Norbert Jokli (25 shkurt 1887 – maj 1942) ishte albanolog austriak me prejardhje hebreje. Njihet si një ndër themeluesit e albanologjisë. Por, para se të njihej si albanolog i madh ai ishte i çmuar si studiues i filologjisë baltike-sllave dhe si bibliotekist i Universitetit të Vjenës.
Lindi në Bzenec (asokohe Bisenz), Moravia e Jugut, sot Republika Çeke si biri i vetëm i një tregtari hebre. Përfundoi shkollën e lartë me nota të shkëlqyera dhe hyri në fakultetin e drejtësisë në Universitetin e Vjenës. Mori këtu gradën e doktorit të drejtësisë summa cum laude më 23 qershor, 1901. Disa kohë veproi si stazhist ligjor, por më vonë vendosi t’i përkushtohej gjuhësisë. Studioi gjuhët indo-evropiane te P. Kretschmer, gjuhët sllave te V. Vagic dhe gjuhët romane te G. Meyer-Lübke; u gradua me lavdërim në këto lëme. Në vjeshtën e vitit 1903, ai u bë stazhist në bibliotekën e Universitetit te Vjenës ku punoi deri në vitin 1938. Në moshën 30 vjeçare, mësoi gjuhën shqipe, e cila gjer në atë kohë kishte qenë shumë pak e studiuar. Mësoi shqipen duke ndjekur kursin që asokohe udhëhiqej nga Dr. Gjergj Pekmezi, i cili ishte lektori i parë i shqipes në Universitetin e Vjenës. Më pas forcoi njohuritë si autodidakt më ndihmën e studentëve dhe shqiptarëve të atëhershëm në Vjenë[2]. Ishte meritë e tij që më 1914 në Vjenë u kryen, për qëllime studimi, regjistrimet e para zanore në gjuhën shqipe me subjekte shqipfolës. Në prill të 1933, paleontologu dhe albanologu Franz Nopcsa (Ferenc Nopcsa) vrau sekretaren dhe veten e tij.
Ai i la trashëgim Norbert Joklit punen e tij albanologjike. Ernest Koliqi, duke përshkruar një vizitë të bërë së bashku me Aleks Budën në shtëpinë e Joklit në dhjetor të 1937, shkruante një vit më vonë te «Demokratia» e Vangjel Koçës:
“E më çoi fíll ke nji raft librash […] Botime të vjetra e të reja: Toskësh e Gegësh e Shqiptarësh t’Italís; të gjithë auktorët, të mëdhej e të mesëm e të vegjël fare; kolekcjone së përkohëshmesh shti për bukurí në kartuç, radhiteshin të dendun n’at bibljotekë të smirueshme. Shum prej atyne botimeve sot nuk gjinden mâ, sado me i pague. Sejcili vëllim mâ së miri i lidhun mbante të shkruem me gërma ari në shpinë titullin e vet. Sýt e mij shetitshin plot lakmi mbi ato tituj e zemra më ndrydhej. Paska qenë dashtë të shkojshëm larg Shqipnije, në nji vend të huej, për të gjetun bibliotekën ideale shqipe”.
Është autor i librave Studime mbi etimologjinë dhe fjalëformimin e shqipes dhe Kërkime gjuhësore – kulturore historike nga fusha e shqipes. Jokli pat krijuar një bibliotekë albanologjije e indogjermanistike me rreth 3000 ekzemplarë libra, prej të cilëve sot kanë shpëtuar më pak se 200 copë. Ndër të tjera ai ruante dorëshkrimin e një Fjalori etimologjik të gjuhës shqipe, i cili ishte vazhdimi ideal i punës së nisun prej G. Meyer-it. Mjerisht gjurmët e atij dorëshkrimi kanë humbë qysh në pranverën e vitit 1942. Duhet thanë se dëshira e tij ishte që biblioteka e vet t’i përkiste Shqipnisë. Simbas historianëve të sotëm, ka qenë pikërisht kjo dëshirë fisnike e Prof. Norbert Joklit që ka shenjue fatin e tij mizor[1]. Kishte lidhje të ngushta me intelektualë shqiptarë të asaj kohe si Faik Konica, Aleksandër Xhuvani, Ernest Koliqi dhe Gjergj Fishta, si edhe pati nxënës shqiptarë. Admirues i madh i Fishtës, Konicës, Sqiroit, Naimit dhe traditës bektashjane, njohës i De Radës dhe i arbëreshëve, simpatizues i Shantojës dhe i Koliqit, Jokli pati një letërkëmbim të dendur me shumë personalitete kulturore dhe politike shqiptare[1]. Në vitin 1937 kishte vizituar një herë të vetme Shqipërinë ku me rastin e 25-vjetorit të shpalljes së pavarësisë, u prit me nderime dhe u nderua me çmimin “Urdhni i Skënderbeut”.
