Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, ka nënshkruar një memorandum bashkëpunimi me Komunën e Dardanës, për realizimin e projektit kapital “Rregullimi i Stadiumit të Qytetit në Dardanë”, në vlerë prej 184 mijë euro, investim i cili do të bëhet gjatë këtij viti. Ministri Kujtim Shala, u shpreh se MKRS-ja është e përkushtuar që të investojë në komunat e Kosovës, sidomos në fushën e investimeve kapitale në sport, me qëllim të krijimit të kushteve moderne dhe hapësirave të reja për sportistë e atletë. Në këtë kuadër, Shala, tha se rregullimi i stadiumit në Dardanë, do të shërbejë për futbollistët e Kamenicës që ata të zhvillojnë garat e tyre.