Rasti Haradinaj të jetë precedent ndaj fletarrestimeve të Serbisë

Shoqata e Familjeve të Dëshmorëve dhe e Invalidëve reaguan kundër padrejtësive që po i bëhen R. Haradinajt

Në komunikatën Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve dhe Invalidëve të Luftës së UÇK-së, thuhet se  Komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të Zonës Operative të Dukagjinit, edhe një herë i shtyhet gjykimi nga drejtësia franceze,  edhe një herë i bëhet padrejtësi në emër të drejtësisë. Luftëtarit emblematik të lirisë së Kosovës, Ramush Haradinajt, i pamundësohet nga drejtësia evropiane që të gjykohet në vendin e tij, në Kosovë, për lirinë e secilës ka luftuar dhe ka sakrifikuar edhe familjarisht.

Shoqatat e dala nga Lufta e UÇK-së, duke përcjellë me vëmendja se çka po ndodh që nga arrestimi i tij, në bazë të një fletë arresti të Serbisë pushtuese, kundër së cilës ka luftuar edhe Ramush Haradinaj, nuk mund ta marrin me mend se edhe drejtësia evropiane, kësaj radhe e përfaqësuar përmes drejtësisë franceze, mund të bëhet bashkudhëtare e një drejtësie kriminale, siç është ajo e Serbisë. Këtë fakt, se ajo është drejtësi kriminale, Ramush Haradinaj e ka provuar dy herë në gjykimet në Gjykatën për krimet e luftës në ish-Jugosllavi, me seli në Hagë dhe, të dy herët ka dalë i pafajshëm, sepse lufta e tij ishte e drejtë dhe ishte lutë  çlirimtare.

Por as ky fakt, as shtetësia e Kosovës, nuk janë të mjaftueshme për drejtësinë e Serbisë kundrejt Kosovës dhe sidomos kundër luftëtarëve të saj të lirisë. Mirëpo, derisa për shqiptarët, kudo që janë, ky qëndrim i drejtësisë së Serbisë është i kuptueshëm, si mund të kuptohet drejtësia franceze, e cila me dashje apo pa të, ka rënë në kurthin që i ka ngritur Serbia, përmes Interpolit, duke akuzuar secilin shqiptar që ka luftuar kundër pushtimit dhe kundër robërisë.

Drejtësia franceze, duke shtyrë, njësoj siç ndodh edhe në disa gjykime në Kosovë, herë për një arsye, herë për një tjetër, marrjen e vendimit për lirimin e Ramush Haradinajt dhe kthimin e tij në vendin e tij, në Kosovë, para shqiptarëve dhe para opinionit demokratik evropian, ka vënë në dyshim parimet themelore të drejtësisë, për arsyen e thjeshtë se ajo mbështet në të

dhënat që ia ka vënë në dispozicion një drejtësi kriminale, e dëshmuar edhe në nivelin evropian, nëse është për t’i besuar institucionet e drejtësisë së Evropës, që janë marrë me rastin e Kosovës, si dhe nëse janë për t’i besuar institucionet e drejtësisë ndërkombëtare, siç është Gjykata e Hagës, e cila ka shpallur të pafajshëm, përveç të tjerëve edhe Ramush Haradinajn. Shoqatat e dala nga Lufta e UÇK-së reagojnë në mënyrën më të ashpër kundër kësaj padrejtësie, që i bëhet jo vetëm Ramush Haradinajt, por edhe luftës për liri të popullit shqiptar të Kosovës.

Duke e mbështetur luftëtarin e lirisë, duke u vënë në krahë të komandantit të UÇK-së, duke u ngritur kundër të gjitha padrejtësive që po ju bëhen luftëtarëve të lirisë, andaj edhe Ramush Haradinajt, deklarojmë publikisht, se jemi në gjendje ta mbrojmë me të gjitha mjetet lirinë e fituar, si dhe bashkëluftëtarin tonë, komandantin e nderuar Ramush Haradinaj.

Prishtinë, më 2. 3. 2017

Kontrolloni gjithashtu

Albin Kurti: Brukseli dhe Uashingtoni bënë padrejtësi ndaj Kosovës duke i vendosur masa ndëshkuese

Albin Kurti, në një intervistë për median zvicerane “NZZ”, thotë se Perëndimi po tregohet ‘shumë naiv’ me Beogradin zyrtar

Albin Kurti,  në një intervistë për median zvicerane “NZZ”, thotë se Perëndimi po tregohet ‘shumë naiv’me …