Kalvari dhe Përpjekjet për ta shpëtuar
Kalvari i Joklit zë fill në maj të vjetit 1938, atëherë kur nacionalsocialistat nisën ta persekutonin e t’i mohonin të drejtat profesionale. I shtyrë prej disa miqsh – ai vendosi t’i drejtohej në vjeshtën e vitit 1939 një lutje Gauleiter-it Bürckel, komisarit të Reich-ut për zonën e Ostmark-ut, duke i kërkuar njohjen e të drejtave të barabarta me “racat e përzieme të gradës së parë”. Lutja nuk u pranua e kështu që Joklit iu mohua e drejta me konsultue deri edhe bibliotekën dhe iu revokuan të gjitha privilegjet akademike. Më 1938 Lasgush Poradeci i drejton një letër qeverisë së kohës.
Kërkoi me ngulm që Jokli të vinte në Shqipëri. Lasgushi shihte një varg të mirash që mund të sillte ardhja e Joklit në Shqipëri, dhe donte vënien e tij në krye të një Instituti Albanologjik dhe intensifikimi i punëve në të gjitha disiplinat e studimeve shqiptare, duke ditur përkushtimin e rrallë të albanologut më të madh të kohës për Shqipërinë. Shqipëria ishte pushtuar në 7 prill 1939 nga Italia fashiste.
Në 12 prill 1939, Viktor Emanueli III u shpall mbret i Shqipërisë dhe shqiptarëve dhe Francesco Jacomoni (ish ambasador i Italisë në Shqipëri) u bë mëkëmbës i tij me të cilin qeveria e re shqiptare nën drejtimin e Shefqet Vërlacit, nënshkroi një sërë marrëveshjesh. Kjo ishte situata në vend kur kërkohej shpëtimi i Jokl. Shqipëria shihej si vend i shpëtimit të tij për shkak të origjinës hebraike. Nga një letër e Fishtës drejtuar Jakomonit mësojmë se Shqipëria ishte vërtet vendi që u tregua i gatshëm ta strehonte, por Jokli kërkonte të nisej drejt Amerikës.
Letra drejtuar Jakomonit, e nisur nga Shkodra, është e datës 23 shtator 1939. Megjithatë, në Shqipni, Prof. Jokli pati gjithmonë dashamirë dhe miq të sinqertë. Me rastin e Kuvendit të parë të organizuar prej Institutit të Studimeve Shqiptare, të zhvilluar në Tiranë prej datës 9 deri me 13 prill 1940, ishte ftuar me marrë pjesë edhe “profesor Jokli, albanologu i njohtun izraelít prej Vjenet” – kujton Francesco Jacomoni (shih: La politica dell’Italia in Albania, Cappelli, Rocca San Casciano 1965, fq. 183). Dihet se organizator i atij tubimi të randësishëm ishte ministri Ernest Koliqi.
