Sot në Prekaz, në vendin më të vizituar të Kosovës, po nderohet vepra dhe heroizmi i Komandantit legjendar të UÇK-së, Adem Jashari, dhe familjes së tij. Te Memoriali, në lagjen Jashari kanë filluar vizitat e veteranëve, invalidëve, familjarëve të dëshmorëve, të qytetarëve liridashës nga Kosova e më gjerë, por edhe të përfaqësuesve të institucioneve dhe partive politike. Të gjithë ata po i bëjnë nderime dhe respekt legjendarit të kohës sonë më meritorit të lirisë dhe pavarësisë së Kosovës, kryekomandantit të UÇK-së, Adem Jashari.
Në 9-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, para së gjithash përkujtohen më meritorët e lirisë, dëshmorët, martirët dhe të gjithë ata breza shqiptarësh që u sakrifikuan për liri e pavarësi. Po ashtu përkujtohen edhe meritorët e gjallë, ata që tërë jetën e tyre ia kushtuan kombit e Atdheut, në mesin e tyre, Simboli i Rezistencës sonë Kombëtare, bacë Adem Demaçi dhe mijëra ish të burgosur politikë, të cilët kurrë nuk u pajtuan me robërinë, kurrë nuk u dorëzuan dhe më në fund arritën ta përjetojnë lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.