Agjencia Kadastrale e Kosovës reagon ndaj pretendimeve të plasuara në mediumin gazetablic.com me datë 20 shkurt, me titull „Ankohen deputetët: Ja si po na “shantazhojnë” ta votojmë demarkacionin!“ (linku: http://gazetablic.com/ankohen-deputetet-ja-si-po-na-shantazhojne-ta-votojme-demarkacionin-foto/). Në artikullin në fjalë pos që përflitet Agjencia Kadastrale e Kosovës dhe Kryeshefi Ekzekutiv Prof. Dr. Murat Meha, përflitet edhe kryetarja e Asociacionit Botëror të Gjeodetëve (FIG) z-nja Chryssy Potsiou. Është fakt që z-nja Chryssy Potsiou po qëndron në Kosovë, por aktiviteti i saj nuk ka të bën asgjë as me demarkimin e kufirit, as me prezantimin e Raportit të Komisionit të formuar nga Qeveria për matjen e territorit të Kosovës, e as me deputetët.
Dr. Chryssy Potsiou, kryetare e Shoqatës Botërore të Gjeodetëve (FIG), ligjëruese në Universitetin Teknik të Athinës dhe mike e dëshmuar e gjeodetëve të Kosovës ka qenë e angazhuar nga Autoriteti Norvegjez për Hartografi (Kartverket) dhe Agjencia Kadastrale e Kosovës për të bërë një studim të hollësishëm mbi fenomenin e ndërtimeve joformale në Kosovë, aktivitet ky i filluar qysh në vitin 2015. Vizita e saj e sotme ka pasuar disa vizita paraprake të saja gjatë vitit 2015 dhe 2016, ndërsa qëllimi i vizitës ishte prezantimi i studimit të saj në fushën e trajtimit të objekteve pa leje në Republikën e Kosovës para përfaqësuesve të institucioneve vendore. Asgjë më shumë se kaq!
Prandaj, cilido qoftë burimi i këtij lajmi të cilit i referohet Gazeta Blic, ai është dezinformues dhe tendencioz, në disa rraste madje edhe jo etik.
Tendenca për krijimin e armiqve edhe aty ku kemi miq nuk i ndihmon kurrfarë kauzeje, e aq më pak përvjedhja në profilin e z-njës Potsiou në Facebook, marrja e fotografive personale të saja dhe shpërndarja e tyre nëpër media dhe rrjete sociale. Kjo nëse nuk është e kundërligjshme, së paku është jo etike. Sidomos kur me kësi gjërash merren disa profesorë!
Për fund, informojmë mediat se AKK është institucion transparent dhe i hapur për komunikim, prandaj kur të përflitet AKK mos hezitoni të na kontaktoni dhe të kërkoni sqarime për çështjet që kanë të bëjnë me mandatin e AKK-së.