Sot Shqipëria është aktualisht në një krizë të thellë politike , elektorale, ligjore pasojë kjo që ka ardhur nga një parlament , qeverisje dhe administratë e mbushur me injorantë, të korruptuar dhe me individë me rekorde kriminale; pasojë kjo që ka ardhur prej këtyre të përzgjedhurish që kanë bërë lidershipet dhe kjo elita politike e tillë. Rrjedhimisht pra, Shqipëria është në një krizë gjithë institucionale politike dhe qeverisëse dhe në krizë prej sistemit të drejtësisë së falimentuar, të kriminalizuar, të korruptuar dhe të kapur nga politika që e kanë falimentuar shtetin dhe funksionin e tij dhe të shoqërisë të cilat lëvizin për inerci.
Nga kjo situatë vendi del vetëm me zgjedhje të lira, të pamanipuluara, të ndershme dhe demokratike që do të mbahen së shpejti, por me një kusht që ato të mbikqyren , të monitorohen dhe të kontrollohen rreptë nga ndërkombëtarët duke skualifikuar së pari nga e drejta për të konkuruar dhe për të marrë mandatin e deputetit, të qeveritarit dhe të administratorit elementët e pamerituar, të paaftë, jopatriotë dhe sidomos nga ata me rekorde kriminale. Dhe këto zgjedhje prandaj duhet të monitorohen rreptësisht nga ndërkombëtarët pasi politika shqiptare aktuale është e pabesueshme pasi e ka të pamundur për ta bërë vet-VETING-un apo vetdekriminalizimin e saj.
Dhe vazhdojmë të pyesim se: pse gjithmonë kur Kosova, shqiptarët e Maqedonisë dhe të Preshevës si dhe vetë Shqipëria: kur ata kanë nevojë për një Shqipëri të integruar dhe të fortë ekonomikisht, demokratikisht dhe politikisht; kur shqiptarët kudo që ata janë, kanë nevojë për një shtet shqiptar të konsoliduar e modern dhe për një Shqipëri të qëndrueshme politikisht dhe të integruar europianisht; pse shteti shqiptar pothuajse gjithnjë në momente të tilla gjendet në udhëkryq politik dhe demokratik shkaktuar prej politikanëve të saj? Kjo a nuk përbën tradhti për politikanët shqiptarë?
Që prej 25 vitesh Shqipëria zhagitet, zvarritet apo vetëm sa rrëshqet nëpër udhëkryqet e historisë mundimshëm dhe përvuajtshëm drejt demokracisë, progresit, mirëqënies dhe integrimit. Kjo vjen jo vetëm prej pengmarrjes që Shqipërisë i kanë bërë politika dhe politikanët e mbrapshtë por edhe dhe prej indiferencës kolektive ndaj problemeve themelore me interes kombëtar të shoqërisë apatike shqiptare e cila lëviz e përcarë dhe vetëm kur e ftojnë bajraktarët e korruptuar dhe matrapazët e politikës dhe të pushtetit për interesat e tyre personale, politike dhe për pushtet.
Nëse nuk gaboj, konstatohet apo vërehet se opinioni publik në pjesën më të madhe të tij interesohet dhe bëhet kurioz të dijë dhe të merret me vogëlsira, me gjëra të thjeshta, të sipërfaqshme dhe të parëndësishme; të besojë lehtësisht në thashethemnaja dhe gënjeshtra si dhe të manipulohet e lehtë mashtrohet nga përrallat, premtimet e rrejshme dhe akrobacirat politike të aventurierëve të politikës, pushtetit dhe të hipokrizisë së tyre.
Pothuajse gjithnjë interesi popullor dhe ai kombëtar është tradhëtuar prej parive apo lidershipeve, apo prej këtyre farë “elitave” politike shqiptare të cilat gjithmonë janë treguar “tolerante”, dorëlëshuara për të matrapazuar , kontrabanduar, falur e shitur dhe të gatshme për të sakrifikuar interesin kombëtar e publik për interesa të ngushta personale të tyre.
Kemi 25 vite që dëgjojmë nga politika, pushteti dhe media në Shqipëri vetëm gënjeshtra, mashtrime dhe pallavra politike për demokracinë, për patriotizmin, për drejtësinë, për shtetin ligjor dhe për integrimin dhe po ashtu zhurmë dhe thirrje populiste dikur Berisha,ik! Nano, ik! Pastaj përsëri Berisha, ik! dhe tani edhe Rama, ik! Pra, ik e eja, por ik e eja po të njëjtët politikanë e zullumqarë të pandëshkueshëm dhe e njëjta melodi, fizionomi, filozofi dhe elitë politike krimi, korrupsioni, mafie, hajnije, pa përgjegjshmërie, varfërie, trafikimi droge e qeniesh njerëzore, tragjedish e fatkeqësish të vazhdueshme, të përsëritshme dhe të riciklueshme.
