendër moderne urbane dhe atë çfarë kemi premtuar të jetë në një qendër industriale dhe të bizneseve për arsye se Drenasi i ka të gjitha mundësitë që të jetë një shtytëse e zhvillimit ekonomik të Kosovës”, ka thënë Veseli. Ai ka pohuar se ky projekt do të vazhdojë dhe do të përfundohet deri në fund duke vazhduar për në Komoran e pastaj edhe nga pjesa e “Ferronikelit”. “Janë 1 milionë e 600 mijë euro që kryetarit të komunës i’u kanë bartur për infrastrukturë nga MI-ja. Këto projekte do të vazhdojnë për arsye se i kemi borxh këtij vendi, sepse ka dhënë shumë për lirinë e Kosovës”, ka pohuar Veseli. Ai ka shtuar se simbolika e këtij projekti është pikërisht që po fillon në kohën kur edhe është shpallur pavarësia e vendit. Ndërsa, ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Ferat Shala, ka thënë se ky projekt është duke u financuar nga ministria që drejton ai, me ç’rast edhe ka uruar të gjithë qytetarët e kësaj komune për projektin në fjalë. Lloti i dytë kap gjatësinë 1.3 km dhe shuma kap vlerën 689 mijë euro”, tha ai. Kurse, kryetari i komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka pohuar se ky është projekti i parë që po fillohet pas marrjes së mandatit të tij, duke premtuar se do të vazhdojnë edhe me projekte të tjera. “Ne do të vazhdojmë bashkë me ministrin, me kryetarin e Kuvendit që këto projekte t’i qojmë deri në fund. Është një projekt i madh që do të zgjas për dy tri vitet e ardhshme. Ky është projekti i parë që po e fillojmë në komunën e Drenasit dhe do të fillojmë edhe shumë projekte të tjera qe kemi planifikuar t’i realizojmë gjatë këtij viti”, ka thënë kryetari Lladrovci.

Kontrolloni gjithashtu

Kuvendi komunal i Rahovecit mbajti mbledhjen e rregullt të njëmbëdhjetën për këtë vit kalendarik

Udhëhequr nga Kryesuesi – Arbër Zenuni, u mbajt seanca e muajit nëntor, e njëmbëdhjeta e …