Në nji letër të shkrueme në Tiranë me datën 15 prill 1940, Aleksandër Xhuvani ndër të tjera i kumtonte Joklit: “Kemi pasë këto ditë, si do ta marrish vesh, nji Kuvend të parë të studimeve shqiptare, ku u mblodhën Shqiptarë e Italianë shkencëtarë e studimtarë, ndër të cilët edhe Bartoli e Tagliavini. Ju kemi zanë n’gojë shumë herë dhe na vinte keq që s’gjindeshit edhe ju në mes t’onë. Ju kemi dërgue të fala me disa kartolina. Gjithë përpjekjet t’ona rrahin që të të sjellin këtu ose gjetiu të veç, për të vijue punën e studimevet t’ueja, dhe shpresojmë që t’ja dalim në krye kësaj dëshire”. (shih: Jokl Nachlass Autogr. 279/114) Në tetor 1941, Ernest Koliqi iu drejtua me një letër konsullit shqiptar Nikollë Rrota në Vjenë, letër në të cilën e njoftonte se kishte angazhuar profesor Joklin si organizator të bibliotekave të Shqipërisë me një rrogë mujore prej 600 frangash ari. Albanologu mendonte të shkonte në Shqipëri e të merrte me vete edhe bibliotekën e tij personale. Në vitin 1972 Ernest Koliqi kujtonte ndër vullajt e «Shêjzave» sesi Prof. Carlo Tagliavini, albanolog i Universitetit të Padovës, me një «letër kushtrimore» të datës 14 mars 1941 i kërkonte me bâ diçka për Joklin: “…bahet fjalë me shpëtue njeriun. Dëshira e tij kishte me qenë, siç e din, me kalue vjetët që i kanë mbetë (tash âsht 64 vjeç) në Shqipni… Un t’i shkruej këto gjana që të jesh në dijeni të plotë dhe n’emën të miqsisë sonë të vjetër të lutem që të bajsh gjithçka âsht e mujtun; bahet fjalë me shpëtue njeriun, me shpëtue albanologun mâ të madh, i cili mundet me i dhanë ende shumë studimeve shqiptare”[5]. Duhet thanë se prof. Tagliavini e kishte këshillue Joklin me ia falë me anë të nji akti zyrtar bibliotekën e tij Shtetit shqiptar, në mënyrë që me e pasë mâ të lehtë me marrë lejen për me shkue në Shqipni. Me 15 mars 1941, konsulli shqiptar në Vjenë, dr. Nikollë Rrota i shkruante Koliqit: “Në rasë të konferencës qi mbajti më 27 fruer v.v. miku i jonë, z. Prof. Tagliavini, e informova hollësisht mbi gjendjen e tmershme në të cilën ndodhet sot Prof. Jokl, kurse rryma e sotshme e Nacizmit ka marrë masa tepër të rrepta kundra çëfutënve […] parashifet qi shpejt do t’instradohet për në Poloni pa pasë mundësí as me e marrë me vehte bibliotekën e tij e as me krye mâ ndonji vepër ditunije.
Siç dihet, biblioteka e tij âsht nji ndër mâ të pasunat dhe mâ të vlefshmet mbi letratyrën shqipe, sikurse mund t’a vërtetojë edhe z. Prof. dr. Ekrem Çabej”. Konsulli Rrota, siç marrim vesht prej një letre të P. Kretschmer-it kishte filluar përpjekjet për shpëtimin e Joklit qysh në prill të vitit 1940. Në ketë kohë personalitete të ndryshme të kulturës e politikës europiane dhe të vetë qeverisë shqiptare, të përfaqsuara në personen e Ernest Koliqit, po bënin çmos për m’e shpëtue Prof. Joklin – duke e ftue me jetue e me punue në Shqipërí. Ketë gja e dëshmojnë letrat e profesorave Krahe, Kretschmer, Tagliavini, Koliqi, F. Ercole, G. Schiro’ jr., e gjithashtu edhe hapat e marrun në rrugë diplomatike prej ministrit Giuseppe Bottai, prej ambasadorit italian Dino Alfieri në Berlin dhe prej konsullit shqiptar në Vjenë, Dr. Nikollë Rrotës, i cili u përpoq me aq sa mundej edhe mbas vdekjes së Joklit për me dijtë diçka për rrethanat tragjike të fundit të tij. “Sa mora letrat e Tagliavinit dhe të Rottës, kujtonte E. Koliqi në vitin 1972, unë fola me Kryeministrin z. Shefqet Vërlaci i cili pranoi menjiherë propozimin t’em me e emnue Jokl-in Organizator t’Arkiveve Shtetnore dhe të Bibliotekave shqiptare. Mblodhi Këshillin Ministruer, qi njizâni vendosi at emnim. I a dërgova dekretin përkatës Prof. Jokl-it në Vjenë dhe kumtova njikohësisht Tagliavinin dhe Rottën”.
Mbas këtyre orvatjeve fillestare, Koliqi do të shkonte apostafat në Romë për me folë për shpejtimin e çështjes së Joklit me ministrin Bottai. Ndërkaq ishin dkue u bërë traktativa ndërmjet Ministrisë së jashtme italiane dhe asaj gjermane e Bottai e këshillonte Koliqin me folë me Ciano-n, në mënyrë që ky t’i shkruente J. Ribbentrop-it. Edhe Prof. Eqrem Çabej, i cili ndodhej në Romë në korrik të vjetit 1941, mbasi ishte emnue prej Koliqit si përfaqsues i palës shqiptare për hartimin e «Atlantit gjuhësor» për pjesën e arbëreshëve, interesohej në mënyrë aktive për fatin e Joklit. Me 18 tetor të vitit 1941 Prof. Tagliavini, i cili s’prânte duke u përpjekë për kolegun e vet austriak, i shkruente Koliqit se konsulli Rrota dhe Jokli kanë ndeshë në vështirësi të paprituna në marrjen e lejes së kalimit dhe se âsht nevoja që Mëkambësi Jacomoni t’i shkruente nji letër urgjente ambasadorit italian Dino Alfieri në Berlin. Jacomoni e shkroi letrën dhe ia nisi menjiherë ambasadorit italian. Megjithatë, si ministri Bottai ashtu edhe ambasadori Alfieri nuk e përmendin në ditaret dhe kujtimet e veta çështjen e Joklit. Përveç Gestapos, kishte edhe persona të tjerë që nuk donin që Jokli të gjente strehë në Shqipni, një ndër këta ishte edhe Viktor Christian, dekani i fakultetit të filozofisë në Universitetin e Vjenës.
