Politikës në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni e Luginë, i duhen akterë që i bëjnë gjërat që të ndodhin e jo të tillë që shohin e vajtojnë për atë se çfarë është duke ndodhur. U duhet lidership ndërveprues e transformues për të qenë akterë të të bërit politikë në rajon.
“Në ora 5:20 të mëngjesi të 5 marsit të vitit 1998, në odë hyri vajza ime duke më thënë: ‘Babë, në Prekaz pushka krisi.’” – kështu e tregon ngjarjen Sadik Halili nga Dubovci në komunën e Vushtrrisë. Ai nuk u hamendësua fare atë mëngjes dhe bashkë me vëllaun Isakun, me atë armatim që kishin, nisen për në Prekaz. Në këtë rrugëtim të shenjtë, Isaku vritet, gjersa Sadiku plagoset me katër plumba. Të tillë sikur këta dy burra kishte shumë banorë në fshatrat përreth Prekazit, por mundësitë ishin të pakta për t’i shkuar në ndihmë familjes Jashari. Jehona e asaj krisme të pushkës në Prekaz ishte e madhe, e mbase edhe mesazhi ishte i tillë, mobilizoi të gjithë shqiptarët për t’u bashkuar në luftën për liri.
Epopeja e marsit të Prekazit legjendar ndryshoi gjithçka në betejën e shqiptarëve për të fituar lirinë, tashmë nuk kishte hamendësime rreth një qëllimi që synohej pa marrë parasysh sakrificën që duhej bërë. Shembulli reflektues i Prekazit ishte sa mobilizues po aq edhe unifikues e që doli të jetë faktori vendimtar i të arriturave apo fitimit të luftës. Lufta u fitua por shqiptarët dhe politikat e tyre a mundën ta fitojnë paqen, pasi po delë të jetë proces bukur i vështirë dhe i ndërlikuar. Rajoni ku jetojnë shqiptarët duket të jetë i trazuar dhe politika për të reflektuar karshi saj nuk duhet të presë sakrificë të re, por të veprojë për ta fituar paqen. Thonë që për të fituar atë, duhet ta duash dhe politikat shqiptare në rajon vërtetë duhet të dëshmojnë e t’i duan vendet e tyre. Prestigji i tyre lindë apo krijohet vetëm mbi pengesat e kapërcyera e jo duke u mbetur në to e vajtuar për gjendjen e krijuar, fundja këtë rol e ka politika e veçanërisht politika që akterë ka veprimtarë të lirisë. Politikës në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni e Luginë, i duhen akterë që i bëjnë gjërat që të ndodhin e jo të tillë që shohin e vajtojnë për atë se çfarë është duke ndodhur. U duhet lidership ndërveprues e transformues për të qenë akterë të të bërit politikë në rajon.
Sot, në këto vende tona, politika më shumë po krijon spektakle sesa të shprehë gatishmëri për të kapërcyer pengesat e krijuara dhe fituar paqen. Dikush sillet si të jetë përgjegjëse për të vërtetën, duke harruar se synimi i politikës është që ta nxjerrë e realizoj të vërtetën e volitshme për të mirën e përbashkët dhe kjo e mirë duhet të qartësohet e unifikohet e jo të personifikohet. Është e dobishme që e mira e përbashkët si qëllim të arrihet vullnetshëm dhe në paqe, pasi forma tjera na e përsërisin historinë dhe nuk dihet se ku na kthejnë. Beteja për ta fituar paqen nuk arrihet vetëm përmes shpalljeve të interesave, por përmes motiveve të përbashkëta dhe orientimeve të veprimit. Është koha për debatin që i krijon dhe stabilizon idetë politike në interesin e vendeve. Pra, për një politikë të substancës, e cila do ta fuqizonte politikën për të qenë e aftë e konkurruese në tregun politik të rajonit. Kjo politikë duhet ta bashkojë shoqërinë për ta angazhuar në objektiva të përbashkëta. Politika në Kosovë, por edhe në Shqipëri e Maqedoni duhet t’i kthehet mendimit pozitiv, përkundër lëndimeve individuale a grupore, asaj i duhen idetë e të gjithëve për të ndërtuar konceptin e qartë programor, i cili tregon e trason rrugën të cilën breza të tërë e filluan. Kemi nevojë për ide politike rregullative, e jo konfliktuale. Njerëzit kanë nevojë të afrohen rreth tyre. Epopeja e Prekazit ka pasur këtë mesazhin i cili gjithnjë është aktual për politikën dhe shoqërinë, ndryshe humbin betejën për ta fituar paqen.