Kjo klasë apo kjo elitë politike e rrejshme dhe mashtruese na ka bërë gazin e botës dhe po e mban Shqipërinë gjithnjë peng dhe në udhëkryq.
Gjithçka është problem në Shqipëri, pasi asgjë nuk është zgjidhur si duhet dhe as nuk është vënë në vendin e duhur, por vetëm sa të këqijat përsëriten, rriten dhe shtohen ato.
Problem pronat; problem ligji, drejtësia, krimi; problem shkollat dhe universitetet; problem kultura, shëndetësia, mjedisi e territori; papunësia dhe varfëria; problem mirëqenia, pensionet, ndihma sociale; problem plehrat, ndotja, ekomafia dhe mbiproblem korrupsioni e narkomafia; problem europian eksodi dhe narkotrafiku nga Shqipëria; problem që prej 25 vitesh demokracia dhe zgjedhjet elektorale gjithnjë të vjedhura, të blera dhe të manipuluara. Dhe nuk e di se cfarë nuk është problem apo cili problem është zgjidhur si duhet në Shqipëri?
Pra, deri kur më Shqipëria do të jetë në udhëkryq të demokracisë dhe të integrimit; në udhëkryq kritik për zgjedhje të lira dhe të ndershme; në udhëkryq për zgjedhjen e presidentëve të saj; në udhëkryq prej kapjes nga një kastë politike e korruptuar dhe e kriminalizuar; në udhëkryq prej pamundësisë për të luftuar krimin dhe drogën etj. Dhe së fundmi pse edhe tani pas miratimit të Reformës në Drejtësi akoma ka tendenca dhe përpjekje për ta bllokuar dhe penguar zbatimin e saj, pra, për ta mbajtur akoma Shqipërinë në udhëkryq prej padrejtësisë?
Pra a nuk është Shqipëria në udhëkryq edhe tani në prag të zgjedhjeve elektorale të vitit 2017, ashtu sic ishte dhe në prag të zgjedhjeve të vitit 2013, dhe ashtu sic edhe ka qenë gjthnjë në prag të çdo zgjedhjeje elektorale ku 6 muaj para tyre shteti nuk funksionon.
Shqipëria është në udhëkryq sepse atë e mban peng lufta e egër politike vetëm për pushtet, si për ta mbajtur ashtu edhe për ta fituar atë vetëm me synim për përfitime e privilegje personale, nepotike, familiare dhe klanore; Shqipëria në udhëkryq prej politikës krejtësisht të papërgjegjshme dhe të painteresuar për cështjet publike, sociale dhe kombëtare. Deri kur më kështu?
Shqipëria sot është në një krizë të thellë politike pasi elita politike aktuale, pushteti dhe qeverisja mbahen në këmbë prej poshtërsive, korrupsionit dhe nga ndërthurje të interesave të ngushta korruptive dhe kriminale afatshkurtëra të krimit , të matrapazëve dhe të klaneve të politkës që nuk po pyesin akoma as edhe për Reformën në Drejtësi, as për Dekriminalizimin e Politikës , as për nevojat e shoqërisë dhe as për ndërkombëtarët. Kjo është premisë drejt shkarjes në një humnerë apo në ndonjë katastrofë tjetër të radhës ndoshta si ajo, apo përafërsisht si ajo e vitit 1997.
Shqiptarët duhet të veprojnë tani sepse kanë edhe përkrahjen e SHBA-ve, dhe se pa ndihmën e tyre nuk dalin dot shqiptarët nga udhëkryqi ku e mbajnë Shqipërinë politikanët dhe kryeparët e politikës dhe të shtetit shqiptar; duhet vepruar dhe ndëshkuar këta zullumqarë, mëkatarë dhe keqbërës të paskrupullt.
Shoqeria civile, guxoni dhe veproni tashmë, por mesa duket as nuk po guxoni dhe as nuk po doni dhe as nuk po mund të veproni sepse në atë farë derexheje është katandisur jo vetëm politika dhe drejtësia por edhe shteti dhe shoqëria civile.
Mesa duket edhe dekriminalizimin e sistemit politik dhe atë të drejtësisë do ta bëjnë po SHBA, ashtu sikurse edhe po prej presionit të SHBA dhe të BE-së u miratuan edhe Ligji i Dekriminalizimit të Politikës dhe Reforma në Drejtësi. Është shumë e cuditshme kur ambasadori amerikan shprehet se kryeprokurori i Shqipërisë e ka penguar Reformën në Drejtësi dhe as politika, as opozita dhe as pozita, as deputetë dhe as Parti politike dhe as shoqëria civile nuk kanë kërkuar minimalisht dorëheqjen e Kryeprokurorit.