Christian kishte frikë se duke fitue të drejtën të shkonte me jetue në Shqipni, Jokli do të merrte me vete edhe bibliotekën e tij; ndërsa në rasën tjetër, biblioteka e sekuestrueme prej nazistave do t’i kalonte fondit të Universitetit. Në fakt, dekani i filozofisë Christian, që më vonë do të bëhej rektor i Universitetit, i shkruente SS-Hauptsturmführer-it Brunner se në qoftë se Jokli do të shkonte në Shqipni, biblioteka e tij s’do të mbetej në Vjenë, por në rasë se autoritetet do ta internonin në Poloni, dekani i lutej oficerit SS, që biblioteka t’i jepej fakultetit të filozofisë. Kah mbarimi i prillit të vitit 1942, dekani Christian ishte i informuem për internimin e Joklit dhe për faktin që biblioteka e tij – tue i kalue Universitetit të Vjenës – do të vendosej së shpejti në mjediset e Institutit të Indogjermanistikës ose të atij Oriental. Menjiherë do të interesohej edhe drejtori i përgjithshëm i Bibliotekës Kombtare austriake, Paul Heigl, i cili kërkonte që librat e «çifutit Jokl» të baheshin pronë e komunitetit të gjanë të studjuesve. Edhe ambasada italiane në Vjenë, në emën të së drejtës që kishte fitue Italia prej bashkimit të kunorave mbretnore me Shqipnin, bante hapat e saj për marrjen e kësaj biblioteke me përbamje albanologjike. Nji ndër gjanat mâ me vlerë që hupën prej asaj biblioteke, ishte dorëshkrimi i Fjalorit etimologjik të gjuhës shqipe. Nji fat të ngjashëm me Fjalorin etimologjik të Joklit, pati edhe Fjalori i gjuhës shqipe i Mustafa Krujës, i cili, edhe pse ekzistonte në dorëshkrim në Institutin e Studimeve shqiptare, mbas vitit 1944 i hupi fara si mos me pasë qenë kurrë. Fate të ngjashme me bibliotekën e Joklit patën edhe mâ të mëdhat biblioteka që ekzistojshin asokohe në Shqipni: biblioteka dhe arkivat e Lef Nosit, Mithat Frashërit e Eqrem bej Vlorës si edhe biblioteka dhe arkivi i Etënve françeskan dhe i atyne jezuit në Shkodër.
Arrestimi dhe vdekja
Fundi i jetës së tij është tragjik. Norbert Jokli u arrestua nga Gestapoja në 4 mars 1942 në banesën e tij Vjenë. Dy nëpunës të Gestapos e morën profesorin prej shtëpisë së tij në Neustiftgasse 76 dhe e ndryene mâ së parit në Sperrgasse e mandej në kazermën Roßauer në Vjenë. Me një letër tjetër, e cila mban datën 1 prill 1942, Tagliavini i kumtonte Koliqit lajmin e arrestimit të Joklit dhe përpjekjet për me ndërhy nepërmjet kryeministrit Kruja. Shkruen Koliqi: “Unë nga Tirana i telefonova menjiherë Bottai-t në Romë e shkova mandej fíll tu Mustafa Kruja i cili në sý t’em mori telefonin e foli me Ciano-n tue e lutë nxehtësisht me bâ çmos për shpëtimin e Jokl-it. Ciano përgjegji se do të lutte Mussolinin me ndërhy pranë Hitlerit”. Po ky vit shënohet si vit i vdekjes së albanologut. Si nji shkencatar i vërtetë dhe si njeri i dashunuem mbas librash, ai ndihej prej kohësh i dëshpëruem vetëm prej idesë se mund të ndahej përgjithmonë prej librave të tij të çmueshëm. Madje, i kishte pohue gjuhëtarit Carlo Tagliavini, se në rasë se do t’i duhej me u nda prej librave të vet, do të preferonte me mbytë veten. Si datë e vdekjes së N. Joklit konsiderohet 6 maji 1942, por përsa i përket rrethanave të vdekjes së tij jepen variante të ndryshme. Ernest Koliqi – i informuem prej konsullit Rrota – tregon se gjatë rrugës për në nji kamp përqëndrimit në Riga, Jokli u hodh prej trenit kur po kalonte mbi nji urë të naltë rreth 100 metër dhe mbyti veten.
