Muharrem Xhafa

Muharrem Xhafa: Dekorimet e presidentit të përçarjes kombëtare

Opinioni publik është njohur përmes medieve se presidenti në detyrë i Republikës së Shqipërisë, zoti Nishani, më 20 shkurt 2017, dekoroi me dekoratën e lartë “Gjergj Kastrioti-Skënderbeu” një grup kriminelësh e banditësh antishqiptarë! Ai, presidenti, i dekoroi banditët e kriminelët për kontributin e vyer e të pamohueshëm të tyre në përpjekjet e bëra e të dështuara për rrëzimin e shtetit “diktatorial” të Enver Hoxhës, për vlerat e “çmuara atdhetare” të tyre  dhe sepse kriminelët e banditët i paskëshin sakrifikuar jetën e veten për një Shqipëri të lirë, demokratike e euroatlantike! Pra, edhe për një Shqipëri  euroatlantike! Çfarë injorance: Abaz Kupi, Abaz Ermenji, Hasan Dosti e të tjerë të këtij “gjirizi”, paskan luftuar e sakrifikuar që atëherë për një Shqipëri  euroatlantike! Dhe diçka më tej: Abaz Kupi, Abaz Ermeni, Hasan Dosti e të tjerë zikan një vend të nderuar në historinë e Shqipërisë!

Për t’i dhënë “ngjyrën e kohës” dekorimit të krimineleve, presidenti i përçarjes kombetare, Nishani, shpall se kjo bëhet edhe për të shkundur “pluhurin e harresës” e për t’i bërë të ditur popullit përpjekjet e sakrificat sublime të atyre shqiptarëve “të mëdhenj”, po edhe për t’i vendosur ata “në piedestalin e heronjve liridashës shqiptarë”! Ok Nishan! Po çfarë do të bënte më shumë se ti Hitleri ose Musolini për të glorifikuar veprën nazifashiste të “heronjve” të tu të zemrës”?!

Nishani ka zgjedhur jo pa qëllim për të dekoruar “heronjtë” e tij të zemrës, kriminelët më të rrezikshëm të LANÇ-it e të pushtetit popullor, 20 shkurtin, të cilën ai e vlerëson si një ditë të shënuar për Shqipërinë, sepse përfaqësoka, sipas tij, rrëzimin e simboleve të komunizmit, të shtatoreve të Enver Hoxhës, po edhe për të qartësuar disa padrejtësi! S’është hera e parë që “miku” i fashizmit bën veprime të tilla në cilesinë e presidentit të vendit. Po duam t’i kujtojmë, sikurse edhe here tjetër më parë, se kriminelët e LANÇ-it e të pushtetit popullor e kanë marrë “dekoratën” e tyre të merituar nga populli e gjykatat e popullit, atë të tradhtarit të atdheut dhe të bashkëpunëtorit me pushtuesit e huaj! Kjo dekoratë është e pashlyeshme dhe e patjetërsueshme! Po kështu, duam t’i kujtojmë zotit president se Kryeheroit të Kombit, Enver Hoxhës, nuk keni se çfarë t’i bëni, as ti, as një lukuni nazifashistësh, as llumi i borgjezisë e pushteti i saj, që ju ushqen! Enver Hoxha e ka vulosur me veprën e vet të pavdekshme vendin e tij në historinë e Shqipërisë e të kombit shqiptar! Ju e keni frikë Komandantin! Ju e dini bukur se Monumenti i Enver Hoxhës është populli, është kombi shqiptar, është LANÇ-i, është Shqipëria socialiste!

Me aktin e fundit, nëse është i fundit, ju zoti Nishani, e bëtë tuajën! Për patriotët e veteranët e LANÇ-it, për komunistët e enveristët, për popullin antifashist, ju keni kryer një veprim antikombëtar e profashist, i keni hedhur benzinë zjarrit të përçarjes kombëtare, u bëtë qejfin në shkallën më të lartë forcave pushtuese të Shqipërisë, bashkëpunëtorëve të fashizmit e pinjollëve të tyre! Ju e dini shumë mirë pse ndodh kjo me ju si president i Republikës! Sepse në Shqipëri “nuk ka” mazhorancë socialiste”! As lëvizje komuniste, sot për sot, që t’u tregojë vendin tradhtarëve të Atdheut! Se, po të kishte, ti nuk do të veproje kështu dhe do të kishe “fluturuar” me kohë! Ju i bëni këto veprime në kundërshtim jo vetëm me vullnetin e popullit, jo vetëm në kundërshtim me Kushtetutën e vendit, po edhe në përdhosje të ndërgjegjes së gjithë kombit shqiptar! Shumë akte të tuat kanë qenë në shkelje të Kushtetutës! Shumë herë ju keni mbajtur anën e pushtuesve e të bashkëpunëtorëve të tyre! Po jo si kësaj radhe, që u pozicionuat kaq poshtërsisht hapur, kundër LANÇ-it, kundër partizanëve e veteranëve! Hodhe baltë si të ishe një përfaqësues i denjë nazist edhe kundër Aleatëve të Mëdhenj Antifashiste të Luftës së Dytë Botërore! S’ka asnjë vend antifashist në botë, që të mos i ketë dënuar me ligj bashkëpunëtorët e fashizmit, ndërsa ti, në abuzim të detyrës kushtetuese si përfaqësues i unitetit të popullit, i dekoron! Mos harro se një ditë, kur te mos jesh më i veshur me petkun e Presidentit të Republikës, që ti e ke nëpërkëmbur si askush, edhe të tutë, atyre që ti u shërben, do të të lënë në rrugë, sepse ke kryer vepra në kundërshtim me misionin e kryetarit të shtetit! Qofsha unë i gabuar, po aq sa e njoh politikën, ju jeni presidenti i parë në botë që dekoron veprimtarinë e shërbimeve sekrete të huaja kundër vendit “tënd”, aq sa edhe atyre u vjen neveri prej veprimesh të tilla, më e pakta, amorale.

Përforcoj se ju e bëtë tuajën! Askush pret që PD-ja e minoranca të të tërheqin vëmendje e të të kërkojnë anulimin e “krimit” presidencial! Këtë duhet ta bëjë PS-ja e mazhoranca! Komunistët do ta mbështesin për këtë akt në shërbim të popullit, të nderit të tij.

Kontrolloni gjithashtu

Dilaver Goxhaj: RKL dhe Kosovapress ishin dhe mbeten Ylli Polar për Luftën Çlirimtare në Kosovë

Dilaver Goxhaj: PËRFUNDIME TË DALA PREJ ANALIZAVE KRITIKE NDAJ LIBRIT “Dosja Amerikane për Shqipërinë Koministe”, me autorë  Bejtullah Destani dhe Visar Zhiti

Bazuar në faktet dhe analizën e luftës 10-vjeçare,  Dhjetor 1944- Dhjetor 1953, midis Forcave të …