Mesa duket edhe skualifikimin e kandidatëve me rekorde kriminale për deputet në zgjedhjet e Qershorit 2017 do ta bëjnë dhe urojmë që ta bëjnë SHBA-të pasi nuk mund ta bëjë pastrimin dhe vetVETING-un politika e kriminalizuar shqiptare dhe as shoqëria civile shqiptare e paralizuar dhe e kapur prej kësaj elite politike dhe sociale e kriminalizuar dhe e korruptuar. Dhe pa një mbikqyrje dhe një monitorim të rreptë nga SHBA dhe BE as mos t’i shkojë ndokujt në mëndje se do të ketë zgjedhje të pamanipuluara në Qershor të vitit 2017.
Shoqëria shqiptare deri më sot edhe kur ka lëvizur, edhe kur ka vepruar , edhe kur ka sakrifikuar për lirinë, për demokracinë, për progresin dhe për integrimin, edhe kur ka protestuar, edhe kur ka votuar: prej të gjitha këtyre pëfituesja e madhe ka qenë vetëm politika dhe pushteti; politika dhe pushteti të cilët vetëm sa kanë mashtruar, manipuluar, keqpërdorur dhe kanë spekulluar me aspiratat e lirisë, demokracisë, patriotizmit dhe të integrimit të shoqërisë shqiptare.
Shqiptarë, guxoni të veproni për ndryshimin, për shpresën dhe për të ardhmen sepse keni SHBA-në, aleatin e madh që na ndihmoi dhe na nxori nga sketerra komuniste, SHBA ,e cila po na ndihmon prej 25 vitesh për të dalë edhe sot nga udhëkryqi demokratik i korrupsionit; nga udhëkryqi i vjedhjes dhe i manipulimit të zgjedhjeve demokratike; për të dalë nga udhëkryqi prej sistemit politik të kriminalizuar dhe nga ai i sistemit gjyqësor politik dhe të korruptuar si dhe prej sistemit kriminal të kultivimit dhe të trafikimit të drogës, të pastrimit të parave të pista, të trafikimit të qënieve njerëzore etj.
Këto janë kauzat për të cilat duhet të ngrihet dhe të protestojë shoqëria shqiptare , kauza të cilat motivojnë dhe nxisin protestën për demokracinë dhe lirinë e vërtetë; kauza që motivojnë një Lëvizje jo vetëm demokratikisht dhe qytetarisht, por duke motivuar një Lëvizje qytetare moralisht së pari, pra një Lëvizje në emër të së vërtetës, të dinjitetit dhe të moralitetit njerëzor; një Lëvizje kundër tradhtisë, hipokrizisë, mashtrimeve, krimit, korrupsionit politik dhe kundër degradimit politiko-social, ekonomik , kulturor dhe intelektual të shoqërisë që i vijnë asaj nga keqqeverisja politike dhe nga apatia shoqërore.
Duhet rezistencë shoqërore pa kompromis kundër të keqes, krimit dhe tradhtisë publike të politikës dhe të pushtetit; duhet rezistencë shoqërore së pari për t’i sfiduar, mundur dhe ndëshkuar ato. Për një Lëvizje të tillë ka nevojë akoma Sot Shqipëria që ajo të dalë nga kjo pengmarrje e politikës dhe nga ky udhëkryq ku Shqipëria gjendet kryesisht për faj dhe prej korrupsionit, krimit dhe të tradhtive së elitës politike shqiptare që prej 25 vitesh..
Nëse shqiptarët nuk luftojnë vetë së pari për të dalë nga ky udhëkryq demokratik atëhere ata i vuajnë me meritë pasojat e tij, pasi për SHBA dhe për BE Shqipëria nuk përbën ndonjë prioritet apo rëndësi jetike për ta, por vetëm sa Shqipëria përfshihet në planin strategjik periferik të tyre, pasi: SHBA dhe BE kanë probleme të tjera shumë të rëndësishme të tyre, në vendet e tyre sikurse dhe kanë probleme të tjera madhore strategjike me rëndësi globale. Por, ama, ne vetëm sa po u krijiojmë atyre shqetësim dhe kokëçarje me problemet tona të cilat duhet t’i zgjidhim vetë ne.
Dhe nëse SHBA dhe BE lodhen si gjithnjë me ne, ata edhe mund të na braktisin, gjë të cilën e dëshirojnë armiqtë tanë si dhe korrupsioni dhe pushteti i politikanëve shqiptarë të papërgjegjshëm para shtetit dhe kombit të tyre, përderisa ata sillen kundër interesave të popullit të vet, kundër demokracisë dhe kundër integrimit të Shqipërisë.
Është fakt, pasi realiteti i këtyre viteve të tranzicionit ka treguar se vetëm falë ndihmës, monitorimit dhe ndërhyrjes vendimtare nga SHBA dhe BE-së Shqipëria ka mundur që të shmangë destabilitetin politik të shpeshtë dhe ngjarje të tjera të rënda me pasoja katastrofike për vendin të shkaktuara prej elitës së papërgjegjshme politike shqiptare. Prandaj është koha për veprim për të dalë nga ky udhëkryq letargjik paralize.