Disa studjues austriakë pohojnë se Jokli vdiq nën tortura në kazermen Roßauer në Vjenë, ndërsa të tjerë pohojnë se vdiq në kampin e përqëndrimit të Maly Trostinec-it, nji lokalitetit rreth 12 km në juglindje të Minsk-ut, në Ruteninë e Bardhë. Ka gjasë që ky variant të jetë mâ i mundshmi. Kampi i Maly Trostinec-it ishte krijue qysh në nandor të vjetit 1941 në territorin e ish kolkozit «Karl Marx». Tue qenë se në gjysmën e marsit të vitit 1942 partizanët kishin sulmue kampin tue vra rojet, mbas këtij episodi kompania e rojeve ishte shtue si numër, tue arritë shifrën 250 ushtarakë. Zakonisht ekzekutimet në masë në ketë kamp bâheshin me anën e pushkatimit, i cili kryhej në pyllin e Bllagovshçinës. Simbas listave të transportit të Reichsbahn-it (hekurudhat e Reichut III), mbartja e parë e hebrenjve prej Vjenet për në t’ashtuquejtunin «Reichskommissariat Ostland», u bâ me datën 6 maj 1942. Nji gja të tillë e konfirmon edhe nji raport i detajuem komisariatit të policisë vjeneze (95. Pol. Revier), i shkruem me datën 16 maj 1942. Raporti përshkruen me hollsi «evakuimin» e 1000 hebrenjve prej Vjenet, lista e të cilëve, sqaron me nji ton të ftohtë burokratik funksionari i policisë, ishte raditë prej kapitenit SS Brunner. Mbasi përshkruen me hollësi nisjen prej Vjenet, itinerarin si dhe ndalesat e ndryshme, raporti ven në dukje faktin se me datën 9 maj – kur treni mbërriti në Kajdanowo, në afërsi të Minskut, kishin vdekë 3 burra dhe 5 gra prej hebrenjve të internuem. Emnat e tyne nuk shenjohen, por ka shumë mundësi që njeni sish të ketë qenë albanologu Norbert Jokl. Me 29 prill 1982 Senati i Universitetit te Vjenës vendosi të rradhisë emrin e Norbert Joklit në tabelën e nderit të universitetit.
Mbas një pune të zellshme dhe të pandërprerë i shkoi për dore të botojë veprën më titull “Studien zur albanesischen Etymologie und Wortbildung” (Studime mbi etimologjinë dhe fjalëformimin e shqipes). Në këto studime i kushton një rëndësi të posaçme leksikut të trashëguar të shqipes: në 101 faqe trajton fjalët burimore shqipe, ndërsa 13 faqe ua kushton huazimeve të saj. Këtu dëshmon për burimsinë e një numri të madh fjalësh, që G. Meyer i merr për huazime të shqipes. Kjo vepër merret si arritja më e rëndësishme në fushë të shqipes pas fjalorit etimologjik të Meyerit. Etimologjia zë vendin e parë në gjurmimet e tij në fushë të leksikut të shqipes, kjo qe lëmia ku edhe kontribuoi më shumë, por një rëndësi të tillë i kushtoi edhe morfologjisë dhe fjalëformimit, kurse në fushë të fonetikës për periudhën parahistorike ai hapi shtigje të reja në punë të apofonisë dhe në konsonantizëm.
Burimet:
Ardian Ndreca: Norbert Jokl dhe fati i nji biblioteke që i përkiste Shqipnisë 8/03/2012
N. Jokl nga forumishqiptar.com
Shaban Sinani: Hebrenjtë në Shqipëri – prania dhe shpëtimi, “Naimi” Tiranë 2009. Gazeta Shqip | …e përditshme e pavarur Shejzat, 1972, n. 1-4, fq. 83-88
- Tagliavini, në Indogermanisches Jahrbuch, XXVIII, 1949